Fushata e dytë në pandemi, askush nuk u dënua

Maqedonia

Fushata e dytë në pandemi, askush nuk u dënua

Më: 15 tetor 2021 Në ora: 19:01
Fushatat në pandemi

Përpara se të nisë fushata, liderët e partive premtuan se do të ketë mbledhje modeste për shkak të pandemisë, duke respektuar të gjitha masat për mbrojtje nga virusi korona, po pamjet flasin ndryshe!

Pa maska, pa distancë, me përqafime e shtrëngim duarsh, disa të pavaksinuar, në hapësira të hapura e salla të mbyllura u realizua pothuajse e gjithë fushata parazgjedhore në vendin tonë. Ndonëse deri para disa muajsh qindra qytetarë dënoheshin për mosmbajtje të maskave në ambiente të hapura, përgjatë fushatës nuk u gjobit askush. Pjesëmarrës në mitingje ishin edhe vetë të parët e Shëndetësisë, Filipçe dhe Hasani. Para 10 ditëve kur e pyetëm ministrin e Shëndetësisë se a do të reagojë në lidhje me mosrespektimin e protokolleve, e pranoi gabimin dhe u zotua se do të kërkojë që të respektohen protokollet, por në terren vazhdoi i njëjti avaz.

“Absolutisht vërejtjen e keni me vend, që sot do të gjej mënyrë që t’i rekomandoj të gjitha partive politike. Me vend është kjo që po e thoni dhe nuk dua të ik nga përgjigja, por vetëm dua të ju tregoj se si është momentalisht situate reale”, tha Filipçe më 04.10.2021.

Për shkak të tubimeve masive, mjekët paralajmërojnë pasoja që do të ndikojnë në rritjes e numrit të të infektuarve me virusin korona.

“Këto janë ngjarje të mëdha epidemiologjike dhe çdo ngjarje e organizuar jashtë protokolleve do të jetë rrezik shtesë për përhapjes e pandemisë. Apeloj te ata që bëjnë këto organizime të ngjarjeve të këtilla duhet të kenë kujdes posaçërisht në protokollet që kontrollojnë transmisionin e virusit, që situata të mos eskalojë, pikërisht për shkak të sjelljes së këtillë”, deklaroi Zllate Mehmedoviq, mjek më 30.09.2021.

E kryeministri Zoran Zaev fajin për mosrespektim të distancës dhe rregullave tjera ua pati lënë simpatizantëve të paparashikuar të cilët i bashkohen tubimeve partiake.

Përndryshe protokollet për mbrojtje nga Covid-19 thonë se nëse ka tubime masive dhe nëse distanca nuk mund të respektohet, qytetarët duhet të mbajnë maska.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat