Të jeni të bindur se zgjedhja edhe për një mandat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, është në interes të Kosovës.
Nëse, për inate politike, do të zgjidhej dikush tjetër president apo presidente e Republikës, vendi do të kishte hendikepe në raportet ndërkombëtare.
Se në skenën politike të Kosovës partitë politike luftojnë për pushtet dhe jo për shtet, tanimë këtë e kanë kuptuar të gjithë qytetarët e vendit.
Edhe ndërkombëtarët e kanë kuptuar se ka qenë totalisht e panevojshme të shkohej në zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse ka ekzistuar mundësia për ta konstituuar Kuvendin dhe për ta zgjedhur Qeverinë edhe pa shkuar në zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme. Por inatet e subjekteve politike dhe synimi i tyre për të ardhur në pushtet me çdo kusht i kanë shkaktuar gjithë këto vonesa shumë të dëmshme, madje edhe mosformimin e institucioneve të Kosovës në kohën e duhur.
Ekziston bindja e thellë se, sikur presidenti i Republikës të zgjidhej me votë të drejtpërdrejtë nga populli, Vjosa Osmani do të zgjidhej PRESIDENTE E REPUBLIKËS. Por kjo mund të mos ndodhë, kur zgjedhja e presidentit te ne është produkt i pazareve të partive politike totalisht të papërgjegjshme, të cilave mbi të gjitha u intereson pushteti dhe jo interesat e SHTETIT dhe ngritja e mirëqenies së qytetarëve.