Shkarkohet shefi i AKI-së, por kujt t’i kërkohet përgjegjësi për rastin “kasaforta”, çfarë kishte aty?

Politika

Shkarkohet shefi i AKI-së, por kujt t’i kërkohet përgjegjësi për rastin “kasaforta”, çfarë kishte aty?

Nga: G.B Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 13:18
Kreshnik Gashi

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, kërkoi dje lirimin e pozitës së shefit të AKI-së nga Kreshnik Gashi.

Këtë e ka bërë të ditur Hoti përmes një postimi në Facebook.

“Kam kërkuar nga z. Kreshnik Gashi, lirimin e detyrës së drejtorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI)”, shkroi Hoti në Facebook.

Edhe nga presidenca tha se janë pajtuar për këtë bashkë me kryeministrin Hoti.

Lidhur me këtë, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë për gazetën “Bota sot” se një veprim i tillë është dashur të analizohet mirë.

Image
Drizan Shala

“Në lidhje me shkarkimin e z.Gashit nga kjo pozitë, unë mendoj që një veprim i tillë ish dashur të analizohet mirë, bazuar në atë që pozita me të cilin ngarkohen personat në fjalë, në mënyrë të drejtpërdrejt kanë barrën e sigurisë nacionale të vendit”, është shprehur ai.

Sipas Shalës, lidhur me rastin e kasafortës në Presidencë, duhet të kërkohet përgjegjësi se kush e ka urdhëruar shkuarjen e zyrtarit aty dhe se a ishte në dijeni kryeinspektori për atë veprim.

“Nëse i referohemi rastit quajtur "kasaforta" unë e vlerësoj që derisa prokuroria ka dalë me një konstatim që nuk ka hapësirë për vepër penale, të mos shkarkohet drejtori por të kërkohet përgjegjësi se kush e ka urdhëruar shkuarjen e zyrtarit në Presidencë. Si është bërë vlerësimi i informatës? A është vërtetuar informata nga tre e më shumë burime të pavarura nga njëra-tjetra? A ishte në dijeni Kryeinspektori për një veprim të tillë? Pra përmes procesit të shkarkimit nuk po vihen para përgjegjësit dhe akterët e këtij veprimi”, ka vlerësuar Shala për “Bota sot”.

Ai shton se ligji për AKI-në është i qartë për qasjen e personave në informacione, pasi janë ata që i prodhojnë ato dokumente dhe mund t’i tërheqin.

“Ligji për AKI-në dhe informacionet e klasifikuara është i qartë sa i përket qasjes së personave në informacione që i klasifikon në rastin konkret AKI-ja. Pra këto dokumente janë të prodhuara nga vet ky mekanizëm dhe nga kjo nënkuptohet që këta janë të vetmit që mund t’i tërheqin ato informacione nga të cilat mund të cenohet siguria nacionale e vendit”, ka theksuar ai.

Shala po ashtu thotë se në të ardhmen është mirë që në pjesën ku janë të vendosura kasafortat, të ketë kamera dhe të monitorohen nga AKI dhe Zyra e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

“Bazuar në një standard që rregullohet përmes procedurave operacionale hapja, qasja, kontrollimi i këtyre dokumentacioneve, AKI-ja nuk ka shkelur procedurën e standartizuar për qasjen në këto dokumente. Por në të ardhmen është mirë që pjesa ku janë të vendosur kasaforta (Kryeministri, Presidencë) të ketë monitorim nga kamerat e sigurisë të cilat i monitoron: AKI-ja dhe Zyra e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Dhe që rastet të tilla mos të ri-përsëriten”, ka deklaruar Drizan Shala për ”Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat