Enver Maloku u vra për lirinë e Kosovës - Bota Sot
Enver Maloku u vra për lirinë e Kosovës

Opinione

E shtunë, 17 nëntor 2018

Enver Maloku u vra për lirinë e Kosovës

Nga: Shkruan: Isa Mustafa Më: 14 janar 2014 Në ora: 08:02

Po i shprehim sot nderimin tonë të përbashkët Enver Malokut, publicistit të shquar dhe veprimtarit të paepur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, jeta e të cilit u shua mizorisht buzëmbrëmjen e 11 janarit 1999, pranë banesës së tij, në lagjen “Kodra e Diellit” të Prishtinës. Enver Maloku u lind më 1954, në Bradash të Podujevës. Në vendlindje e mbaroi arsimin fillor, ndërsa gjimnazin në Podujevë. Studimet për letërsi shqipe i kreu në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Pak kohë punoi arsimtar në shkollën fillore të Bradashit, pastaj e nisi veprimtarinë rreth 20-vjeçare në gazetari. Enveri ishte gazetar i rubrikës së kulturës në Televizionin e Prishtinës deri më 1990, kur ky institucion u mbyll me dhunë nga policia serbe. Në vitin 1991 ai filloi të punonte në Qendrën për Informim të Kosovës (QIK), e cila, në vend dhe në botë, u njoh si Agjenci Kombëtare e Lajmeve e Kosovës.
Enver Maloku e udhëhoqi QIK-un nga viti 1993 deri në ditën e ndarjes nga jeta. Falë profesionalitetit, angazhimit dhe energjisë së pashtershme, Enveri me bashkëpunëtorët e tij të vyeshëm, kësaj agjencie i dhanë një emër nderi. QIK-u i atyre viteve ishte modeli më i mirë i korrektësisë profesionale, i etikës gazetareske dhe i besueshmërisë. Ky institucion ia doli ta fitonte betejën mediatike ndaj trysnisë dhe dhunës së Beogradit zyrtar, duke edituar lajme edhe anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht.
Në vitin e luftës, siç e quante Enveri vitin 1998, filloi edhe botimi i gazetës së mbrëmjes “Informatori”, e vetmja e llojit të tillë në letrat shqipe. Në ballinën e kësaj gazete, çdo mbrëmje, Enver Maloku i botonte komentet e tij, të cilat shquheshin për tonin e mprehtë dhe të rreptë, për gjykimin e hapur dhe jokonformist.
Komentet e Enver Malokut sikur u paraprinin ngjarjeve që do të ndodhnin; ato nuk ishin vetëm analiza që shkruhen pasi diçka të ketë ndodhur, por ishin tekste që sinjalizonin atë që do të ndodhte. Natyrisht, duke qenë i tillë, i veçantë dhe i papërsëritshëm në betejën e tij kundër të gjithë atyre që nuk i donin institucionet e Republikës së Kosovës, Enveri krijoi shumë miq dhe adhurues. Pesëmbëdhjetë vjet më parë, Kosova po përjetonte tmerret më të rënda të historisë së saj. Dhuna sistematike shtetërore serbe ndaj shqiptarëve kishte marr hov në çdo cep të Kosovës, prandaj askush më nuk kishte asnjë siguri se nuk do të ishte cak i krimit. Në mënyrë të veçantë, të cënuar ishin intelektualët e angazhuar drejtpërdrejt në lëvizjen e madhe për liri, pavarësi e demokraci, përkrah ideatorit të Republikës së pavarur e sovrane të Kosovës, Presidentit Ibrahim Rugova.
Enver Maloku hyn në radhën e njerëzve të mëdhenj, të cilët, kur ndahen nga kjo botë, lënë një hendek të thellë, një zbraztësirë që askush nuk e plotëson dot. Enver Maloku, njeriu që informoi shqiptarët dhe botën për zhvillimet dramatike në Kosovën e pushtuar nga ushtria dhe policia serbe, nuk denjoi asnjëherë t’i dëgjonte miqtë e kolegët, të cilët e këshillonin, në fakt e lusnin që të kujdesej për veten pas atentatit të parë ndaj tij, të cilit ai i kishte shpëtuar mrekullisht.
Enveri nuk e braktisi Prishtinën, nuk e la punën në Qendrën Informative të Kosovës dhe në gazetën e mbrëmjes Informatori, ndonëse ishte krejtësisht i ndërgjegjshëm se dora e zezë e kishte vënë në nishan. Gazetaria është një mision. Këtij misioni, në Kosovën e asokohshme, Enveri i dha një vulë krejtësisht unike, i dha vulën e besimit dhe të korrektësisë së papërsëritshme etike, i dha vulën e profesionalitetit total.
Së këndejmi, fillimisht QIK-u, e pastaj Informatori u bënë referencat kryesore dhe më të besueshme jo vetëm për opinionin e brendshëm në Kosovë, por edhe për opinionin ndërkombëtar për të gjitha zhvillimet në dhe rreth Kosovës. Kjo ishte diçka e paçmueshme për kauzën tonë nacionale, porse ishte diçka tepër e pafalshme për kundërshtarët e kësaj kauze, të cilët, në terr, e qëlluan njeriun e dritës, njeriun që i dha Kosovës dhe botës lajmin e shpejtë dhe të saktë, lajmin e lirisë së Kosovës.
Enver Maloku i takoi plejadës së dijetarëve, të cilët me sinergjinë e tyre në Lidhjen Demokratike të Kosovës i dhanë vulë një periudhe historike për lirinë e vendit tonë. Lidhjes Demokratike dhe Kosovës sot i mungon Enver Maloku, sikur edhe intelektualë të tjerë dhe veprimtarë, të cilët u vranë dhe u ekzekutuan qoftë gjatë luftës apo edhe pas mbarimit të saj. Por veprat e tyre, të krijuara brenda strukturave të LDK-së, tani nuk i takojnë vetëm kësaj partie, por i takojnë tërë Kosovës, i takojnë një bote demokratike dhe një jete demokratike të cilën ne po e ndërtojmë.
Lidhja Demokratike e Kosovës, sikurse në të kaluarën ashtu edhe sot dhe tutje do të vazhdojë të punojë shumë që Kosova të jetë një shtet i zhvilluar, një shtet demokratik dhe i integruar në Bashkimin Evropian. Me punën dhe përkushtimin tonë ne treguam se jemi partia që ka besimin më të madh të qytetarëve tanë, e cila në këtë vit me votën e tyre mund ta merr përgjegjësinë për ta qeverisur vendin. Unë them me bindje dhe besim të plotë se Lidhja Demokratike sot është e fortë, se LDK-ja është unike, se LDK-ja po reformohet karshi ndryshimeve që po ndodhin në zhvillimin tonë demokratik dhe karshi synimeve tona për integrime evropiane. Ne jemi në rrugë të mirë dhe jemi pjesë e familjes së partive evropiane të qendrës së djathtë.
Enver Maloku do të kujtohet si gazetari më dinamik i këtij vendi, si kronisti numër një i kohës së tij, si një lajmëtar e komentues me koherencë të mahnitshme mendimi e gjuhe. Neve na mbetet ta respektojmë veprën dhe figurën e Enver Malokut. Na mbetet neve, po ashtu, që të angazhohemi vazhdimisht që drejtësia të zbardh dhe të gjykojë të gjitha rastet e vrasjeve dhe ekzekutimit të njerëzve që me tërë qenien e tyre punuan dhe u sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Jemi krenarë që Enver Malokun e patëm bashkudhëtar në luftën tonë të përbashkët për lirinë dhe prosperitetin e vendit. Do të përkulemi gjithmonë me nderim përpara jetës dhe veprës së tij të madhe. (Fjala e Kryetarit të LDK-së, dr. Isa Mustafa në akademinë përkujtimore të mbajtur me rastin e 15-vjetorit të vrasjes së publicistit Enver Maloku).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test