Zaev: Në BE, jo me çmimin e identitetit dhe gjuhës

Maqedonia

Zaev: Në BE, jo me çmimin e identitetit dhe gjuhës

Më: 5 maj 2021 Në ora: 15:41
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Fotografi nga arkivi.

“Bashkimi Evropian nuk na duhet nëse çmimi për këtë të ishte heqja dorë nga gjuha dhe identiteti maqedonas, pasi do të bëhemi sikur pluhuri i zhdukur në ajër dhe s’do të ketë kush të hyjë në Bashkimin Evropian”. Kështu ka deklaruar kryeministri maqedonas, Zoran Zaev duke komentuar deklaratën e komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, të martën në Shkup se nisja e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në varet nga marrëveshja e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.

Maqedonia e Veriut, tha Zaev, kërkon ndihmën e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për heqjen e bllokadës bullgare dhe nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në. Por, në anën tjetër, kryeministri maqedonas theksoi përkushtimin për vazhdimin e negociatave me Sofjen për kapërcimin e mosmarrëveshjeve bazuar në vlerat evropiane.

“Edhe pse me gjasë Bullgaria do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare, unë shpresoj se do të mund të arrijmë një marrëveshje me qeverinë e përkohshme të ekspertëve…Ne kemi arritur edhe marrëveshje tjera të mëdha, duke mbrojtur veçoritë tona kombëtare, pasi kemi të bëjmë të drejtën e vetpërcaktimit. Nuk mund të ketë asnjë marrëveshje që do të përcaktonte identitetin apo gjuhën tonë. Kjo është në kundërshtim edhe me parimet dhe vlerat evropiane”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov ka theksuar gatishmërinë për vazhdimin e bisedimeve, por në anën tjetër, ai ka kërkuar angazhim më të madh nga BE-ja, meqë siç ka thënë, “njerëzit në Maqedoninë e Veriut janë lodhur nga ky debat i gjatë dhe premtimet e njëjta pasi kanë kaluar 20 vjet nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe ende jemi në pritje të nisjes së bisedimeve”.

Duke komentuar deklaratën e komisionerit për Zgjerim dhe Fqinjësi të BE-së, Oliver Varhelyi, i cili nuk ka përjashtuar mundësinë që bisedimet e anëtarësimit të nisin vetëm me Shqipërinë dhe jo njëkohësisht me dy vendet siç ishte thënë më parë, Dimitrov tha se nuk beson se kjo do të ndodhë.

“Komisioni Evropian në nëntor të vitit të kaluar propozoi nisjen e bisedimeve me dy shtetet (v.j. Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë). Topi tani është te shtetet anëtare dhe mesazhet nga këto shtete tani po i dëgjojmë. Austria tha se dëshiron dy konferenca ndërqeveritare. Para disa ditësh kjo u tha edhe nga Çekia, ndërsa të njëjtën e bëri të ditur nga Brukseli edhe shefi i diplomacisë gjermane (Heiko Maas). Kështu që kemi një numër të madh të shteteve anëtare që duan dy konferenca apo nisjen e bisedimeve me dy shtetet njëkohësisht”, ka deklaruar Dimitrov.

Muhamed Halili, ish-diplomat dhe njëherësh kryetari i Këshillit të Ambasadorëve, thotë se Maqedonia e Veriut duhet të arrijë marrëveshje me Bullgarinë, duhet të gjejë një kompromis sado që, sipas tij, realiteti mund të jetë i hidhur.

Halili nuk pret që të ketë ndarje të Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria sa i përket nisjes së bisedimeve, por gjithashtu nuk pret që bisedimet për anëtarësim të nisin në muajin qershor.

Deklaratën e kryeministrit Zaev se pret marrëveshjen me një qeveri teknike në Bullgari, ish-diplomati Muhamed Halili, e vlerëson si përpjekje për të zbutur problemin.

“Çdo qeveri merr përsipër rrezikun dhe të arriturat, por në politikë rreziku është më i rrezikshëm për forcat politike sesa të arriturat, ka efekte më negativ dhe asnjë qeveri teknike, e cila formohet për shkaqe dhe qëllime të caktuara, për shembull si të shkohet në zgjedhje të reja në Bullgari, nuk ka atë kapacitet, pasi vetëm qeveritë politike mund të arrijnë marrëveshje fuqiplote dhe të qëndrueshme”, deklaroi Halili.

Bullgaria, në nëntor të vitit 2020, ka bllokuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, duke e kushtëzuar me arritjen e marrëveshjes në lidhje me kërkesat e saj për identitetin dhe gjuhën maqedonase.

Sofja nuk e konteston identitetin maqedonas pas vitit 1945, por kërkon nga Shkupi që të pranojë se gjuha dhe identiteti, para kësaj periudhe, kanë pasur “rrënjë bullgare”./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat