Zgjedhjet në Serbi: Vuçiq pranon humbjen

Lajme

Zgjedhjet në Serbi: Vuçiq pranon humbjen

Më: 25 tetor 2026 Në ora: 07:41 Përditësuar në ora: 20:05 më 25.10.2026
Aleksandar Vuçiq

Qendrat e votimit në Serbi mbyllen në orën 20:00

Qendrat e votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi pritet të mbyllen në orën 20:00, kur përfundon edhe heshtja zgjedhore.

Në disa qendra votimi, ku pati ndërprerje të procesit të votimit, orari do të zgjatet për aq kohë sa zgjati ndërprerja.

Po ashtu, të gjithë personat që janë duke pritur në radhë para qendrave të votimit kanë të drejtë të votojnë edhe pas orës 20:00.

Dy policë të plagosur në një incident në Llazarevc, njofton MPB-ja e Serbisë

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë e dënoi ashpër sulmin ndaj zyrtarëve policorë, i cili ndodhi në mbrëmje në Llazarevc. Sipas saj, gjatë incidentit u plagosën dy policë.

“Gjatë këtij incidenti, një grup personash sulmoi fizikisht pjesëtarët e policisë, duke përdorur gurë, mjete piroteknike dhe sende të tjera të rrezikshme”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Pjesëtarët e MPB-së serbe, në bashkëpunim me prokurorinë kompetente, po ndërmarrin të gjitha masat ligjore për identifikimin dhe arrestimin e të gjithë personave të përfshirë në këtë sulm, thuhet në njoftim.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të përmbahen nga çdo formë e dhunës dhe agresionit, veçanërisht nga sulmet ndaj zyrtarëve policorë, në mënyrë që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë paqësore, të sigurt dhe në përputhje me ligjin.

Partia Demokratike Evropiane paralajmëron për provokime të mundshme pas votimit në Serbi

Partia Demokratike Evropiane (EDP), një parti panevropiane e qendrës, tha se po merr paralajmërime të përsëritura se persona të lidhur me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit mund të mobilizohen për të nxitur përplasje rreth orës 21:00 sonte, kur pritet të dalin projeksionet e para zgjedhore.

Në një postim në X, EDP-ja tha se studentët kërkojnë zgjedhje të lira e paqësore dhe një rezultat të përcaktuar nga vota. Sipas saj, "pjesëmarrja më e lartë rrit frikën e Vuçiqit nga humbja dhe rrezikun e provokimeve të qëllimshme."

“Vuçiqi dhe qeveria e tij kanë lejuar krijimin e një klime frikësimi dhe dhune. Ata mbajnë përgjegjësi të plotë politike për parandalimin e çdo përshkallëzimi të mëtejshëm”, shkroi EDP-ja.

EDP-ja shtoi se Vuçiqi duhet të mbahet përgjegjës nëse grupe të lidhura me SNS-në mobilizohen për të shkaktuar përplasje. Ajo kërkoi mbrojtje të menjëhershme policore për votuesit, kandidatët, studentët dhe vëzhguesit.

“E ardhmja e Serbisë duhet të vendoset me vota, kurrë me dhunë”, thuhet në postim.

Zgjedhjet parlamentare në Serbi, pjesëmarrja arrin në 67.6% deri në orën 19:00

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi janë karakterizuar nga një pjesëmarrje e lartë e qytetarëve në votim. Sipas të dhënave të publikuara nga IPSOS dhe Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), deri në orën 19:00 pjesëmarrja ka arritur në 67.6%.

Të dhënat janë bërë publike përmes llogarisë zyrtare të CeSID në platformën X, duke evidentuar një mobilizim të konsiderueshëm të elektoratit në këtë proces zgjedhor.

Më herët, Komisioni Republikan Zgjedhor i Serbisë kishte raportuar se deri në orën 18:00 pjesëmarrja ishte 64.89%, ndërsa nivelet më të larta të votimit ishin regjistruar në Vojvodinë dhe Beograd.

Krahasuar me zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të vitit 2023, të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme të pjesëmarrjes. Sipas IPSOS dhe CeSID, në zgjedhjet e mëparshme, deri në orën 18:00 kishin votuar 55.9% e qytetarëve me të drejtë vote.

Në zgjedhjet e këtij viti konkurrojnë gjithsej 18 lista zgjedhore. Procesi i votimit është shoqëruar gjithashtu me raportime për incidente në disa qendra votimi, duke ngritur shqetësime lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Në lidhje me këto zhvillime ka reaguar edhe Bashkimi Evropian, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, të ruajnë qetësinë dhe të shmangin çdo formë dhune apo provokimi.

Kamberi: Pasivizimi na pamundësoi mandatin e tretë

Bartësi i listës së Koalicionit Shqiptar në zgjedhjet parlamentare në Serbi, Shaip Kamberi, ka deklaruar se shqiptarët janë në garë për të siguruar mandatin e dytë, ndërsa pasivizimi i adresave ka ndikuar në humbjen e mundësisë për të fituar mandatin e tretë.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë, pak para mbylljes së vendvotimeve, Kamberi ka bërë të ditur se, sipas të dhënave preliminare të orës 19:00, në 37 vendvotime në Preshevë kishin votuar 16.600 qytetarë, ndërsa në vendvotimet shqiptare në Bujanoc 10.853 votues.

Ai ka thënë për televizionin publik se procesi zgjedhor ka vijuar përgjithësisht i rregullt, me disa parregullsi të vogla në fillim të votimit.

Sa i përket mundësisë për mandatin e dytë, Kamberi ka theksuar se rezultati varet edhe nga pjesëmarrja e përgjithshme në zgjedhjet në Serbi.

“Nëse shkon në 70%, siç po flitet, atëherë sigurisht do të kërkohen më tepër vota. Në rast të një rezultati 61–65%, kemi gjasa shumë reale ta kemi ulësen e dytë”, ka deklaruar Kamberi për RTK-në.

Duke folur për pasivizimin e adresave, ai ka thënë se personat e prekur nga ky proces janë larguar edhe nga regjistrat e votuesve.

“Kjo na ka sjellë në situatë që ne ta humbim mandatin e tretë që e kemi pretenduar”, ka deklaruar Kamberi, duke e cilësuar pasivizimin e adresave si pjesë të diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ai ka përmendur veçanërisht Medvegjën, ku, sipas tij, pasivizimi i adresave ka ndikuar në rezultatet zgjedhore të shqiptarëve.

Megjithatë, Kamberi ka vlerësuar mobilizimin e votuesve shqiptarë dhe ka falënderuar qytetarët që kanë ardhur nga Kosova për të ushtruar të drejtën e votës.

“Ditët e fundit të fushatës zgjedhore patëm reagime nga të gjitha anët e hapësirave shqiptare, që ishte një motivim shtesë për zgjedhësit tanë”, ka thënë ai.

Prokuroria në Beograd bën thirrje për uljen e tensioneve dhe përmbajtje nga dhuna

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje që të ulin tensionet mes tyre dhe të përmbahen nga sjelljet e papërshtatshme dhe të dhunshme.

“Theksojmë se institucionet kompetente do të reagojnë në mënyrë adekuate, në përputhje me ligjin, ndaj çdo përpjekjeje për prishjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe ndaj dhunës së çfarëdo lloji, para, gjatë ditës së zgjedhjeve dhe pas tyre”, thuhet në komunikatë.

Aty thuhet po ashtu se prokuroria po e përcjell nga afër situatën në Beograd gjatë ditës së zgjedhjeve dhe po koordinon punën e prokurorive themelore publike dhe të policisë, me qëllim që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë paqësore, në një atmosferë demokratike dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Serbisë.

Theksojmë se, një numër më i madh pjesëtarësh të policisë ndodhen brenda zonës së rrethuar të rrugës pranë Komisionit Republikan të Zgjedhjeve dhe Presidencës së Serbisë, në qendër të Beogradit.

​Muharrem Salihu: Në Medvegjë ka prani të madhe të forcave ushtarake serbe

Afaristi dhe veprimtari shqiptar, Muharrem Salihu, ka shprehur shqetësimin e tij për praninë e madhe të forcave ushtarake serbe në Medvegjë gjatë votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare sot në Serbi.

Salihu thotë se kjo është një pamje trishtuese dhe shqetësuese për të ardhmen e shqiptarëve në trojet e tyre autoktone.

“Sot votova në shkollën fillore “Zenel Hajdini”, në Tupallë, në vendlindjen time, për zgjedhjet parlamentare në Serbi. Ajo që pashë dhe përjetova sot nuk ishte thjesht një ditë zgjedhjesh. Në qendër të qytetit të Medvegjës kishte prani të madhe të forcave ushtarake serbe. Në qendrat e votimit, përfaqësimi i shqiptarëve në komisione ishte tejet i pakët, me një raport që, sipas vëzhgimit tim, arrinte afërsisht një me tetë në raport me përfaqësuesit e komuniteteve të tjera”.

Salihu ka përmendur pasivizimin masiv të adresave të shqiptarëve në Medvegjë, përmes të cilit shumë prej tyre janë privuar nga mundësia për të votuar.

“Pavarësisht se çfarë rezultati do të sjellin këto zgjedhje për jetën politike të Serbisë, një çështje mbetet thelbësore: Bashkimi Evropian dhe i gjithë faktori ndërkombëtar duhet t’ia bëjnë të qartë Beogradit se Serbia është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, jo vetëm i serbëve. Të gjithë duhet të ndihen të lirë, të barabartë dhe të sigurt, pa dallime etnike. Kjo vlen, para së gjithash, edhe për shqiptarët, të cilët janë popull autokton në këto troje. Medvegja nuk është thjesht një vend në hartë. Është histori, identitet, kujtesë dhe e drejtë për të jetuar të lirë në vendin tënd. Sot votuam për të dëshmuar praninë tonë. Nesër duhet të vazhdojmë të kërkojmë të drejtat tona me këmbëngulje, dinjitet dhe vendosmëri, sepse prania jonë nuk mund të fshihet me një vendim administrativ dhe të drejtat tona nuk mund të zhduken me pasivizimin e adresave. Medvegja meriton drejtësi. Shqiptarët e Medvegjës meritojnë barazi dhe dinjitet!”

Idro Seferi jep detaje për daljen e shqiptarëve në zgjedhje në Preshevë

Gazetari shqiptar, Idro Seferi, ka bërë të ditur se deri në orën 14:00, në Preshevë kanë votuar rreth 9 mijë e 200 qytetarë, apo 20 për qind e votuesve.

Përmes një postimi, Seferi ka theksuar se pjesëmarrja është më e ulët krahasuar me nivelin e përgjithshëm në Serbi, duke e lidhur këtë edhe me numrin e madh të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit.

Ai ka vënë në pah rëndësinë e pjesëmarrjes masive të shqiptarëve në zgjedhje, duke theksuar se kjo është jetike për përfaqësimin e tyre në Kuvendin e Serbisë.

Postimi i plotë:

Ne Presheve kane votuar 9200 apo 20% deri ne oren 14.00. Numri eshte shume me i vogel se ne nivel te Serbise, por e kuptueshme. Nje pjese e madhe jetojne jashte. Nuk jam i sigurt nese shqiptaret jane regjistruar ne ambasada te Serbise si diaspora serbe. Gjithsesi, per shqiptaret eshte jetike pjesemarrja masive qe te perfaqesohen ne kuvend pasi nuk mjafton vetem bashkimi i partive.

Përleshje në Beograd, një grua dërgohet në spital

Një përleshje tjetër ka ndodhur në ditën e sotme të zgjedhjeve parlamentare në Serbi.

Incidenti në rrugën "Dushanova", në lagjen Dorqol në Beograd, pranë picerisë "Cezar", një vend që u bë i njohur gjatë periudhës zgjedhore, dhe pronari i lokalit ka qenë i përfshirë në konflikt.

Dëshmitarët thanë se një grua është lënduar gjatë një konflikti verbal që ka përshkallëzuar në përleshje fizike rreth orës 14:00, dhe supozohet se ajo është dërguar në spital me ambulancë.

Personat e përfshirë raportohet se ishin të pakënaqur me veprimtaritë që dyshohet se zhvilloheshin brenda picerisë. Ata u përpoqën të filmonin pronarin, gjë që çoi në një konfrontim në të cilin mori pjesë edhe vetë pronari.

Automjete të policisë rrugore ndodhen aktualisht në vendngjarje, ndërsa njësi policore ndërhyrëse janë nisur nga selia e Komisionit Republikan Zgjedhor (RIK) në përgjigje të incidentit.

Sipas N1, për momentin nuk është e qartë nëse personi i lënduar është banor i zonës apo anëtar i njërit prej këtyre ekipeve.

Gjatë ciklit të mëparshëm zgjedhor, aktivistë të opozitës ngritën dyshime të bazuara se kjo piceri përdorej për të mbajtur lista "paralele" votuesish.

​Zgjedhjet në Serbi, përballje mes qytetarëve në Novi Sad - një burrë kërcënon të nxjerrë armën

Një përballje mes dy grupeve të qytetarëve ka ndodhur sot në Klisa të Novi Sadit.

Sipas Lëvizjes Qytetare Bravo në rrjetet sociale, incidenti u shkaktua nga zbulimi i disa personave që kishin në zotërim një "listë të dyfishtë" (një listë votuesish të paautorizuar).

Bravo njoftoi në platformën X, se disa individë u "kapën" me një listë të dyfishtë në një qendër votimi në shkollën fillore "Dushko Radoviq" në lagjen Klisa, ku disa persona u përpoqën të hapnin dyert e një veture, ndërkohë që një burrë ka kërcënuar se do të nxjerrë armën.

Bravo deklaron se qendra e votimit pranë vendit ku ndodhi incidenti po monitorohet nga vëzhgues dhe mbikëqyrës të procesit zgjedhor, gjë që e bën të pamundur manipulimin e zgjedhjeve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat