Kombëtarja e Zvicrës është kundërshtari i Maqedonisë në kuadër të Ligës së Kombeve. Ajo është ndeshja e parë në një grup ku bëjnë pjesë edhe Sllovenia dhe Skocia.
“Nesër në Arenë të Shkupi do të vijë një nga kombëtaret më serioze në futbollin evropian, e përbërë nga shumë yje. Mes tyre është edhe futbollisti i Milanit, Ardon Jashari, i cili ka prejardhje nga Maqedonia, më saktësisht nga Kumanova”, - ka shkruar mediumi maqedonas “Sportport”.
Kur u pyet se sa shpesh e viziton vendlindjen e familjes së tij, shqiptari Jashari dha një përgjigje pozitive:
“Këtë verë isha në Maqedoni. Kam mjaft familjarë këtu dhe vij shpesh. Në një moment më kontaktoi edhe Federata e Futbollit të Maqedonisë, por tashmë isha zotuar se do të luaja për Zvicrën dhe shumë shpejt pas kësaj erdhi edhe ftesa për kombëtaren A.
Unë kam lindur në Zvicër dhe ajo është vendi im. Atje jam shkolluar, atje jam rritur dhe atje jam formuar si person.
Për mua ekziston vetëm një shtet dhe ai është Zvicra”, tha Jashari.
Jashari më pas foli edhe për ndeshjen e nesërme kundër Maqedonisë:
“Sa i përket ndeshjes së nesërme kundër Maqedonisë, e dimë se çfarë na pret. Jemi të përgatitur dhe jemi të vetëdijshëm se kemi detyrimin për të fituar.
E respektojmë kundërshtarin, por sigurisht që shkojmë për fitore.”
Pra, Jashari konfirmon se Federata e Maqedonisë e kishte kontaktuar më herët, por ai kishte vendosur të përfaqësonte Zvicrën, për të cilën tashmë luan në nivelin e kombëtares A.