Ky është plani i PDK-së dhe LDK-së për postin e presidentit lidhur me Hashim Thaçin

Politika

Ky është plani i PDK-së dhe LDK-së për postin e presidentit lidhur me Hashim Thaçin

Nga: G.B Më: 26 nëntor 2020 Në ora: 15:33
Ilustrim

Ambiciet për postin e presidentit sa po vijnë e po shtohen.

Së fundmi kemi pasur disa kandidime për këtë post e disa nga partitë e synojnë këtë post por nuk kanë ende emra për kandidatë.

E nga LDK mendojnë se është koha që këtë post ta ketë partia e tyre.

Kështu ka deklaruar nënkryetari Lutfi Haziri, derisa ka thënë se ende nuk kanë kandidat për këtë post.

“Kuvendin e udhëheqë Vjosa Osmani, sepse ka qenë pjesë e marrëveshjes VV-LDK, ai vend është fituar përkundër që raportet e brendshme me Vjosën i kemi ndryshuar pas zgjedhjeve. Nëse pyetëm unë, ka ardhur koha që presidentin me e marrë LDK-ja, por edhe më tutje ne nuk po duam të bëhemi egoistë në kërkesat tona politike dhe po mendojmë që me dialog të brendshëm mundemi me gjet një emër të përbashkët për këtë pozitë”, ka thënë ai.

Image
Fadil Lepaja

E nëse gjatë dhjetorit nuk ka emër për president, Haziri ka thënë se duhet parë fuqia politike për të caktuar datën e zgjedhjeve.

Lidhur me këtë, publicisti Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën “Bota sot” se presidenti do të duhej të zgjedhej nga qytetarët por për këtë nuk ka konsensus.

“Zgjedhja e presidentit e cila bëhet nga parlamenti është e tillë, pra që vjen si kompromis politik për të krijuar dhe mbajtur shumicën parlamentare. Personalisht mendoj se Presidenti duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët por për këtë duhet një reformë zgjedhore për të cilën nuk shoh se ka konsensus”, është shprehur ai.

Sipas Lepajës, tani zgjedhja e presidentit varet nga PDK, nëse LDK përjashton mundësinë për marrëveshje me VV-në.

“Aktualisht zgjedhja e Presidentit varet shumë nga PDK, nëse LDK përjashton çfarëdo mundësie të marrëveshjes sërishme me VV”, ka vlerësuar Lepaja.

Tutje, ai shton se më agresivi në këtë fushatë është Haradinaj por është e vështirë që ta sigurojë këtë pozitë pa ndihmën e PDK-së, derisa dhe mbetet të shihet për vendimmarrjen në PDK dhe LDK, të cilët mund të jetë duke kalkuluar një bllokim të procesit deri në kthimin eventual të Thaçit nga Haga.

“Më agresivi në fushatë është Z.Haradinaj por fuqia e tij politike vështirë se mund të ja sigurojë pozitën pa aprovimin e PDK. Mbetet të shihet se cila do të jetë vendimmarrja në PDK dhe në LDK ku së fundmi u prononcua z.Haziri i njohur për afrinë me PDK. PDK dhe krahu i LDK më i afërt me PDK mund të jenë duke kalkuluar një bllokim të procesit deri në një rikthim eventual të z. Thaçi nga Haga, si po spekulohet herë pas here si mundësi”, ka theksuar ai.

Lepaja vlerëson se zgjedhjet do të mund të legjitimonin ambiciet e secilit pretendent apo secilës parti që ka emër serioz për këtë parti.

“Sidoqoftë zgjedhjet e reja, nëse nuk do të qartësonin aq shumë, me siguri do të legjitimonin ose jo ambiciet e secilit pretendent apo secilës parti që ka emër serioz për kandidat për postin vakant presidencial”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat