“Shteti po bën sehir”, paralajmërimi drithërues i hulumtuesit për gjendjen me CoVID-19 në Kosovë

Lajme

“Shteti po bën sehir”, paralajmërimi drithërues i hulumtuesit për gjendjen me CoVID-19 në Kosovë

Nga: M.L. Më: 11 gusht 2021 Në ora: 18:04
Foto ilustrim

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, konsideron se vala e re e pandemisë ka ardhur kryekëput si rezultat i vendimeve për lirimin e shfrenuar të masave, sidomos hapjen e klubeve të natës dhe lejimin e dasmave me qindra pjesëmarrës.

“Të rinjtë e moshave 20-39 vjeç po preken më së shumti nga vala e re e pandemisë. Ata përbëjnë gjysmën e rasteve të reja ditore. Në anën tjetër, këto grupmosha përbëjnë veç 25% të të vaksinuarve, si dhe e kanë përqindjen më të vogël të vaksinimit në proporcion me numrin e qytetarëve sipas atyre moshave. Vala e re e pandemisë ka ardhur kryekëput si rezultat i vendimeve për lirimin e shfrenuar të masave, sidomos hapjen e klubeve të natës dhe lejimin e dasmave me qindra pjesëmarrës. E këtu ka kontribuar shumë edhe kontrolli i minimal e i papërfillshëm nga institucionet. Lokalet janë plot gjithkah, të mbushura me të rinj që nuk zbatojnë as edhe një masë të vetme. Në pak fjalë, të rinjtë po infektohen kryesisht në dasma e diskoteka. Tjetërkund jo! Sepse, aty s’ka se si të mbahet distanca:, është shprehur Cakolli në Facebook.

Edhe pse fatmirësisht nuk ka pasur raste të vdekjeve në mesin e të rinjve, sipas Cakollit papërgjegjësia e tyre dhe shkelja e masave në dasma dhe sidomos klube të natës - për të cilat shteti po bën sehir - po i rrezikon grupmoshat e tjera dhe shoqërinë në tërësi.

“Deklarimet se do të ketë masa për personat e pavaksinuar, sidomos sa i përket qasjes në dasma dhe klubet e natës, janë qesharake. Kushdo që thotë se do të ketë respektim të atyre masave, po të gënjen ty edhe veten. A vërtetë po mendoni që sigurimat jashtë diskotekave do t'ua verifikojnë QR Code të rinjve që frekuentojnë aty a? Ose kamerierët dasmorëve?”, u shpreh ai.

“Prandaj, zgjidhja është e thjeshtë: veç i mbyllni klubet e natës dhe i ndaloni dasmat, deri sa edhe grupmoshat e reja të arrijnë nivel të vaksinimit mbi 50-60%. Në fund të fundit, a mos po lëshohet ndonjë kupon fiskal nga to, që me ja pa hairin shteti?!”, nënvizoi ai.

Po ashtu Cakolli u shpreh se me kaq shumë raste të reja pozitive me COVID-19, të cilat veç sa do të rriten ditëve në vijim, fillimi i procesit mësimor sot tre javë është në rrezik.

“Humbja e çdo dite të mësimit është dëm i pariparueshëm. Edhe për sektorin e shëndetësisë, rikthimi i vlugut të të hospitalizuarve do të ishte shkatërrues. Ekonomia në tërësi thjesht s'mund t'a përballojë një mbyllje tjetër totale. Kështu që, leni anash kandidaturat për zgjedhjet lokale, e filloni me masa më strikte, sa s’është vonë. As nuk guxojmë t'a paramendojmë një fushatë zgjedhore 30 ditore me numra të tillë të rasteve. Ne se kemi luksin të rrezikojmë e ta prodhojmë 'variantin' tonë. Lënia e respektimit të masave dhe vaksinimit në vullnetin e lirë qytetar, qartazi nuk është më strategji efektive. Desperate times call for desperate measures!”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat