Arrestimet e Speciales dhe zbardhja e vrasjeve të ish-anëtarëve të LDK-së, veprimtari e ‘zbulon’ skenarin e Klosit: Tortura, frikësim, eliminim...

Politika

Arrestimet e Speciales dhe zbardhja e vrasjeve të ish-anëtarëve të LDK-së, veprimtari e ‘zbulon’ skenarin e Klosit: Tortura, frikësim, eliminim...

Nga: N. H Më: 6 dhjetor 2020 Në ora: 10:40
Fatos Klosi dhe Hashim Thaçi

Dje janë bërë një muaj që nga dita kur u arrestua ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Po atë ditë, ata u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, derisa Jakup Krasniqi ishte transferuar një ditë më herët.

Arrestimi i tyre u bë pas konfirmimit të aktakuzës nga Specialja. Kjo aktakuzë, prej 68 faqesh, që është e redaktuar, është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Në aktakuzën e konfirmuar pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jo-ndërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së.

Lidhur me këtë cështje, për gazetën “Bota sot”, ka folur veprimtari i LDK-së në diasporë.

Veprimtari i hershëm i LDK-së, Fatmir Bajraj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se Shtabi i Rognerit me seli në Tiranë kishte strategji dhe metodat staliniste.

“Shtabi i Rognerit, doktrinë ideologjike kishte luftën për pushtet, strategji kishte metodat staliniste të eliminimit dhe likuidimit të kundërshtarëve politik, duke bashkëvepruar edhe me agjenturat armiqësore ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. E para, Shtabi i Rognerit lidhet me krimet kundër Kosovës dhe shqiptarëve, dhe e cila i kishte bërë lakun të dytës; UÇK-së, dhe luftës së saj të shenjtë për lirinë e shqiptarëve dhe çlirimin e Kosovës. Brenda të njëjtës ombrellë dhe emblemë, fashitej synim dhe qellim kontrovers dhe diametralisht i kundërt –antipode”, shprehet Bajraj fillimisht.

Bajraj shprehet se ky shtab nën udhëheqjen e Fatos Klosit si shef i SHISH-it, kishte synim dhe qëllim marrjen dhe ushtrimin e kontrollit në gjithë Kosovën.

Ai me tej hedh akuza të rënda, sa që thotë se këtë e bënte me metoda frikësimi, keqtrajtimi, ushtrimin e dhunës fizike dhe psikologjike dhe eliminimin e të gjithë atyre të cilët në vlerësimin e tyre ishin kundërshtarë politik.

“E para, “UÇK”, me seli në Tiranë dhe në hotelin Rogner dhe nën patronatin e Fatos Klosit si shef i SHISH-it, kishte synim dhe qellim kauzal; marrjen dhe ushtrimin e kontrollit në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet dhe metodat, përfshirë; frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës fizike dhe psikologjike dhe eliminimin e të gjithë atyre të cilët në vlerësimin e tyre ishin kundërshtarë politik. A nuk është ndërmarrësi kriminale dhe anti-Kosovë një doktrinë e tillë e ngritur në kauzë nga ana Shtabit të Rognerit, alias e “UÇK-së”, së Rognerit. Përgjigja në këtë pyetje, është provuar mbi fatin e viktimave (vrasjeve politike), mbi UÇK-në dhe të Kosovës, katërçipërisht, gjatë dhe pas luftës çlirimtare, pasojat e së cilës vuajmë tani dhe do t’i kemi deri në verdiktin final të drejtësisë së vonuar, përkatësisht, të drejtësisë së mohuar deri këtu”, tha Bajraj.

“Në kauzën e drejtë për liri, kjo farë e huaj shqipfolëse, nga qarqe dhe shërbime anti-Kosovë, me ndihmën e mbetjeve (recidivë) UDB-ist të Tiranës kuislingë, kishte penetruar thellë deri palcën e luftës sonë të drejtë çlirimtare dhe në uzurpimin dhe përvetësimin e fryteve të saja, përfshi gjakun e dëshmorëve dhe kapitalizimin maksimal për luftën për pushtet dhe në dëm të Kosovës dhe shqiptarëve”, ka shtuar ai.

Bajraj në këtë prononcim, flet edhe për LDB-në e Rexhep Qosjes, për të cilën thotë se ishte ngrehinë e “fitores” së Revolucionit Demokratik dhe LPK-së së Ibrahim Kelmendit, e cila më pastaj, sipas tij, ishte kthyer në levë të doktrinës UDB-iste të SHISH-it të Klosit dhe pjellës së tij, SHIK-ut të Kadri Veselit.

“UDB-ja, kishte lëshuar rrënjë herët në Shqipërinë komuniste, por impenjimi i saj në ‘Revolucionin Demokratik të 97 në Shqipëri’, ishte një moment rikthimi dhe konsolidimi në çerdhen e vjetër, por të së njëjtës doktrinë ideologjike me Tiranën kuislingë të kohës. LDB-ja e Qosjes, ngrehinë e pas ‘fitores’ së Revolucionit Demokratik dhe LPK-së së Ibrahim Kelmendit, ishin kthye në levë të doktrinës UDB-iste të SHISH-it të Klosit dhe pjellës së tij, SHIK-ut të Kadri Veselit. Beteja politike e LBD-së Qosjane kundër institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të vet Presidentit historik Ibrahim Rugova, e suportuar dhe fuzionuar nga LPK-ja në diasporë dhe nga SHISH-i anti-Kosovë, ishte prelud i të gjitha të bëmave kriminale dhe anti-Kosovë të Shtabit të Rognerit dhe sektorit të tij të ‘famshëm’ SHIK-u vrastar i Kadri Veselit dhe i Hashim Thaçit”, ka potencuar ai.

Ai në fund, thotë se Enver Maloku, Ali Uka, Ministri i FARK-ut, Kolonel Ahmet Krasniqi dhe Ilir Konushevcin me shokë, janë vrarë dhe ekzekutuar me ndihmën e shtetit shqiptar, alias, SHISH-it të Fatos Klosit.

“Vrasjet politike, mbajnë autorësinë shpirtërore-filozofike të Qosjes, suportin faktik të Klosit dhe ekzekutimin praktik të Hashimit e Kadriut. Vetëm Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë duke mos anashkaluar marrjen në përgjegjësi dhe para Gjykatës Speciale, të ish SHISH-it shqiptar dhe shefit të atij shërbimi, Fatos Klosi, mund të adresojë drejtë dhe saktë; ndërmarrësin kriminale dhe autorët e kësaj ndërmarrësie kriminale të cilët ideuan, organizuan dhe kryen vrasjet politike në Kosovë e Shqipëri, duke filluar me Enver Malokun në Kosovë, dhe me Ali Ukën, Ministrin e FARK-ut, Kolonel Ahmet Krasniqi dhe Ilir Konushevcin me shokë, të vrarë dhe ekzekutuar me ndihmën e shtetit shqiptar, alias, SHISH-in e Klosit”, tha në fund, veprimtari i LDK-së, Fatmir Bajraj, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat