“Lufta” për Presidentin/ Ja shantazhet e PDK-së dhe AAK-së ndaj LDK-së

Politika

“Lufta” për Presidentin/ Ja shantazhet e PDK-së dhe AAK-së ndaj LDK-së

Nga: P.R Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 20:34
Isa Mustafa

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj ia ka bërë të qartë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që PDK nuk do të jep votë për asnjë kandidat tjetër që vie nga partitë në pushtet.

“Ne kemi debatuar kohët e fundit në PDK këtë çështje dhe duhet t’iu sqarojë edhe njëherë. PDK është në opozitë, mbetët në opozitë dhe janë katër pesë tema të cilat janë të karakterit nacional. Një temë e tillë ishte pakoja e rimëkëmbjes dhe një temë e dytë është edhe zgjedhja e presidentit. Presidenti që zgjidhet në Kuvendin e Kosovës nuk është vetëm president i partive, por është edhe president i opozitës dhe qytetarëve. Dhe nëse kërkesa prej kolegëve në qeveri që ta marrin mbështetjen prej PDK ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë por në atë rast kur kërkohen votat e PDK-së, atëherë edhe kandidati duhet të jetë i PDK...ju e dini që këtë mandat e ka pas presidenti Thaçi...nëse dikush kërkon mbështetje prej PDK duhet ta di që gjykata Kushtetuese ia ka ndërpre mandatin dhunshëm dhe duam që ky mandat t’i takoj PDK-së dhe nuk kemi vota për asnjë kandidat i cili vie nga partitë në pushtet”, tha Hoxhaj.

E ndaj Hoxhajt ka reaguar edhe deputeti AAK-së, Rasim Selmanaj, sipas të cilit AAK nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i tyre që posti i presidentit t’i jepet kësaj partie, gjegjësisht kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt.

“Është e drejtë e tyre për të pasur qëndrimin dhe propozimin e tyre. Ne kemi propozimin tonë, kështu që mbetet me u pa si ka për të shkuar procesi. Nuk do të tërhiqemi nga posti i presidentit dhe presim se si do të jetë qëndrimi i partive tjera politike”, ka deklaruar deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj.

E lidhur me këtë përplasje mes PDK-së dhe AAK-së, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti politik, Nexhat Haziri.

“Në mungesë të një shumice të kualifikuar parlamentare të qeverisë Hoti dhe LDK-së si partnere kryesore e koalicionit, AAK-ja edhe pse partner në koalicionin qeverisës ka kohë që po e shantazhon LDK-në me kërkesën e saj për ta marrë postin e presidentit të vendit”, thotë Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, edhe PDK po vepron njëjtë si AAK.

“Dhe tani një ambicie të tillë e ka shprehur edhe PDK-ja, si kusht për tu bërë pjesë e qeverisë Hoti, që do ti garanton një stabilitet politik qeverisë dhe një fuqi më të madhe në vendimmarrje përmes një shumice të konsoliduar parlamentare. Dhe natyrisht se tashmë këto subjekte politike sikur i kanë hyrë një gare se cila nga to, do të arrijë ta marrë presidentin e vendit”, shprehet më tej Haziri për “Bota sot”.

Ai shprehet se Ramush Haradinaj duhet të heq nga ambicia e tij për postin e presidentit.

“Sipas mendimit tim, më shumë gjasë shohë te PDK-ja e cila është parti shumë më e fuqishme sesa AAK-ja, dhe në radhët e saja ka njerëz me kredibiltet që mund të zgjedhën në postin e presidentit të vendit. Ndërsa AAK-ja, në veçanti lideri i saj Ramush Haradinaj, duhet të heq dorë nga ambicia e tij, e cila është në shpërputhje me mundësitë dhe aftësitë e tij, qofshin profesionale, politike e morale, për të qenë president i vendit. Dhe nëse veç ngul këmbë Haradinaj në ambicien e tij për president të vendit, atëherë zgjedhjet janë zgjidhje, pasi nuk shohë më ndonjë mundësi konsensusi në mes partive politike për ta zgjedhur presidentin e vendit nga legjislatura aktuale e Kuvendit të Kosovës”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti politik Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat