Paralajmërohet përplasja e madhe, Bekimi e ‘zbardhi’ luftën e Sami Lushtakut!

Politika

Paralajmërohet përplasja e madhe, Bekimi e ‘zbardhi’ luftën e Sami Lushtakut!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 19 dhjetor 2020 Në ora: 13:29
Bekim Jashari dhe Sami Lushtaku

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari në një emisionin televiziv, ka bërë akuza të rënda në drejtim të ish-komandantit të UÇK-së në Drenicë, Sami Lushataku

Ai ka thënë se sipas informatave që i kam marrë nga qytetarët, Sami Lushtaku ka qëndruar larg fronteve të luftës, shumë rrallë është ardhur tek lagjja e Lushtakëve.

“Nuredin Lushtaku dhe Bashkim Jashari kanë qëndruar gjatë tërë kohës tek Lagja e Lushtakëve. Nura dhe Bashkimi kanë thënë se Samiu shumë rrallë ka ardhur tek Lushtakët edhe kur ka ardhur ka ndjetë pak dhe ka ikë. Ka ndjetë në Kotorr edhe Radishëve me njësinë speciale të UÇK, së, atje s’ka pasur zone luftë”

Jashari ka thënë se Sami Lushtaku për pesë vite ka qëndruar në Gjermani nga viti 93 deri në vitin 98.

“Gjatë luftës kemi pranuar që Samiu me qenë komandat, edhe pse kishte qenë pesë vite në ekzil nga 93 deri në vitin 98 dhe kthehet pas rënies së familjes tonë. Rrethi i ngushtë i Adem Jasharit kanë qenë: Nuredin Lushtaku, Bashkim Jashari, Ilaz Kodra, Fadil Kodra, Zenun Kodra, Jetullah Geci, Sulejman Selimi, Rexhep Selimi, që kanë qenë celula e parë e UÇK-së në Drenicë dhe janë vetë se kush me qenë komandant dhe të gjithë këta që i përmenda kanë qenë në Kosovë. Pas vrasjes së Adem Jasharit me 7 mars, komandantët nuk ju kanë prirë ushtarëve, por kanë qëndruar prapa tyre, komandantët që kanë qëndruar krahë për krah me ushtarë, thuajse asnjë s’është i gjallë. E di shumë mirë ku kanë qëndruar, nuk kanë qëndruar në vija të frontit, e dinë fort mirë ku kanë ndenjur ata. Edhe pse nuk e meritonte pozitën e komandantit, ne ja kemi dhënë. Ka pasur diskutime se kush duhet të bëhet komandant, ka pasur zëra pse Samia, kur ka ikur që 5 vite në ekzil dhe nuk e meriton të bëhet komandant, ai në gjermani ka ndenjur, ndërkohë që ata kanë qëndruar në luftë. Mos me e pas përkrah ne rrethi i ngushtë i Adem Jasharit nuk e kishin lënë ta bëjnë komandant”, ka thënë ndër të tjera Bekim Jashari.

Nga ana tjetër për akuzat e kreut të Skenderajt, Bekim Jasharit në drejtim të Sami Lushtakut dhe Hashim Thaçit ka reaguar edhe analistët politik në vend.

Haziri: Kjo luftë do të ashpërsohet

Analisti politik Nexhat Haziri ka thënë për gazetën “Bota sot” se këtu është një luftë për pushtet dhe sa më afër që të vije data e zgjedhjeve lokale.

Sipas tij, kjo luftë do të ashpërsohet në mes dy pretendentëve për kryetar të Komunës së Skenderajt, kryeartit aktual Bekim Jasharit dhe ish-kryetarit Sami Lushtakut.

Image
Nexhat Haziri

“Unë nuk shoh se tashmë këto përplasje në mes tyre bëhen për parime apo koncepte të ndryshme qeverisëse në këtë komunë, pasi nuk ka dallime esenciale as në qeverisjen aktuale të z. Jashari, pasi vazhdon monopoli i përfitimit të tenderëve nga firma të njëjta që ishin të afërta me ish-kryetarin Lushtaku, e një pjesë firmave janë po ashtu të lidhura edhe me nënkryetarin Nuredin Lushtaku. Pra është e njëjta shkollë e qeverisjes në komunën e Skenderajt dhe e gjithë lufta do të bëhet se kush po e merr timonin e drejtimit të pushtetit komunal pas zgjedhjeve komunale të vjeshtës së vitit të ardhshëm”, ka thënë analisti politik Nexhat Haziri.

Burjani: Blloku i luftës po vjen duke u përçarë

Ndërsa njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani ka thënë se kjo është e panevojshme, pasi blloku i luftës po vjen duke u përçarë

Sipas tij, po vjen ndikimi i tyre në politik i cili duhet të reduktohet, pasi arrestimi i liderëve të PDK –së po ndikon shume keq në këtë subjekt, që do të vij duke humbur ndikimin politik në shtet.

Image
Blerim Burjani

“Kur ti shtohet kësaj edhe imazhi i korrupsionit dhe gjërave tjera negative, atëherë këto subjekte të dala nga lufta po vijnë duke e humbur peshën e ndikimit. Politika e "luftës" po reduktohet dhe do të reduktohet edhe më tej, meqë dihen edhe arsyet. Lind pyetja pse? Që janë të shumta Periudha e qeverisjes së krahut të luftës tash e 20 vite janë bërë dhe tani kjo epokë nuk dihet se a do të vazhdojë apo do të reduktohet si them shumë”, ka thënë Burjani.

“Qeverisje meritore quhet qeveria efikase, në dobi të qytetarëve dhe shtimin e asetëve dhe pasurive publike. Por kjo fatkeqësisht nuk ka ndodhë, dhe kemi pas një gjysmë anarki dhe disa situata edhe gjysmë anarki e hutim. Qytetarët u lodhën shumë, dhe tani është koha e mllefit politik, i cili do të triumfojë si duket. Zhvillimet janë të kësaj natyre apo trendi”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani.

Mehmeti: Reagimi i Bekim Jasharit është një veprim heroik

Kurse analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se familja Jashari janë të detyruar të reagojnë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ndaj ish-kreut të Skenderajt, Sami Lushtakut, pasi Bekim Jashari e di shumë mirë se çfarë ka bërë Lushtaku në Drenicë dhe çfarë dëme të mëdha dhe hajnie është bërë aty.

Image
Faton Mehmeti

“Familja Jashari e ka kuptuar se kush është Hashim Thaçi dhe Sami Lushtaku, andaj janë të detyruar që të reagojnë kundër kësaj klike banditeske, që ka kapur Kosovën. Bekim Jashari e di shumë mirë se çfarë ka bërë Sami Lushtaku në Drenicë, dhe tani që është kryetar e sheh edhe më mirë se çfarë dëme të mëdha, dhe çfarë hajnie e madhe është bërë aty, dhe si Familje legjendare Jashari nuk mund të pranojnë një gjë të tillë”, ka thënë analisti Mehmeti.

Mehmeti e quan reagimin e Bekimit të kuptueshëm, dhe veprim heroik i një njeriu që ka dhënë çdo gjë për Kosovën, andaj nuk mund të lejoj që të vazhdohet të vidhet akoma.

“Thaçi dhe Lushtaku kanë vjedhur edhe në varrezat e Jasharajve, andaj Bekimi reagon, dhe është krejt normale kjo gjë. Bekimi dhe familja Jashari ka gjithë të drejtën të reagoj kudo që nuk shkon mirë, dhe s’ka si mos të reagoj ndaj dyshes Thaçi-Lushtaku, kur këta dy kanë vjedhur Skenderajn, Kosovën dhe shqiptarët, për të cilët familja Jashari dha 53 anëtarë të tyre”, përfundon Faton Mehmeti.

Ndryshe, Bekim Jashari ka thënë se sipas informatave që i ka marrë nga qytetarët, Sami Lushtaku ka qëndruar larg fronteve të luftës, shumë rrallë është ardhur tek lagjja e Lushtakëve, ku shtoi se Lushtaku për pesë vite ka qëndruar në Gjermani nga viti 93 deri në vitin 98.

Jashari ka treguar edhe arsyen se pse nuk flasin Thaçi me të birin e komandantit legjendar Lulzim Jashari. Sipas tij, ishte mos sinqeriteti dhe burrnia e Hashim Thaçit direkt me Lulin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat