Zgjedhjet në Serbi: Vuçiq pranon humbjen

Lajme

Zgjedhjet në Serbi: Vuçiq pranon humbjen

Më: 25 tetor 2026 Në ora: 07:41 Përditësuar në ora: 15:15 më 25.10.2026
Aleksandar Vuçiq

​Tensione në zgjedhje, sulmues të maskuar rrahin një grup të rinjsh në Pançevë

Një grup burrash të maskuar kanë sulmuar disa të rinj para një qendre votimi pranë Shkollës Bujqësore në Pançevë.

Fytyra e njërit prej të rinjve është mbuluar me gjak si pasojë e një goditjeje, raporton portali lokal Pancevo.city.

Ai dhe disa të rinj të tjerë janë sulmuar në rrugë, përballë Shkollës Bujqësore, ku ndodhet një qendër votimi, nga një grup burrash të veshur me të zeza, me kapele dhe maska në fytyrë.

Sipas policisë, incidenti nuk është raportuar zyrtarisht dhe efektivët kanë marrë dijeni për të përmes mediave.

Sot në Serbi po mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe janë regjistruar incidente në disa qendra votimi. Sipas të dhënave nga CeSID, deri në orën 11:00 ishin regjistruar 120 parregullsi.

Vuçiqi mobilizon votuesit nga Kosova për SNS-në, 100 euro për votë dhe shpenzimet e paguara

Pjesëtarë të komunitetit RAE dhe qytetarë serbë nga Kosova kanë deklaruar në kushte anonimiteti, se po përballen me presione dhe kushtëzime për të votuar për Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në zgjedhjet në Serbi.

Sipas burimeve anonime të KosovaPress-it nga Plemetini po organizohet transport i paguar drejt Serbisë. Sipas një qytetari i cili ka treguar, se një autobus që kishte transportuar një grup të këtij komuniteti është kthyer sërish për të marrë grupin e dytë.

I njëtjti ka deklaruar se po u mbulohen shpenzimet e udhëtimit dhe u premtohen nga 100 euro për votimin për SNS-në, me pagesën që, sipas pretendimeve, bëhet pasi të përfundojë votimi.

Media mëson nga burimet brenda institucioneve të sigurisë se ka raste kur serbët që jetojnë në Kosovë po kushtëzohen me ndihmat që marrin, ndërsa ndaj tyre po ushtrohen presione dhe shantazhe për të votuar për partinë e Vuçiqit.

“Paratë për këto pagesa janë siguruar nga Milan Radoiçiq. Mesazhet kërcënuese, presionet dhe shantazhet ndaj votuesve në Kosovë po përcillen nga struktura ilegale serbe dhe përfaqësues të Listës Serbe”. Sipas të njëjtit, këto struktura po thirren në emër të terroristit Milan Radoiçiq dhe të së ashtuquajturës, Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Në organizimin e procesit në Serbi dhe në zonën kufitare janë përfshirë pjesëtarë të grupit të lidhur me të, të cilit i referohen si “MC”.

Poashtu votuesit janë udhëzuar se si të votojnë dhe u është thënë se ekzistojnë mekanizma për të verifikuar nëse ata kanë votuar për SNS-në.

Kujtojmë se më herët janë ngritur shqetësime për regjistrin e votuesve të Serbisë. Burimet konfirmojnë se ka një rritje prej më shumë se 20 mijë personash të regjistruar si votues nga Kosova.

Krejt këto, sipas burimeve, po shfrytëzohen nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq për të mobilizuar votuesit nga Kosova në mbështetje të SNS-së, në një kohë kur në Serbi është zhvilluar lëvizja studentore që kërkon ndryshime politike.

Nagip Arifi voton, fton qytetarët të dalin në votime

Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Nagip Arifi, ka votuar në zgjedhjet parlamentare që po mbahen sot në Serbi.

Pas përfundimit të obligimit të tij qytetar, Arifi u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe të marrin pjesë sa më masovikisht në procesin zgjedhor.

Partia Demokratike, e drejtuar nga Arifi, është njëra nga subjektet politike shqiptare që ka nënshkruar marrëveshjen e koalicionit për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet parlamentare në Serbi.

Koalicioni shqiptar synon të përfaqësojë interesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Kuvendin e Serbisë.

Zgjedhjet në Serbi, deri në ora 12:00 kanë votuar 34,55 për qind

Branko Josipoviq, drejtor i Entit Republikan të Statistikave, deklaroi se deri në orën 12:00 kanë votuar 34,55 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në Serbi.

Në rajonin e Vojvodinës kanë votuar 38,08 për qind, në Shumadi dhe Serbinë Perëndimore 32,56 për qind, në Serbinë Jugore dhe Lindore 31,96 për qind, ndërsa në Beograd 35,23 për qind.

Në zgjedhjet e vitit 2023, pjesëmarrja deri në orën 12:00 ishte 21,33 për qind.

Partitë politike shqiptare të Luginës po garojnë në një listë të përbashkët për zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi.

Koalicioni Shqiptar ka numrin rendor 17.

Bashkimi i të gjitha partive politike shqiptare në Luginë, kurdo që ka ndodhur, është përkthyer në rezultat më të mirë zgjedhor, dhe përfaqësim më të madh në numër në Kuvendin me 250 ulëse të Serbisë. Por, kur nuk ishin bashkë, i vetmi që zakonisht i përfaqësonte viteve të fundit ishte Shaip Kamberi.

Për herë të parë, në vitin 2020, u bënë bashkë të gjitha partitë shqiptare të Luginës së Preshevës dhe garuan në një listë të vetme. Ishte hera e parë gjithashtu që u siguruan tri ulëse nga shqiptarët në Parlamentin e Serbisë.

Për 250 vendet e deputetëve në Kuvendin e Serbisë do të garojnë gjithsej 2.418 kandidatë nga 18 lista zgjedhore. Pragu për hyrje në parlament është tre për qind, ndërsa për listat e komuniteteve vlen pragu natyror.

Sinani me thirrje për qytetarët: Dilni sot votoni, është ditë jetike për shqiptarët e Luginës

Të drejtën e votës e ka shfrytëzuar edhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.

Sinani ka thënë se dita e sotme është vendimtare dhe jetike për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe i ka ftuar qytetarët të mos hezitojnë dhe të dalin të votojnë.

Sinani: Dilni votoni, është ditë jetike për shqiptarët e Luginës

“Unë ftoj masivisht qytetarët të dalin sot, të shfrytëzojnë të drejtën e votës. Dita e sotme është vendimtare është jetike për të ardhmen, jo vetëm të të rajonit por kryesisht për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Andaj mos hezitoni, dilni me të gjithë anëtarët e familjes dhe përgjigjuni ditës së sotme”, tha Sinani.

Ajo e ka cilësuar këtë proces edhe si referendum në vete.

Sinani: Ky process është referendum në vete

Video:

“Sot ky proces zgjedhor mendoj se është referendum në vete, andaj dilni masovikisht”, tha Sinani.

Gjatë ditës së sotme po mbahen zgjedhjet në Serbi, e ku po marrin pjesë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.

Kamberi: Të gjithë qytetarët të votojnë, është obligim moral e kombëtar

Shaip Kamberi ka votuar në vendlindjen e tij në Tërnoc të Preshevës. Kamberi është bartësi i listës “Koalicioni Shqiptar” në zgjedhjet e sotme që po mbahen në Serbi.

Kamberi ka ftuar të gjithë qytetarët shqiptarë të votojnë dhe të shfrytëzojnë këtë të drejtë demokratike.

Kamberi: Të gjithë qytetarët të votojnë, është obligim moral e kombëtar

“Ne kemi përmbushur pjesën tonë të përgatitjeve për këto zgjedhje, tash e kryva edhe detyrën time qytetare. Ajo që pres nga qytetrët, banorët e Tërnocit por dhe gjithë Luginës së Preshevës duhet të shfrytëzojnë në mënyrë masive të drejtën e tyre për të votuar, Është e drejtë demokratke që askush nuk mund të cenojë. Është obligim moral, edhe kombëtar, edhe politik që të kryejë këtë detyrë dhe të marrë pjesë në zgjedhje”, tha Kameri.

Merret vesh se në Preshevë, deri në orën 10:00 kanë votuar 1090 qytetarë ose 2.5 për qind e popullatës rezidente.

Gjatë ditë së sotme, në qendrat e votimit në Preshevë kanë qenë të pranishme edhe trupat e OSBE-së për të monituruar procesin.

Në mandatin e kaluar, Kamberi ka qenë deputet në Kuvendin e Serbisë. 

Radhë të gjata para vendvotimeve në Serbi, rreth 20% pjesëmarrje deri në orën 10:00

Pjesëmarrja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi arriti në 19,8 për qind deri në orën 10:00, sipas misionit vëzhgues CRTA – më shumë se dyfishi krahasuar me të njëjtën orë në zgjedhjet e vitit 2023, kur ishte 9,8 për qind. Votimi këtë të diel, më 25 tetor, po zhvillohet me radhë të gjata para vendvotimeve dhe raportime të vëzhguesve për parregullsi, shkruan REL.

Në këto zgjedhje, të tretat parlamentare në pesë vjetët e fundit, një lëvizje studentore e dalë nga një nismë qytetare po synon t’i japë fund pushtetit 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit dhe Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

Sipas CRTA-s, vendvotimet në mbarë Serbinë u hapën kryesisht në kohë. Ndërkohë, Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID) njoftoi se deri në orën 09:00 janë raportuar më shumë se 70 parregullsi gjatë votimit.

Sipas kësaj organizate, janë evidentuar raste të fotografimit të fletëvotimeve, përdorimit të telefonave, votimit jashtë kabinave dhe votimit familjar, përfshirë një raportim se një votues ka votuar në emër të një personi tjetër.

Janë raportuar gjithashtu përplasje mes anëtarëve të këshillave të vendvotimeve, ndërprerje të përkohshme të votimit, incidente dhe kërcënime ndaj votuesve, si dhe probleme me materialin zgjedhor dhe verifikimin e votuesve.

“Veçanërisht shqetësues është pengimi i qasjes së vëzhguesve. Në disa vendvotime, vëzhguesve nuk u është lejuar qasja, ndaj duhet të kontaktojmë autoritetet përgjegjëse dhe të ndërhyjmë që ata të mund ta kryejnë punën e tyre”, tha CeSID-i.

Edhe CRTA raportoi se vëzhguesit e saj fillimisht nuk u lejuan të hynin në disa vendvotime në pjesë të ndryshme të Serbisë, por shtoi se këto raste u zgjidhën pas ndërhyrjes së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve. Sipas këtij misioni, në të gjitha vendvotimet, thasët me materialin zgjedhor ishin mbyllur sipas rregullave, me vula sigurie.

Vendvotimet janë të hapura nga ora 07:00 deri në orën 20:00, ndërsa të drejtë vote kanë 6.450.523 qytetarë. Votimi po zhvillohet në 8.392 vendvotime, prej të cilave 93 ndodhen jashtë vendit.

Vuçiq dha dorëheqje nga posti i presidentit në fund të shtatorit. Meqë nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë, ai tani synon të bëhet kryeministër, post që e mbajti nga viti 2014 deri kur u zgjodh president, më 2017.

Megjithatë, fushata zgjedhore është shoqëruar me shqetësime gjithnjë e më të mëdha se mund të ketë manipulime zgjedhore.

Zgjedhjet po ndiqen nga afër nga Bashkimi Evropian, i cili e ka kritikuar Serbinë për prapakthim në demokraci nën udhëheqjen e Vuçiqit.

Rezultat i pasigurt

Në një klimë përçarjesh të thella dhe tensionesh shoqërore, Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Vuçiqit synon ta ruajë pushtetin pas dy vjetësh protestash masive kundër Qeverisë dhe korrupsionit në mbarë vendin.

Por, për herë të parë në shumë vjet, ajo përballet me një sfidues të vërtetë: Listën Studentore, një lëvizje e dalë nga këto protesta.

“Këto janë zgjedhjet e para në më shumë se një dekadë, rezultati i të cilave është vërtet shumë i pasigurt”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) Vladimir Bilçik, ish-raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë.

Sondazhet e deritanishme tregojnë se elektorati në Serbi është kryesisht i ndarë mes atyre që mbështesin një koalicion të gjerë të ndërtuar rreth partisë në pushtet dhe atyre që përkrahin lëvizjen studentore.

Vëzhguesit e OSBE-së për zgjedhjet në Serbi: Pjesëmarrja e lartë është shenjë e mirë

Vëzhguesit e ODIHR-it po monitorojnë gjithashtu zgjedhjet në Serbi. Koordinatori Special i OSBE-së për misionin e vëzhgimit afatshkurtër, Gilles Baum, thotë se pjesëmarrja e lartë është një shenjë e mirë për vendin. Kryetarja e misionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Federica Honori, theksoi se jo të gjitha rekomandimet e ODIHR-it u ndoqën.

Në një konferencë për shtyp, Gilles Baum tha se këto zgjedhje të parakohshme parlamentare janë të rëndësishme për Serbinë.

"Kemi vënë re se ka shumë interes për këto zgjedhje dhe do të thoja se pjesëmarrja e lartë tregon se njerëzit në Serbi janë shumë të interesuar në formësimin e së ardhmes dhe demokracisë së tyre. Kur shumë veta shkojnë të votojnë, kjo është një shenjë e mirë për vendin", tha ai.

Federica Honori, e cila është gjithashtu deputete italiane, thotë se rreth 70 anëtarë të këtij misioni po monitorojnë zgjedhjet në të gjithë Serbinë, se ky mision do të ketë të gjitha detajet sot dhe se do të shpallë gjetjet e tij në një konferencë nesër në Metropol në orën 15:00.

Ajo theksoi se rekomandimet e ODIHR-it janë përmbushur, por jo plotësisht, kryesisht ato që lidhen me sigurinë e gazetarëve dhe përdorimin e fondeve publike për shpenzime fushate dhe qëllime politike.

Bom shtoi gjithashtu se misioni i ODIHR-it u takua me dy parti kryesore politike, Listën e Studentëve dhe listën e Serbisë së Bashkuar, dhe se të dy grupet, tha ai, i thanë se do t'i njihnin rezultatet e zgjedhjeve kur ato të shpalleshin.

Ju kujtojmë se sot në Serbi po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare po mbahen sot në Serbi, dhe qendrat e votimit janë të hapura nga ora 7:00 e mëngjesit deri në orën 20:00 të mbrëmjes, sipas orarit.

6,451,292 votues kanë të drejtë vote , dhe zgjedhjet po mbahen në 8,392 qendra votimi , nga të cilat 29 janë në burgje dhe 93 jashtë vendit në 37 vende, ku ka 102,147 votues.

Një total prej 2,418 kandidatësh nga 18 lista zgjedhore, gjysma e të cilave kanë statusin e listave të pakicave, do të garojnë për 250 vende parlamentare në Parlamentin e Serbisë . Pragu për hyrje në parlament është tre përqind, ndërsa pragu natyror zbatohet për listat e pakicave kombëtare.

Sipas informacionit nga GIK, votimi u pezullua në qendrën e votimit nr. 3 në Kraljevo sepse një faqe me votuesit e regjistruar mungonte në listën e votuesve.

Votimi rifilloi kur mbërriti lista e plotë e votuesve të regjistruar në këtë qendër votimi.

Votojnë shqiptarët në Preshevë

Qytetarët shqiptarët po votojnë në qendrat e votimit në Preshevë.

Disa prej tyre i’u kanë drejtuar shkollës ‘Ibrahim Kelmendi”.

Sot në Serbi po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku qytetarët do të votojnë për përbërjen e re të Kuvendit të Serbisë.

Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në 20:00 dhe në fletëvotim do të jenë gjithsej 18 lista zgjedhore.

Ndërkohë, është hera e parë që shqiptarët garojnë në një listë zgjedhore të përbashkët në zgjedhjet e Serbisë.

Pajaziti voton: Të kemi sa më shumë përfaqësues shqiptarë në Parlament

Nga: A.M.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka votuar në zgjedhjet që po mbahen në Serbi, duke bërë thirrje që qytetarët të dalin sa më masivisht në votime.

Përmes një postimi në Facebook, Pajaziti ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në këtë proces zgjedhor, me synimin që shqiptarët të kenë sa më shumë përfaqësues në Parlamentin e Serbisë.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar, duke vënë theksin te rëndësia e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet parlamentare të Serbisë.

Postim i plotë:

Sot votova, me dëshirën që zëri i shqiptarëve të jetë sa më i fuqishëm dhe të kemi sa më shumë përfaqësues shqiptarë në Parlament.

Ftoj të gjithë qytetarët që të dalin sa më masivisht dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Çdo votë ka rëndësi!



comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat