Ish-bashkëpunëtori i Rugovës: Partitë politike të pastrohen nga gjaku i keq

Politika

Ish-bashkëpunëtori i Rugovës: Partitë politike të pastrohen nga gjaku i keq

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 4 dhjetor 2020 Në ora: 18:13
Presidenti brahim Rugova, Binak Aliçkaj, ish kryetar i komunës së Deçanit dhe Skënder Zogaj

Rreth një javë më parë, kur Lidhja Demokratike e Kosovës humbi komunën e Podujevës, pati kritika të mëdha sa i përket kësaj partie. U tha nga shumëkush se duhet të ketë ndryshime brenda partisë, pasi komuna e Podujevës është vetëm një mesazh për LDK-në.

Të dielën që lëmë pas, Lëvizja Vetëvendosje me kandidatin e saj Shpejtim Bulliqin kanë fituar zgjedhjet në komunën e Podujevës që dikur ishte bastion i LDK-së.

Por a duhet të ketë reforma brenda LDK-së, të gjendet fajtori për këtë humbje dhe anëtarët e vjetër të zëvendësohen me të rinjët?

“LDK është pjesë e pandashme e popullit tonë, doli nga populli, për t’i shërbyer popullit”

Image
Faton Bislimi

Lidhur me këtë ҫështje, gazeta “Bota sot” ka kontaktuar me deputetë e zyrtarë tjerë të LDK-së. Mirëpo ata kanë hezituar të përgjigjen në këtë temë. Ndëkaq deputeti i LDK-së, Faton Bislimi ka folur për reformat që duhet të bëhen brenda kësaj partie.

Në një shkrim autorial dërguar gazetës, deputeti Bislimi thotë se LDK-ja është një parti e pandashme e popullit, pasi doli nga populli. Sipas tij, LDK-ja mori përsipër barrën e procesit të shtetbërjes, ndërsa sot ende ka barrën e shtuar, jo vetëm politike.

“Si prijetare e proceseve më të rendësishme politike të Kosovës në historinë moderne të saj, LDK është pjesë e pandashme e popullit tonë, sepse ajo doli nga populli, për t’i shërbyer popullit. LDK mori mbi supe barrën e madhe të procesit të shtetbërjes, të cilën suksesshëm e ka bartë sepse nën supet e saja kishte popullin e Kosovës. Edhe sot, në pluralizmin politik të Kosovës së lirë e demokratike, LDK vazhdon të ketë barrën e shtuar dhe jo vetëm politike”, thotë Bislimi.

Sipas tij, edhepse LDK-ja s një shtëpi akademike e politikbërjes e suksesshme me dekada, ka nevojë për ribrendim politik. Por siҫ thotë Bislimi, LDK-ja duhet të mësoj nga e kaluara, nga sukseset dhe dështimet e saj.

“Si parti politike, LDK vazhdon të jetë një shtëpi akademike e politikbërjes. Por, sikur cdo organizatë tjetër, edhepse e suksesshme me dekada, edhe LDK ka nevojë për ribrendim politik. Sot më shumë se kurrë, LDK duhet të mësojë nga e kaluara – si nga sukseset ashtu edhe nga dështimet. Fati i mirë i saj është se ka shumë më shumë histori suksesi sesa dështimi. Prandaj, e ka më të lehtë mësimin. E ka më të lehtë ribrendimin. Neglizhimi i nevojës për ribrendim politik të LDK-së i sjellë humbje të mëdha dhe besa edhe të priparueshme jo vetëm LDK-së, por gjithë Kosovës. E, në traditën e LDK-së është të qenurit gardian i vendit, dhe jo anasjelltas”, vlerëson deputeti Bislimi.

Zogaj: Partitë kanë nevojë të pastrohen nga gjaku i keq

Image
Skender Zogaj

Ndërkaq analisti politik, dikur bashkëpunëtor i themeluesit të kësaj partie, Presidentit historik, Ibrahim Rugovës, Skender Zogaj ka thënë se në kohën e themelimit, LDK-ja ka qenë një ‘bombë me sahat’ brenda gjithë kampit ish-komunist dhe ka mposhtur diktaturën e kuqe.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është subjekti politik i sajuar nga vullneti gjithëpopullor, në kohën dhe rrethanat më të egra të barbarizmit serb në Kosovë! Edhe pse në rrethana absurdi, me rrezikun e zhdukjes së shqiptarëve, vigjilenca gjithëpopullore ka funksionuar për mrekulli dhe ka krijuar LDK-në me një sukses të pabesueshën vetëdijeje, dhe ka kurorëzuar një parti të plotëkuptimtë demokratike, cila është bërë "bombë me sahat" brenda gjithë kampit ish- komunist dhe e ka mposhur diktaturën e kuqe”, thotë Zogaj.

Ai thotë më tutje se ky fakt ështe shkaku i shqetësimit të të gjitha forcave antidemokratike, të cilat nuk mund ta honepsin LDK-në dhe, me të gjitha mënyrat e mjetet, po përpiqen që ta shkatërojnë, rrënuesen e diktaturës sllavo-komuniste ndër shqiptar.

“Ky është faji kryesor që kundërshtatët ideologjik shohin te LDK-ja dhe, me fushata propagandistike meskine duan ta dëmtojnë. Këtë synim e e kanë pranuar "shpëtimtarët" që në fakt janë argatët "shkatërrimtarë" brenda dhe jashtë LDK-së, që, jemi dëshmitarë të veprimeve të shumta dhe gjahut të egër të shtrigave”, vlerëson Zogaj.

Sa i përket reformimit, Zogaj thotë se LDK-ja dhe të gjitha partitë kanë nevojë për ‘pastrim nga gjaku i keq’. Ai thotë se LDK-ja nga pësimet do të marrë mësime dhe do të përjashtoj logjikën e individëve shpëtimtarë, pasi individi nuk mund të jetë shpëtimtarë.

“Është e vërtetë se LDK-ja dhe të gjitha partitë në Kosovë kanë nevojë për reformim të thellë dhe pastrim nga gjaku i keq, i krijuar apo i porositur diverziv brenda të gjitha partive, e sidomos brenda LDK-së që është themeltarja e demokracisë shqiptare! Pjellat e barkut të "Kalit të Trojës" dihet se pikësynim e kanë me ia fut flakën LDK-së, gjë që nuk u ka munguar suksesi! Por, LDK-ja nga pësimet besoj ka me marrë mësime dhe, ka me vepru me vigjilencë historike duke përjashtuar logjikën e individëve "shpëtimtarë" sepse individi nuk mund të jetë shpëtimtar kurrë, përkundrazi nxjerr kultin e individit, që prodhon hitler, enver, stalin, gadaf...”, thotë Zogaj për “Bota sot”.

“Anëtarësia e gjerë e LDK-së është forca e Kosovës”

Sa i përket asaj se a duhet të largohen të vjetrit dhe të zëvendësohen me të rinj, Zogaj thotë se mosha është vlerë, që paraqet përvojën, përkushtimin e idealin ndaj partisë. Sipas tij, këtë e kërkojnë ata që kanë për mision shkatërrimin e kësaj partie.

“Logjika që të largohen të vjetrit është destruksion. Mosha për më tepër është vlerë, që paraqet përvojën, përkushtimin, idealin dhe devotshmërinë ndaj konceptit partiak! Dhe, pse u dashka të largohen të vjetrit? Kjo është marrëzi që e kërkojnë të marrët, të cilët thirren si "shpëtimtarë" por mision e kanë shkatërrimin! LDK-ja duhet ta ketë këtë parasysh dhe të mobilizoj të gjitha shtesat e anëtarësisë nga baza, duke u pastruar nga bari i keq strukturat nga aktivet tek Qendra”, vlerëson Zogaj.

Ai madje përmend edhe ata se kush mund të jenë të dëmshëm dhe të papranushëm për udhëheqës partiak. Sipas tij, anëtarësia e LDK-së ka heshtur por është forca e Kosovës.

“Asnjë emër i përvetshëm që del nga koluaret jashtëpartiake nuk mund të jenë autoritete të pranueshme. Përkundrazi, të tillët kushdo qofshin, janë të papranueshëm për udhëheqës partiak! Te LDK-ja kjo praktikë ka treguar se është shumë e dëmshme, prandaj duhet të flaket pa hezitim, me çdo lloj çmimi! Më mirë është me humb për të fituar, se me fitu për të humbur! Anëtarësia e gjerë e LDK-së ka heshtur, por ajo është forca e Kosovës”, thekson analisti politik, Skender Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat