Gara për Presidentin – ja parashikimi i analistit politik

Politika

Gara për Presidentin – ja parashikimi i analistit politik

Nga: A.Z Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 16:34
Ramush Haradinaj

Zyrtarë nga Partia Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar një përafrim mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pasi kreu i kësaj partie të fundit ka kritikuar ashpër PDK-në, gjersa i ka quajtur edhe “hajna të klanit pronto”.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka akuzuar rëndë Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

"Këta që po thonë Ramushi le të na kthej borxhin, i kam nxjerrë nga opozita. Më ka sharë një Kosovë që jam bërë me hajnat e ‘Prontos’. I kam nxjerrë nga opozita dhe i kam pru në pushtet. Kur i kam pru në pushtet janë munduar çdo ditë të më rrëzojnë pasi që kam ngulur këmbë për njëfarë takse. Janë njerëzit e njëjtë që e kanë themeluar Gjykatën Speciale”, kishte thënë ai.

Deklarata e tij ka ngjallur reagime të shumta, analisti Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se paraqitjen e kandidaturave nuk e sheh si ndonjë problem, siç e bëjnë me Haradinajn LDK dhe PDK, të cilët edhe po e pretendojnë këtë post. Ai thotë se gara për president duhet të ketë një konsensus prej të gjitha partive madje edhe nga njerëzit jashtë politikës.

“Ka disa kohë që është duke u bërë garë për postin e presidentit të vendit. AAK -ja e ka paraqitur kandidaturën e Haradinaj që ka të drejtë sikur çdo subjekt tjetër politikë. Unë paraqitjen e kandidaturave nuk e shoh si ndonjë problem, siç e bënë këtë me Haradinajn LDK dhe PDK, të cilët edhe po e pretendojnë këtë post. Gara për president duhet të ketë një konsensus të të gjitha partive politike, ku do të vijnë në shprehje edhe njerëzit jashtë politikës, që edhe janë dhënë disa ide. Unë e shoh daljen nga gjendja jo e mirë në vend, që të shkohet në zgjedhje të reja”, tha ai.

Tutje ka thënë se zgjerimi i koalicionit siç po mendohet nuk do të arrin efektet e dëshiruara, përderisa këta po shtyhen se cila parti do të ketë më shumë pushtet.

Mirëpo, sipas Mulliqit nuk është tani momenti për postin e presidentit, duke e pasur parasysh edhe pandeminë globale.

“Zgjerimi i koalicionit që po mendohet nuk do të arrin efektet e dëshiruara të stabilitetit të përgjithshëm. Këta po shtyhen së cila parti politike do të këtë më shumë pushtet, se sa po interesohen për shtetin e Kosovës. Unë mendoj, së posti i presidentit të vendit, nuk është çështje urgjente, kur dihet nëse më çfarë krizash politike dhe ekonomike po përballemi në buzë këtij dimri, ndoshta më të vështirë të pas luftës, duke pasur parasysh se shumë na ka shtrënguar edhe pandemia globale, e cila po bëhet shumë e rrezikshme dhe gati e pa menaxhushme”, tha ai.

Më tej ka shtuar se PDK dhe LDK po shtyhen se cila të marr presidencën, duke e përjashtuar LVV, madje edhe karshi AAK-së , gjë që e nxit kreun e këtij subjekti politik të reagoj ashpër duke e lënë edhe mundësin e daljes nga koalicioni. 

“PDK, LDK po shtyhen se cila të marr presidencën, duke e përjashtuar nga loja politike LVV si fituese e zgjedhjeve të fundit nacionale , që nuk është aspak korrekte dhe e ndershme. Madje, posti i të parit të shtetit po bëhet "kafshatë" e pa kapërdishme për punën e mëtutjeshme të këtij koalicioni të pakicës. Duket se gjendja është duke u ashpërsuar. LDK dhe PDK po luajnë lojën përjashtuese edhe karshi AAK, e cila gjë e ka nxitë kreun e këtij subjekti politik që reagon ashpër, duke e lënë hapur mundësinë e daljes nga koalicioni. Dorën në zemër Haradinaj sa ishte në krye të ekzekutivit u bë digë e fortë në mbrojtje të idesë për mos shkëmbime territoriale bashkë më kancelarën e Gjermanisë, zonjën Angela Merkel, si dhe me taksën e vendosur Serbisë”, tha ai.

Sipas Mulliqit, PDK dhe LDK mund të kenë arritur ndonjë marrëveshje lidhur me postin e presidentit, duke ia premtuar PDK-së.

Mulliqi thotë se edhe pas mbledhjes që ka bërë thirrje Hoti lidhur me këtë temë do të jetë prapë e vështirë për të arritur ndonjë konsensus në këtë atmosferë të tensionuar politike. Pas fitores në zgjedhjet e fundit LVV karshi LDK-së, nuk do të pranon asnjë lloj pazari politik, synim ka zgjedhjet e reja sepse gjasat për të fituar janë të mëdha.

“Një hap për të hy në koalicion PDK-ja, e bëri me votimin e projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike. Sigurisht se PDK dhe LDK kanë arritur ndonjë marrëveshje edhe lidhur me postin e presidentit, duke ia premtuar këtë PDK-së. Të shohim se sa është serioze thirrja e Avdullah Hotit që ju ka bërë partive politike që të takohen dhe të bisedojnë lidhur më këtë temë. Shumë vështirë do të jetë që të arrihet ndonjë konsensus në këtë atmosferë të tensionuar politike e me këto kriza të shumta. LVV pas fitores në zgjedhjet e fundit nacionale dhe sidomos pas zgjedhjeve në Podujevë ku arriti të triumfon bindshëm karshi LDK-së, nuk do të pranon asnjë lloj pazari politik për postin e të parti te vendit. Ajo synim i ka zgjedhjet e reja sepse edhe gjasat për të fituar edhe më bindshëm së në Podujevë, i ka të mëdha”, përfundoi Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat