Dodik merret sërish me Kosovën - ja çfarë thotë për votimin e ambasadorit të Bosnjës në KiE

Lajme

Dodik merret sërish me Kosovën - ja çfarë thotë për votimin e ambasadorit të Bosnjës në KiE

Më: 25 prill 2023 Në ora: 08:50
Presidenti i Republikës Sërpska Milorad Dodik

Presidenti i Republikës Sërpska Milorad Dodik deklaroi se votimi i ambasadorit të Bosnjës në Këshillin e Evropës, ku u pranua aplikimi i Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë është siç tha ai “dëshmi e shkeljes së vazhdueshme të Marrëveshjes së Dejtonit dhe Kushtetutës së Bosnjës dhe Hercegovinës”.

“Nëse qëndrimi është i qartë se Kosova nuk njihet, atëherë të gjithë duhet ta trajtojnë kështu. Në Bosnjë dhe Hercegovinë për politikën e jashtme vendos Presidenca, kështu që ai vendim kërkonte edhe pëlqimin e të tjerëve. Ata nuk e respektojnë vetë dhe presin që të tjerët t’i respektojnë”, raporton RTRS.

Ai shtoi se ambasadori i Bosnjës ka votuar pa procedurën dhe pëlqimin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, në kundërshtim me procedurat e përcaktuara.

Komiteti i Ministrave të hënën ka miratuar me dy të tretat e votave aplikimin e Kosovës në KiE.

Bosnja, Greqia, Moldavia, Sllovakia dhe Ukraina ishin vendet që abstenuan në votimin e djeshëm në këtë organizatë evropiane, ndërsa, Armenia nuk votoi fare.

Më poshtë i gjeni vendet të cilat votuan pro pranimit të aplikimit të Kosovës në KiE:

Shqipëria, Andorra, Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Findlanda, Franca, Gjermania, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Monako, Mali i Zi, Holanda. Maqedonia, Norvegjia, Polonia, Portugalia, San Marino, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Turqia, Mbretëria e Bashkuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat