Mes Yamalit dhe Mbappés, Topi i Artë një biznes që i gjeneron deri në 16 milionë euro

Futboll

Mes Yamalit dhe Mbappés, Topi i Artë një biznes që i gjeneron deri në 16 milionë euro

Më: 26 tetor 2026 Në ora: 12:27
Fotoilustrim

Topi i Artë feston 70-vjetorin me një ceremoni historike në Londër, për herë të parë jashtë Francës.

Përtej prestigjit sportiv dhe garës për çmimin individual, eventi është shndërruar në një aktivitet të rëndësishëm ekonomik.

Sipas “Palco23”, ceremonia i gjeneron nga 10 deri në 16 milionë euro për edicion, përmes sponsorizimeve, të drejtave ndërkombëtare, shërbimeve të mikpritjes dhe licencave.

Për vitin 2024, të ardhurat janë vlerësuar në rreth 15 milionë euro, megjithëse organizatorët nuk publikojnë shifra zyrtare.

UEFA dhe Groupe Amaury, partnerët kryesorë

Organizimi i çmimit mbështetet në bashkëpunimin mes Groupe Amaury, pronarit të revistave France Football dhe L’Équipe, dhe UEFA-s, e cila është bashkorganizatore që nga viti 2024.

Groupe Amaury e ruan markën dhe e mbikëqyr procesin e votimit, ndërsa UEFA merret me të drejtat komerciale globale dhe organizimin e ceremonisë.

Në edicionin e vitit 2026, ndër partnerët kryesorë janë Qatar Airways, Adidas, Topps dhe Hankook.

Edhe audienca e konfirmon interesin e madh për këtë ngjarje: ceremonia e vitit 2024 arriti një kulm prej 2.2 milionë shikuesish njëkohësisht në platformat e transmetimit online.

Lamine, Mbappé, Kane dhe Messi në garë

Në aspektin sportiv, vëmendja përqendrohet te disa emra të mëdhenj. Lamine Yamal e synon Topin e parë të Artë, ndërsa Mbappé mbështetet te statistikat e tij individuale dhe aftësitë realizuese.

Në garë përmenden gjithashtu Harry Kane, Lionel Messi dhe Rodri. Aktualisht nuk ka një favorit të padiskutueshëm.

Kane përmendet si një prej kandidatëve kryesorë në kuotat e basteve në Spanjë, ndërsa Messi e synon çmimin e nëntë në karrierë.

Lionel Messi e kryeson renditjen historike me tetë Topa të Artë, i ndjekur nga Cristiano Ronaldo me pesë.

Çmimi u krijua në vitin 1956 nga France Football, ndërsa që nga viti 2007 e vlerëson futbollistin më të mirë në botë, pa kufizimin e mëparshëm të kombësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat