Kosova në situatë delikate për të lëvizur drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare

Politika

Kosova në situatë delikate për të lëvizur drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare

Nga: D.B. Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 18:06
Foto Ilustrim

Sigurimi i sovranitetit dhe integritetit territorial në Kosovë përveç me mjete ushtarake, politike dhe ekonomike, mund të arrihet edhe me krijimin e aleancave dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare.

Kështu ka vlerësuar njohësi i Integrimeve Evropiane Sami Blakaj i cili në një prononcim për gazetën “ Bota sot” ka thënë se Kosova është në një situatë mjaft delikate për të lëvizur drejt anëtarësimit në organizata e mekanizma ndërkombëtarë.

Image
Sami Blakaj

Sipas tij, për të marrë një ulëse në OKB, Kosova mund të përballet me sfidën e mbështetjes nga Rusia dhe Kina.

“E them këtë, pasi Rusia dhe Kina në Këshillin e Sigurimit mund ta bllokojnë aplikimin e Kosovës që të mos dalë fare në Asamblenë e Përgjithshme, ku duhen dy të tretat e votave (2/3) që një shteti i duhen për anëtarësim”, ka thënë Blakaj.

Ai konsideron se pengesat aktuale që i ka Kosova para vetes për anëtarësim në OKB apo organizata e mekanizma tjerë ndërkombëtarë, mund të shmangeshin nëse ndërkohë arrihet marrëveshja për normalizim të raporteve me Serbinë dhe njohje nga ana e saj.

“Nëse arrihet marrëveshja për normalizim të raporteve me Serbinë dhe njohje nga ana e saj, atëherë më pas çdo rrugë tjetër do të zgjidhej. Hapi tjetër për Kosovën do të ishte anëtarësimi në NATO dhe hapja e negociatave në BE” ka thënë njohësi i Integrimeve Evropiane Sami Blakaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat