Vjosa Osmani është unike në politikën e sotme shqiptare!

Opinione

Vjosa Osmani është unike në politikën e sotme shqiptare!

Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Më 25 mars 2021 Në ora: 23:08
Vjosa Osmani

Kam dëgjuar nga personalitete të ndryshme në Kosovë se "Vjosa është karrieriste"! E thonë këtë edhe akademikë dhe njerëz të spikatur të kulturës, por e artikulojnë me shumë zili dhe pabesi disa politikanë që shohin te ajo njeriun e pakonkurrueshëm në politikë. Kjo shpjegohet me faktin se në miniaturë edhe në Kosovë është ngjizur metodologjia sllavo-komuniste e manipulimit të opinionit publik në denigrim të figurave emblematike të kombit shqiptar. Them në Kosovë, sepse Shqipëria është prej vitit 1944 zonë e njohur e metodave të KGB-së dhe UDB-së për amplifikimin e mjeteve dhe praktikave denigruese, shpifëse dhe propagandës anti-kombëtare!

Ndërkaq, duhet ditur se politikanët merren me politikë pikërisht për të bërë karrierë politike. Unë nuk do të doja kurrë të mbështesja e të votoja një politikan (e) që nuk ka ambicie dhe nuk lufton për karrierë dhe për pushtet. Politika ndaj është krijuar. Por ndërkohë do të doja të votoja një politikan (e) që nuk e synon pushtetin për interesat e veta vetjake. E synon atë për interesat e atdheut, kombit dhe qytetarëve. Politikanë jo karrieristë kemi parë jo pak. Por ata e kanë përdorur pushtetin për të kënaq shijet e tyre. Tipik prej tyre ishte Fatos Nano, një ish-kryeministër, i cili në ushtrimin e detyrës së tij kishte si hobi alkoolin dhe bixhozin!

Sali Berishën mund ta konsiderojmë një politikan "karrierist"! Por edhe një politikan që karrierën e tij e shfrytëzoi për të lënë vepra të pashlyeshme për popullin e vet. Edi Ramën mund ta marrim si shembull të politikanit karrierist! Por një politikan karrierist që politikën dhe pushtetin e përdori në 23 vite të karrierës së tij thjesht për egon e vet, për interesat e veta, për interesin partiak, për ushtrimin e arrogancës dhe përfitime në pasuri! Si i tillë, ai njësoj si diktatori Hoxha, iu drejtua ndihmës se Beogradit për të konsoliduar pushtetin e vet në Shqipëri.

Të jesh karrierist në politikë ose në shkencë, apo në profesion, do të thotë të jesh ambicioz, të luftosh për të kapur objektiva konkrete, për të konkurruar më të mirin e më të aftin me qëllim për t'i shërbyer shoqërisë. Ndërsa kur dikush bëhet ambicioz për t'i shërbyer egos së tij, atëherë politikani nuk vjen në pushtet dhe nuk e përdor pushtetin për t'u shërbyer njerëzve, qytetarëve, shoqërisë, por për t'i shërbyer vetes dhe tarafit të tij! Në Shqipëri, Kosovë e shqiptarët në Maqedoni ka shembuj të shumtë të kësaj kategorie.

Por Vjosa Osmani është unike në politikën shqiptare sa i përket pikëpamjeve, qëndrimeve, principeve për t'i shërbyer vendit e qytetarëve të saj. Ajo e ka dëshmuar veten si politikania e sotme më e aftë për të qenë në krah të Kosovës dhe të drejtës së saj për shtet formim e shtet ndërtim. Pas Ibrahim Rugovës, Vjosa Osmani në perceptimin tim, është politikania më e përkushtuar për shtetësinë dhe ardhmërinë e vendit të saj.

Të gjitha deklarimet e saj, fjalimet, bisedat, komunikimet me liderë politikë shqiptarë në rajon si dhe diplomatë të huaj, intervistat dhe konferencat për media që ajo ka mbajtur në këto vitet e fundit dëshmojnë për përkushtimin e pashembullt për të mbrojtur interesat e vendit e të qytetarëve të saj! Rrallë politikan në Kosovë është dëshmuar konsistent siç e ka dëshmuar veten e saj Vjosa Osmani. Rrallë politikan në Kosovë e në shqiptari i qëndron në kontinuitet fjalës që thotë dhe e lidh atë me veprimin praktik, si kandidatja për presidente e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Dhe nëse ndodh kështu, atëherë çdo pengesë dhe intrigë për të mënjanuar Vjosa Osmanin nga e drejta e saj "karrieriste" për të zënë vendin e kreut të shtetit është një goditje jo vetëm për personin në fjalë, por edhe për vetë Kosovën. Kosova ka nevojë për politikanë "karrieristë" që duan të bëjnë emër me shërbimet që i bëjnë asaj, për politikanë që duan të bëjnë "karrierë" me dëshirën e zjarrtë për të qenë dëshmitare e prosperitetit të vendit.

Kosova nuk ka nevojë për politikanë karrieristë që e garantojnë karrierën e tyre me mbështetjen nga Beogradi. Raste të tilla ndoshta gjenden më shumë në Shqipëri, por jo pak edhe në Kosovë dhe në Maqedoni. Vjosa Osmani nuk i përket kësaj kategorie. Kategoria e të bërit karrierë me mbështetjen nga Serbia përfaqësohet prej Edi Ramës dhe Hashim Thaçit. Por kjo kategori e ndërtoi dhe e ndërton karrierën e saj në dëm të interesave tona kombëtare. Rasti i përpjekjeve për ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve midis saj dhe Serbisë na ka bindur tashmë se karriera e ndërtuar mbi premisën e garancive që jep Beogradi është karrierë që drejtohet kundër shqiptarëve dhe interesave të tyre në rajon.

Unë jam i bindur se Vjosa Osmani është e kundërta e Edi Ramës dhe Hashim Thaçit! Dhe i tillë është e duhet të jetë edhe Albin Kurti! Por duke qenë se bëhet fjalë për zonjën Osmani, atëherë lind arsyetimi që t'i bëhet thirrje ndërgjegjes së çdo deputeti në parlamentin e Kosovës, pavarësisht cilës partie i përket ai: - Votoje "karrieristen" Vjosa Osmani për presidente të Republikës, sepse kësisoj ke votuar për të tashmen e të ardhmen e vendit tënd, të familjes tënde dhe fëmijëve të tu! E ardhmja e Kosovës dhe e qytetarëve të saj do të shkatërrohet nëse në pushtet do të sillen politikanë të llojit e ngjyrës së Hashim Thaçit e Edi Ramës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat