Zhvillimet dramatike në Kosovë: Ja çka solli vendimi i Kushtetueses - kjo ndodhë pas zgjedhjeve

Politika

Zhvillimet dramatike në Kosovë: Ja çka solli vendimi i Kushtetueses - kjo ndodhë pas zgjedhjeve

Nga: P.R Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 19:27
Avdullah Hoti

Gjykata Kushtetuese e ka dërguar Kosovën në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh. Kjo erdhi pasi Kushtetuesja vendosi në favor të Lëvizjes Vetëvendosje, duke e shpall të pavlefshme votën pro Qeverisë Hoti të deputeti, Ethem Arifi, i cili ishte i dënuar me burgim prej një vit e tre muaj, dhe ishte votë përcaktuese për qeverinë.

Lidhur me zhvillimet dramatike që kanë ndodhur dje dhe sot në Kosovë, për gazetën “Bota sot”, ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dëshmoi edhe njëherë se në Kosovë funksionon demokracia dhe e drejta. Në këtë aspekt ky vendim duhet përshëndetur sepse qeveria Hoti edhe me votën e deputetit Arifi nuk kishte legjitimitet të plotë dhe për pasojë krizat politike e ato ekonomike do ta shoqëronin deri në fund”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, Kosova ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale e të përgjegjshme për fatet e vendit.

Image
Enver Bytyçi

“Vendimi i GJK jo vetëm rivendosi legjitimitetin e qeverisjes, por lehtësoi përpjekjet e aktorëve dhe faktorëve politikë si dhe institucioneve të Kosovës që përmes zgjedhjeve të parakohshme të realizojnë një qeverisje legjitime dhe komplementare në të gjitha institucionet. Faktori shqiptar në Kosovë duhet të kuptojë se sa herë qeverisja kushtëzohet nga dora e zgjatur e Beogradit, pra nga Lista Srpska, krizat politike dhe jo vetëm do të jenë të pranishme. Falë zotit që Kosova nuk është Shqipëri dhe ka një gjykatë kushtetuese funksionale e të përgjegjshme për fatet e vendit”, thekson profesor Bytyçi.

Sipas tij, mosnjohja e votës së deputetit Arifi për formimin e qeverisë Hoti, e bën të pavlefshëm votimin e kësaj qeverie në prillin e këtij viti.

“Pavlefshmëria e këtij votimi sipas Gjykatës nuk do të thotë edhe pavlefshmëri e vendimeve dhe veprimtarisë së kësaj qeverie. Në fakt pritshmëritë për qeverinë Hoti ishin zero, duke pasur parasysh faktin se atë e prodhoi pazari politik i Thaçit, Mustafës, Grenellit nën regjinë e Beogradit. Megjithatë zoti Hoti, pavarësisht kësaj mendoj se ruajti një ekuilibër të mirë në jetën politike dhe funksionimin e institucioneve të shtetit. Performanca e tij personale dhe e shumë ministrave të kabinetit të tij nuk janë për t'u qortuar në çdo gjë e për gjithçka. Por vendimi i GJK defunksionalizoi edhe përpjekjet e Hashim Thaçit e Ramush Haradinajt për të blerë me premtime emërimesh si konsull të deputetit të AAK-së”, shprehet Bytyçi.

“E jo vetëm kaq, i ndërpreu përpjekjet e pretendëntëve për të zënë postin e presidentit që përmes presionit ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme. Ky vendim ndërpreu gjithashtu përpjekjet e Listës Srpska për të bllokuar institucionet e vendit, përfshirë dhe bojkotin e qeverisë dhe mbledhjeve të saj. Pra ky vendim ka shumë pasoja pozitive”.

Bytyçi shton se Gjykata Kushtetuese po i jep një mundësi Kosovës që të dalë nga kriza e thellë politike.

“Mbi të gjitha Kosova tashmë duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Që do të thotë se Gjykata Kushtetuese nuk e futi vendin në krizë politike, por po i jep Kosovës një mundësi për të dalë nga kjo krizë e thellë dhe e pajustifikueshme. Zgjedhjet unë i kam parë si zgjidhjen e vetme për të dalë nga kriza e zgjedhjes së presidentit të vendit. Zgjedhjet tashmë janë pas dere. Sot presidentja në detyrë, zonja Osmani, filloi konsultimet për të caktuar datën e zgjedhjeve. Ato do të prodhojnë një parlament të ri. Mosfunksionimi I këtij parlamenti ka dhënë shkas që sovrani, qytetari të përpiqet t'i japë zgjidhje kësaj çështjeje. Kjo do të thotë se partitë që nuk kanë qenë më parë në qeverisje do të dalin me rezultat pozitiv e në rritje. Por a do të krijojnë ato një shumicë absolute? Vështirë të ndodhë. Megjithatë varet nga fushata elektorale, nga programet, idetë, alternativat dhe aktiviteti elektoral se sa mund të jetë rritja”, thekson Bytyçi.

Profesor Bytyçi pret që LDK dhe PDK të kenë rezultate jo të mira në zgjedhje.

“E sigurt është se Lidhja Demokratike dhe Partia Demokratike do të kenë ulje të ndjeshme. Lidhja Demokratike e ka një shans, nëse sot e deri nesër Isa Mustafa jep dorëheqjen dhe thërret Vjosa Osmanin në drejtimin e saj. Sigurisht unë nuk e di nëse Vjosa rikthehet, por rikthimi i saj pas ikjes së Isës dhe enturazhit të tij në LDK, ajo mund të kontribuonte për ri ngritjen e partisë së Ibrahim Rugovës. Kjo presupozon rikthimin e një aleance të qëndrueshme midis LDK-së dhe Vetëvendosjes, e cila do të drejtonte vendin pas zgjedhjeve të ardhshme. Por nuk besoj në këtë formulë, sepse kemi të bëjmë me një lidership të kapur, që as ka menduar dhe as mendon për fatin e Lidhjes Demokratike. Thjesht e them këtë për të hedh në erë një dëshirë timen”.

“Nëse do të kemi pas zgjedhjeve një qeveri të re solide, nuk besoj se do të ketë më tej ngërç politik. Në kushtet e një qeverie legjitime dhe solide opozita do të votonte ose së paku do të ishte e pranishme në votimin e presidentit të ri. Por edhe mund të gjendej ndonjë formulë e pranueshme. Pas zgjedhjeve ka nevojë që të ftohen kokat e nxehta dhe të mendojnë për shtetin e forcimin e tij, në vend se për interesat vetjake e partiake të tyre”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat