Haki Abazi i kundërpërgjigjet Isa Mustafës, tregon se a deshi t’i bashkohej LDK-së, zbulon detaje nga takimi me të në vitin 2017

Politika

Haki Abazi i kundërpërgjigjet Isa Mustafës, tregon se a deshi t’i bashkohej LDK-së, zbulon detaje nga takimi me të në vitin 2017

Nga: G.B Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 15:49
Isa Mustafa dhe Haki Abazi

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se ish zëvendëskryeministri Haki Abazi, kishe dashur të jetë pjesë e partisë së tij, por që e nuk e ka pranuar.

Sipas Mustafës, Abazi ka dashur të jetë kandidat i LDK-së për kryetar të Ferizajt.

“Edhe Haki Abazi del e thotë e flet si zëdhënës i LDK-së, edhe pse ai na ka lutur të jetë kandidat i LDK-së për kryetar të Ferizajt, por nuk e kemi pranuar. Ne nuk bëjmë kështu, nga rruga e drejt e kandidat”, ka deklaruar Mustafa.

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur Haki Abazi.

Ai ka thënë se Mustafa është në hall, pasi nuk mund ta shpjegojë para elektoratit serinë e humbjeve dhe e vërteta është krejt ndryshe, derisa jep detaje nga takimi me të në maj të vitit 2017.

“Isa Mustafa është ne hall sepse nuk mund ta shpjegojë para elektoratit dhe strukturave të LDK-së serinë e humbjeve. Ai është duke ikur nga përgjegjësia dhe është në panik. E vërteta është krejt ndryshe nga ajo çfarë ka deklaruar Mustafa. Pas rrëzimit të qeverisë Mustafa me 10 Maj 2017, jam ftuar nga Mustafa dhe kemi biseduar se si duhet të dilet nga situata e krijuar pas rrëzimit të qeverisë. Nuk kam kërkuar asnjë gjë të vetme dhe e pranishme në takim ka qenë edhe Vlora Dumoshi”, ka thënë Abazi.

Ai thotë se me Mustafën është takuar edhe njëherë, ku është biseduar për zgjedhjet lokale por që nuk ka kërkuar asgjë, derisa shton se Mustafa po e përdor emrin e tij, pasi kishte humbur zgjedhjet në Prishtinë, si rezultat i angazhimit të Abazit në politikë.

“Po ashtu jemi takuar edhe një herë tjetër në takimin e aranzhuar nga veprimtarë të LDK-së, ku është biseduar për zgjedhjet lokale dhe prapë në asnjë moment nuk kam kërkuar asnjë gjë. Mustafa po e përdor emrin tim sepse e ka të qartë që ka humbur në Prishtinë në zgjedhjet komunale dhe po ashtu ka humbur në nivelin nacional dhe humbja e tij është rezultat i angazhimit tim direkt në politikë. Mustafa e ka të qartë edhe nga Podujeva se LVV përveç që do të marre mbi 50%, elektorati i LDK-së, veprimtarët e vërtetë të çështjes kombëtare do ta dënojnë rëndë për tradhtitë politike dhe lojën e ndytë që ka luajtur me Thaçin për interesat e ngushta”, është shprehur ai.

Abazi shton se Thaçin dhe Mustafën i bën bashkë hidhërimi dhe inati dhe se Thaçi para se të shkonte nxori lajme të rreme për të, ndërsa Mustafa nuk e di se ku do të shkojë kështu.

“Lidhur me mua, ajo që e bënë bashkë Thaçin dje Mustafën, është hidhërimi dhe inati. Thaçi para se të shkojë në Hagë kishte lansuar një seri lajme të rreme për mua dhe shkoi, nuk e di se ku do të shkoje Mustafa me këto gënjeshtra”, ka deklaruar Haki Abazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat