Trajkoviq: Intervenimi ushtarak nga Vuçiqi nuk do të jetë më i mundur

Lajme

Trajkoviq: Intervenimi ushtarak nga Vuçiqi nuk do të jetë më i mundur

Më: 7 tetor 2023 Në ora: 14:12
Rada Trajkoviq

Këshilltarja e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Rada Trajkoviq ka thënë se ka qenë e vështirë për të dita e 24 shtatorit kur ka pasur sulm të armatosur ndaj Policisë së Kosovës dhe humbjen e jetës së një polici nga Kosova.

“Ka qenë shumë e vështirë për mua kur ndodhen ato të shtëna në Banjskë, humbja e jetës së policit që ishte në vendin e tij të punës, që ishte duke e kryer detyrën e tij dhe natyrisht nga ana tjetër kishim hyrjen e Radojiçiqit me grupin e tij të cilët me veprimin e vet kanë rrezikuar sigurinë edhe të policisë, qytetarëve dhe të manastirit në Banjskë”, ka theksuar Trajkoviq në RTK.

Sipas saj, është me rëndësi të dihet se si Radojiçiqi ka arritur që të siguroi të gjitha ato armë, të dihen se cilat janë burimet e kontrabandimit dhe sigurimit të armëve, kush i ka ndihmuar në këtë aksion dhe të bëhet një hetim i një rëndësi më të gjerë.

“Tash a janë në gjendje organet në Serbi ta bëjnë këtë pa të cilat ai nuk do ta mund ta bënte fare pa BIA-në, pa shërbimet sekrete të cilat me siguri kanë pasur informata. Unë besoj se jo dhe ky proces nuk do të ishte i mirë po të mos ishte nën kontrolle ndërkombëtare”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, hyrja e Radojiçiqit në Kosovë e ka destabilizuar situatën në veri, si dhe të Kosovës në përgjithësi dhe të rajonit.

“Me të vërtetë ka shkaktuar frikë që konflikti do të shpërndahet nëpër rajon. Megjithëse me një aksion efikas të cilin e ka kryer Policia e Kosovës në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare dhe natyrisht me atë çfarë tani po bënë NATO-ja në kontekst të fuqizimit e forcave në Kosovë dua të besoj se problemi i intervenimit ushtarak dhe çfarëdo intervenimi tjetër nga ana e Vuçiqit nuk do të jetë më i mundur. Kur kam dëgjuar deklaratën e komandantit të KFOR-it që tha se fatkeqësisht as KFOR-i dhe as ushtria e Serbisë përkundër qëllimeve të mira që të parandalojnë futje të tilla nuk janë në gjendje të kontrollojnë të gjitha ato rrugë sekrete alternative joligjore, dhe në këtë kontekst konsideroj se marrëveshjet, bisedat, negociatat duhet të jenë realitet që nuk do të jetë gjithmonë në funksion të prezencës ushtarake dhe të sigurisë, por të një gjendje të lirisë së lëvizjes të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të pjesës tjetër të Serbisë që ka të bëjë me kthimin në tryezën e negociatave”, ka deklaruar Trajkoviq.

Duke folur për kërkesën e opozitës në Serbi që ka kërkuar që autoritetet atje ta ekstradojnë në Kosovë Milan Radojqiqin, Trajkoviq tha se ai ishte i qasshëm dhe shumë lehtë i kapshëm nga autoritetet e Kosovës.

“Radojçiqi pas vrasjes së Ivanoviqit disa herë ka qenë i qasshëm dhe shumë e lehtë ka qenë të izolohej dhe të arrestohej nga ana e organeve të sigurisë së Kosovës. Por e dimë që ai gjithmonë ka gjetur modalitete të nxirret dhe t’i mundësohet që të ikë nga Kosova”, ka theksuar ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat