Mal i Zi, 16 vjet i pavarur: kryeministri shqiptar, garanci e një shteti besnik ndaj Perëndimit!

Lajme

Mal i Zi, 16 vjet i pavarur: kryeministri shqiptar, garanci e një shteti besnik ndaj Perëndimit!

Më: 4 qershor 2022 Në ora: 12:35
Dritan Abazoviq

Mali i Zi përkujtoi 16 vjetorin e shkëputjes nga Serbia. Që përbën realisht një termin politik historik. Për të cilin ka një pjesë e publikut të Malit të Zi që i gëzohet, por ka edhe një pjesë tjetër që i hidhërohet, pasi do të donte të jetonte me Beogradin.

Megjithatë, ka një fakt që nuk kërkon koment; nëse nuk do të ishin shqiptarët, sot Republika e vogël fqinjë e Shqipërisë nuk do të ishte anëtare e NATO-s por një vasale e Beogradit dhe e Moskës.

Sot gjithashtu ka ndodhur e pamendueshmja; Mali i Zi ka një kryeministër shqiptar, Dritan Abazoviçin, një ulqinak me rrënjë e me degë, i cili politikisht po sfidon gjithë klasën politike të Ballkanit.

Sot ka marrë fund një përplasje e turpshme mes partive shqiptare dhe malazeze në Ulqin, që tentonin të pengonin që të zgjidhej udhëheqësia e komunës. Pas shumë sherresh, është zgjedhur kryetar i Kuvendit komunal Ardian Mavriqi i Forca-s së Genc Nimanbegut që ka lidhur një marrëveshje me Fillimin e Ri të Dritan Abazoviçit.

Pas këtij vendimi, pritet krejt qetësisht që Omer Bajraktari, të zgjidhet në krye të komunës. Ka një zhvillim interesant në konfigurimin politik të Ulqinit: pro pushtetit janë një parti shqiptare si Forca dhe një koalicion si Fillimi i Ri, ku natyrisht ka edhe parti malazeze. Por në opozitë është DPS e Gjukanviçit dhe të gjithë partitë proserbe.

Milo Gjukanoviç, mbahet ende, që e tregoi edhe në vizitën në Kosovë që është njeriu që ka siguruar Malin e Zi të pavarur, ka përkrahur sovranitetin e Kosovës në 1997, por dhe ka pranuar një numër të madh refugjatësh.

Përse Milo e bëri këtë gjest, se i dhimbeshin shqiptarët? Edhe mundet, por fakt ishte se në vitin 2006, shqiptarët ishin vendimtarë që Mali i Zi të fitonte pavarësinë e tij nga Serbia. Edhe pse pak në numër, pa shqiptarët, Podgorica sot nuk do ishte një kryeqytet, por një provincë e Serbisë.

Por a janë trajtuar shqiptarët siç duhet, duke qenë si pjesë konstituitive e Republikës së Malit të Zi? Përgjigja është po, megjithatë në logjikë edhe në ligj, nuk ka përse shqiptarët të kenë të drejta më shumë se serbët që shkojnë në 30% apo pakicat e tjera. E ky argument ka qenë pjesë e elaborimit që u kthye në një frustrim i të ashtuquajturave parti nacionale shqiptare që kërkonin vota në Ulqin e Tuz, ku realisht numri i zgjedhësve është i vogël.

Dritan Abazoviçi, është një politikan që nuk mori vota nga zonat etnike shqiptare, por nga i gjithë Mali i Zi, duke sjellë një platformë qytetare. Platformë që ka në thelb orientimin Perëndimor të Malit të Zi. Kjo devizë e tij e bëri zv.kryeministër në koalicionin proserb një vit më parë dhe kryeministër i Malit të Zi sot. Një zhvillim shumë i rëndësishëm, i arritur me përkrahjen e fortë të Uashingtonit dhe Berlinit.

Që i kanë dhënë besë një shqiptari që nuk luajti kurrë me nacionalizmin e ulët, por që ka një projekt për ta modernizuar vendin. E që realisht po  bëhet model ndër të gjithë shqiptarët në rajon…/Pamfleti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat