REL: Lajçakut me gjasë edhe një mandat për dialogun e Kosovës dhe Serbisë

Politika

REL: Lajçakut me gjasë edhe një mandat për dialogun e Kosovës dhe Serbisë

Nga: B.S. Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 08:27
Miroslav Lajçak

Mandati i përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun e Kosovës dhe Serbisë Miroslav Lajçak ka shumë të ngjarë të ripërtëritet, i kanë thënë burime evropiane Radios Evropa e Lirë (REL)

"Është mjaft e sigurt të supozohet se mandati i Lajçakut automatikisht do të zgjatet për një vit tjetër," i ka thënë REL-it një zyrtar evropian, duke theksuar se kjo mundësi është në tryezë për sa kohë që merret parasysh që një marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk do të arrihet deri në fund të mandatit të tij.

Lajçak, i cili mori detyrën në prill të këtij viti për t'u marrë drejtpërdrejt me procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, u emërua për një vit. Mandati i tij aktual skadon më 31 mars 2021.

Mirëpo, siç shpjegoi zëdhënësi i BE-së Peter Stano, mandatet e të gjithë përfaqësuesve të veçantë përcaktohen në një vit dhe zgjaten ose rinovohen rregullisht, për sa kohë që vendet anëtare të BE konsiderojnë se ka ende çështje për të cilat është krijuar posti.

Stano tha se në rastin e Lajçakut, afrimi i fundit të mandatit të tij zyrtar nuk do të thotë që dialogu do të ndalet ose se ndërmjetësimi i BE-së do të ndalet.

Që nga emërimi i Lajçakut dhe rifillimi i dialogut, përfaqësuesit e BE-së kanë thënë vazhdimisht se marrëveshja do të arrihet brenda disa muajsh.

Mirëpo, që nga rifillimi i dialogut në korrik, Lajçak ka arritur të organizojë vetëm tri takime në nivelin më të lartë politik, megjithëse ai synonte të mblidhte udhëheqësit çdo tri javë.

Takimi i fundit midis presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti u mbajt më 7 shtator, kur pala serbe ngriti çështjen e Asociacionit të komunave kerbe në Kosovë.

Në ndërkohë, takimet e ekspertëve kanë vazhduar, me synimin për të arritur marrëveshje në parim për temat të cilat i hapin liderët. Deri më tani, janë mbajtur shtatë takime të nivelit të ekspertëve, me vetëm dy çështje të rëna dakord, në lidhje me bashkëpunimin për të zhdukurit dhe bashkëpunimit ekonomik.

Në takimin e fundit në nivelin e ekspertëve të mbajtur në 10 dhjetor, Lajçak deklaroi se negociatat midis dy palëve në Bruksel do të vazhdojnë vitin e ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat