Janjiq: Politikanët e Kosovës do të merren me veten gjashtë muajt e ardhshëm, dialogu shtyhet

Politika

Janjiq: Politikanët e Kosovës do të merren me veten gjashtë muajt e ardhshëm, dialogu shtyhet

Nga: B.S. Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 12:27
Dushan Janjiq

Drejtori i Forumit për marrëdhënie etnike, Dushan Janjiq, vlerësoi sot se në gjashtë muajt e ardhshëm, politikanët në Kosovë do të merren me veten dhe rishpërndarjen e pushtetit, i cili do të ngadalësojë negociatat me Beogradin.

"Zgjedhjet duhet të caktohen për 40 ditë. Duhet të supozohet se qeveria aktuale do të zgjasë deri në skadimin e këtij afati. Pason fushata, pastaj vetë zgjedhjet, duke përcaktuar rezultatet dhe punët tjera, që e tëra do të zgjasë të paktën deri në mes të vitit të ardhshëm," i tha ai agjencisë serbe Beta, duke komentuar vendimin e mbrëmshëm të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

"Sa i përket dialogut me Beogradin, ky është një tjetër sinjal i qartë për të gjithë, përfshirë Uashingtonin dhe Brukselin, se në të vërtetë nuk mund të bëjnë asgjë me këto elita politike. Ata duhet të presin për shenja gatishmërie për kompromis," tha Janjiq.

"Në thelb, gjithçka po shtyhet. Serbia tashmë është në një lloj fushate elektorale. Kur Kosova të përfundojë zgjedhjet në Serbi, fushata për zgjedhje të parakohshme do të marrë vrullin e plotë. Pastaj, në 2022, do të pasojnë zgjedhjet në Serbi, të cilat do të zgjasin më tej bllokadën e negociatave," shtoi ai.

Janjiq beson se zgjedhjet nuk do të sjellin ndonjë rishpërndarje të rëndësishme midis Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Vetëvendosjes së Albin Kurtit dhe se kjo do të thotë "një përsëritje e asaj që pamë".

Sipas Janjiqit, skena politike në Kosovë është e fragmentuar, e paralizuar reciprokisht, nuk ka mbizotërim të asnjë prej partive dhe blloqeve, por "zgjedhjet janë sigurisht një mënyrë më e mirë për të zgjidhur problemet sesa gazi lotsjellës në parlament, bllokadat dhe të ngjashme."

Janjiq mendon se Bashkimi Evropian ka bërë gabim, sepse nuk e përcaktoi me kohë formatin e negociatave midis Beogradit dhe Prishtinës dhe "e lidhi atë me funksionet dhe jo me njerëzit".

"Ndryshimi i formatit është e vetmja përgjigje racionale e SHBA-së dhe BE-së. Negociatat duhet të mbeten brenda kompetencës së BE-së dhe bartësit e tyre duhet të jenë njerëz që mbajnë funksione, pavarësisht nëse janë në një mandat teknik," tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat