Timothy Lessss: EU-gosllavia, e udhëhequr nga Beogradi?

Politika

Timothy Lessss: EU-gosllavia, e udhëhequr nga Beogradi?

Nga: B.S. Më: 26 nëntor 2020 Në ora: 07:56
Harta e Ballkanit Perëndimor

Ish-diplomati në Ballkan dhe profesor në Universitetin e Kembrixhit, Timothy Less thotë se rajoni i Ballkanit Perëndimor mund të bëhet një lloj EU-gosllavije gjatë Bidenit.

Duke shpjeguar këtë mendim të tij, ai tha se Ballkani Perëndimor mund të bëhet një entitet i ri multietnik i përbërë nga "gjashtë shtete", të lidhura ngushtë me BE-në, në krye të të cilit do të ishte Beogradi.

"Nuk do të jetë saktësisht Jugosllavia e re, e cila ishte një produkt i kohës së saj, por faktet në terren do ta detyrojnë Bidenin të kthehet në logjikën e së kaluarës së afërt dhe të mbështesë krijimin e asaj që do të jetë inkarnim i asaj të kaluare në shekullin 21 - EU-gosllavisë së re." shkruan Less në tekstin autorial për "Opendemokracy.net", transmeton B92.

E pse Beogradi do të ishte në krye të këtij entiteti multietnik, Less shpjegon në tekst për atë faqe politike britanike me faktin se Serbia, meqenëse integrimet evropiane janë ngadalësuar për arsye të ndryshme, ka rinovuar pozicionin e saj si vendi më i shquar në Ballkan, pas shfaqjes së "udhëheqësit të fortë", i cili i dha fund kaosit të viteve 2000 dhe periudhës së reformave strukturore.

Less tregon gjithashtu se Serbia është angazhuar në një "manovrim të zgjuar diplomatik", i cili ia mundësoi asaj të përdorë mbështetjen e forcave që duan praninë në Ballkan: Rusisë, Kinës, Turqisë.

Kjo, shton ai, ka forcuar pozicionin e Serbisë në raport me Shtetet e Bashkuara.

"Nëse presidenti Biden dëshiron t'i qëndrojë besnik qëllimit amerikan për të vendosur një lloj paqeje të qëndrueshme në Ballkan, e cila mundëson zhvillimin e tij të brendshëm dhe integrimin e jashtëm me Perëndimin, ai duhet të punojë brenda kornizave të këtij realiteti të ri," shtoi Less.

Ai vlerëson se nuk ka dyshim që administrata e Bidenit do të dëshirojë të anulojë atë që bëri ish-presidenti Donald Trump, por që, përballur me situatën në terren dhe realitetin e ri, ai do të duhet të vazhdojë atje ku u ndal paraardhësi i tyre republikan.

Një nga elementët e qasjes së Trumpit, të cilin Bideni do të duhet të ruajë, siç shprehet Less, është iniciativa për krijimin e një zone ekonomike rajonale në Ballkanin Perëndimor, domethënë një mini-Shengen.

Sipas Less, administrata e Bidenit do të shohë që Serbia mbështet një bashkim të tillë ekonomik, si dhe vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.

"Një projekt që i jep Serbisë një rol udhëheqës në Ballkan mund të jetë i mjaftueshëm për të bindur Beogradin të njohë pavarësinë e Kosovës ... dhe për të regresuar marrëdhëniet e tij me Rusinë, Turqinë dhe Kinën", thotë Less.

Eksperti nga Kembrixhi përsërit se disa në ekipin e Bidenit me siguri do të kundërshtojnë idenë e "shpërblimit" të Serbisë në çdo mënyrë, por, siç thekson ai, të ballafaquar me realitetin politik, ata do të shohin se ka pak mundësi të tjera.

Sipas Lessit, çelësi në qasjen e Bidenit do të jetë, mbi të gjitha, interesi i Shteteve të Bashkuara dhe jo vlerësimi se kush do të fitonte pak a shumë duke krijuar një union ekonomik në Ballkanin Perëndimor.

Me këtë politikë, administrata e Bidenit jo vetëm që do të vazhdojë atje ku u ndal Trumpi, por gjithashtu do të ringjallë strategjinë e fuqive të mëdha në Ballkan në shekullin e 20-të, beson Timothy Less.

Edhe pas Luftës së Parë Botërore, Beogradi ishte kryeqyteti i kombit më të madh në Ballkanin Perëndimor dhe një qendër e natyrshme politike, thotë Less, duke shtuar se "edhe njëqind vjet më vonë, logjika strategjike nuk ka ndryshuar shumë".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat