Albini ‘iku’ për t’ua lënë në dorë “pataten e nxehtë” të tjerëve - analisti zbulon arsyet e heshtje së Kurtit

Politika

Albini ‘iku’ për t’ua lënë në dorë “pataten e nxehtë” të tjerëve - analisti zbulon arsyet e heshtje së Kurtit

Nga: A.Morina Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 23:33
Albin Kurti

Kosova është në një fazë në të cilën po ndodhin shumë zhvillime politike dhe shoqërore.

Përplasjet politike në mes subjekteve politike, çështja e postit të presidentit, situata me pandeminë Covid-19, rënia ekonomike, problemet në shëndetësi, etj., janë vetëm disa nga temat më të rëndësishme për momentin.

Mirëpo, krahas këtyre zhvillimeve të shumta në vend, ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vendosur të heshtë dhe të mos merret fare. 

Kurti që nga rrëzimi i Qeverisë është tërhequr jashtëzakonisht shumë, daljet televizive dhe komentet e tij lidhur me ngjarjet në vend janë tepër të rralla.

Kurse, analisti politik, Skender Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi heshtjen e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Zogaj u shpreh se heshtja e Kurtit nuk është diçka e rastësishme, por është e bazuar në “strategjinë e ilegalitetit”.

“Heshtja e kohëve të  fundit e Albin Kurtit nuk është e re dhe as e rastësishme! Përkundrazi, është heshtje karakteristike dhe shquese e Lëvizjes Vetvendosja, që gjithë veprimtarinë e saj, që nga themelimi, e ka të bazuar në  "strategjinë e ilegalitetit", që është taktikë tipike konspirative, dhe plotësisht jodemokratike!”, dekalroi Zogaj.

Analisti tregoi edhe arsyen e këtij veprimi nga ana e Kurtit, ku tha se heshtja është gjëja më e preferuar e tij. Ai përmendi edhe parullën për ‘Bashkimin kombëtar’ dhe demonstratat e egëra të Vetëvendosjes.

“Albin Kurti e ka të preferuar këtë lloj veprimi, që nga dalja e tij e parë në skenën politike, kur papandehur por bujshëm e pat lansuar parullën atraktive për "Bashkimin kombëtar" të cilën më vonë e heshti, për t'iu rikthyer skenës politike me demonstratat e egra dhe vandaliste kundër rendit, ligjit dhe institucioneve shtetërore!”, theksoi ai.

Zogaj veçoi pikëpamjet politiko-filozofike të Kurtit, që në kohë krize ai ndalet për të reflektuar dhe për të marrë energji të reja veprimi.

“Mbeten të paharrueshme dhe unike në jetën politike të Kosovës, transformimet e Albin Kurti kur nga lideri politik u bë hedhës i gazit lotësjellës brenda Kuvendit të Kosovës duke rrezikuar jetë e parlamentarëve! Të gjitha këto janë dëshmi të pikëpamjeve  strategjike politiko -filozofike të Albin Kurtit, i cili në çaste krize, taktizon me vetveten, për të reflektuar dhe marr energji e masa të reja veprimi, siç veproi si kryeministër, kur e prishi qeverinë dhe u kthy në heshtje”, nënvizoi Zogaj.

Ndërsa, analisti tha se krahas zhvillimeve të shumta politike, Kurti përdori tërheqje taktike dhe ua la “pataten e nxehtë” politikanëve tjerë

“Kjo nuk ishte rastësi por ishte tërheqje taktike, ikje nga zhvillimet dhe detyrat e rënda shtetërore dhe politiko diplomatike, me të cilat ra në hall të madh, sa që u detyrua të ik, për t'u lënë në dorë "pataten e nxehtë" të tjerëve. Se është kështu dëshmon edhe indiferenca aktuale e Kurtit, kur po ndodhin zhvillime të shumta dhe tejet të rëndësishme politike, ndërsa Kurti, ka rënë në heshtje të plotë”, deklaroi Zogaj, përcjell "Bota sot".

Në fund, tha se heshtja e Albin Kurtit nuk ka ndonjë përmbajtje të rëndësishme dhe të dobishme për vendin. Dhe nuk pret të sjellë ndonjë ndryshim cilësor.

“Kjo heshtje nuk është koti, ndonëse, as shumë e rëndësishme nuk mund të jetë, sepse, zhvillimet e reja nuk pritet të sjellin ndryshime të mëdha cilësore, kështu që, heshtja e Kurtit, nuk besoj se mund të ketë ndonjë përmbajtje paralajmëruese të rëndësishme dhe të dobishme për vendin”, përfundoi Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat