Ndarja e vauçerëve, sqarohet zv/drejtori Rustemi

Maqedonia

Ndarja e vauçerëve, sqarohet zv/drejtori Rustemi

Më: 14 shkurt 2021 Në ora: 11:26
Avni Rustemi

Zëvendësdrejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport (ARS), Avni Rustemi përmes një statusi në Fejsbuk është sqaruar lidhur me ndarjen e vauçerëve për sportistët.

Ja postimi i plotë:

Më lejoni që për hirë të korrektësisë dhe transparencës të ftoj në formë publike të gjithë ata që kanë dyshime në procesin e ndarjes të vauçerëve për Federatat Nacionale, klubet e sportit dhe sportistët aktiv në sportet individuale dhe kolektive për konsultim të përbashkët dhe për të zgjidhur shqetësimet e tyre kundrejt padrejtësive, gjithmonë nëse ekzistojnë në këtë mes.

Qytetarët dhe sportistët kanë të drejtë absolute të informohen për punën tonë dhe për formën e ndarjes të vauçerëve, ndërsa ne e kemi detyrë dhe obligim të jemi transparent ndaj tyre.

Nuk mund të thuhet se ka diskriminim etnik në ndarjen e mjeteve, por për fat të keq ekzistojnë disa disiplina sportive ku nuk tregohet interes për formimin e klubeve nga shqiptarët, për këtë arsye detyra jonë është që të inkurajojmë palët e interesuara për formimin e klubeve ku ka më pak interes.

Ndërsa rënia e vlerës së vauçerëve për klubet e sportit krahasuar nga viti i kaluar është si pasojë se këtë vit janë dyfishuar përfituesit e vauçerëve nga kjo masë përkrahëse, që ndryshe e thënë, ka rritje të numrit të klubeve të sportit që kanë përfituar vauçerë nga vlera e njëjtë totale, por që janë shfrytëzues për herë të parë të vauçerit.

Vlera e përgjithshme e vauçerëve të shpërndarë është 10.000.000 euro. Ndarja e vauçerëve realizohet sipas renditjes apo rang listës dhe pikëve të vlerësuar nga Federatat në vend. Verdiktin përfundimtar e jep Komisioni për vauçerë i formuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut sipas normave dhe vlerësimeve nga Federatat. Agjencia për rini dhe sport, nuk përcakton pikët përfituesit e vauçerëve, por ajo është rrjedhojë që fillon me Federatat sportive dhe përfundon me Komisionin për vauçer.

Agjencia për rini dhe sport i ka dyert e hapura për të gjithë. Ne duam bashkëpunim të ngushtë me sportin pasi ata janë partnerët tanë dhe për këtë arsye kritikat ndaj nesh nuk janë armiqësi, përkundrazi janë të dobishme për ne si institucion.

Ne investojmë për gjeneratat e ardhshme dhe për përmirësimin e standardit të sportit dhe rekreacionit në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat