Lufta partive politike për presidentin e ardhshëm, “zbulohet” skenari i Ramush Haradinajt – ja qëllimi i tij me LDK-në

Politika

Lufta partive politike për presidentin e ardhshëm, “zbulohet” skenari i Ramush Haradinajt – ja qëllimi i tij me LDK-në

Nga: N. H Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 21:03
Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj

Ndonëse mandati u.d presidentes Vjosa Osmani pritet të zgjas edhe për pak muaj, tashmë veçse kanë filluar diskutimet për personin që do ta zë vendin e presidentit aktual.

Deri më tani thuajse të gjitha subjektet politike kanë shprehur pretendimet e tyre për këtë post, teksa nga partnerët e koalicionit qeverisës është paralajmëruar edhe prishja e tij po për shkak të këtij pozicioni.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vazhdon të insistojë se kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj duhet të jetë president i ardhshëm i vendit. AAK vlerëson se Haradinaj është person unifikues, ashtu siç e kërkon mandati i presidentit.

Në lidhje me këtë çështje, profesor Sylejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot” deklaroi se “kokëfortësia” e lideri të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për postin e presidentin, i ka humbur arsyen, mendjen e sytë, aq sa edhe është errësuar përderisa mendon se vetëm me 13 deputetë mund të vije në krye të shtetit.

Image
Sylejman Mehazi

“Pasionet e mëdha për pushtet të Ramush Haradinajt ia kanë humbur arsyen, mendjen e sytë, aq është errësuar sa që me të vërtetë mendon se do bëhet president me 13 deputetët e tij. Kjo dëshirë e flaktë e tij për ta marrë postin e presidentit të Kosovës është duke na çuditur të gjithëve, se, pse kryetari i AAK-së është aq i dashuruar për postin e presidentit kur partia e tij doli forcë e katërt gjatë zgjedhje të fundit parlamentare të tetorit, prej nga e si do bëhet kryetar i Kosovës pa dy të tretat e votave të deputetëve në parlamentin e Kosovës”, ka thënë profesor Mehazi.

Madje, njohësi i cështjeve politike, është i mendimit se Haradinaj edhe është gjendje ta prishë këtë koalicion dhe qeverinë aktuale vetëm se ai të bëhet president.

“Aq e ka pëlqyer veten sa që nuk mendon fare se ku shkoi e kujt ia dha Çakorrin Haradinaj, aq e ka pëlqyer veten sa që fare se di se ndaj popullit të Kosovës është bërë i neveritshëm e i padurueshëm. Aq posti i presidentit e ka pasionuar sa që nuk gjen mënyra tjera dialoguese me partnerët e koalicionit sa që është në gjendje ta prishë këtë koalicion vetëm se ai të bëhet president”, shprehet ai.

Krejt në fund, Mehazi thekson se insistimi i Ramush Haradinajt nuk është e rastësishme, por krejt e qëllimshme në mënyrë që ta friksojë Lidhjen Demokratike të Kosovës të Isa Mustafës.

“Këmbëngulja e tij për president nuk është e rastësishme, por e qëllimshme, pikërisht këmbëngulja e tij për kryetar të Kosovës e frikëson koalicionin, LDK-në, se nëse nuk përkrahin Haradinajn ai do detyrohet të plotësojë kërkesën e Albin Kurtit për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Por, edhe për një marrëveshje të ardhshme të AAK-së me LVV-në për të qeverisur së bashku në qeverinë e ardhshme”, tha krejt në fund, profesori dhe njohësi i cështjeve politike në vend, Sulejman Mehazi, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat