Dy emrat për kryeministër nga LDK, analisti jep parashikimin: Ja kush do t’i fitojë zgjedhjet

Politika

Dy emrat për kryeministër nga LDK, analisti jep parashikimin: Ja kush do t’i fitojë zgjedhjet

Nga: N. H Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 10:15
Lidhja Demokratike e Kosovës

Gjykata më 21 dhjetor e rrëzoi Qeverinë Hoti, të zgjedhur më 3 qershor, me arsyetimin se është kundërkushtetuese, pasi vota e deputetit Etem Arifi, i dënuar me burgim prej një vit e tre muaj, ishte përcaktuese për qeverinë. Gjykata kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Partitë politike në vend tashmë kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet e reja, raporton gazeta “Bota sot”.

Disa nga partitë tashmë kanë bërë publike edhe emrat e kandidatëve për kryeministër. “Bota sot” mbrëmë ka raportuar se nga PDK-ja do të jetë kandidat ushtruesi i detyrës së kryetarit, Enver Hoxhaj. Kurse, nga ana tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka konfirmuar se Ramush Haradinaj do t’i prijë edhe kësaj here listës, dhe njëherit do të jetë kandidat për kryeministër.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Mehmeti, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka folur për zgjedhjet e reja që priten të mbahen në fillim të muajit të ardhshëm.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit do të shënojë rritje në këto zgjedhje, me rreth 10 deputetë më shumë se që ka aktualisht.

Image
Faton Mehmeti

“Realisht, shpesh herë vota e qytetarit ka ditur të befasojë parashikimet, megjithatë, në bazë të disponimit të përgjithshëm pritet që Lëvizja Vetëvendosje të shënojë rritje. Sa do jetë kjo rritje ende askush nuk e di, mirëpo gjasat reale janë që të merr diku 10 deputetë më shumë se aktual. Ndërkohe, që Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të shënojë rënie, largimi i ish-nënkryetares Vjosa Osmani do të ndjehet në këtë parti”, shprehet fillimisht analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Mehmeti konsideron se partia e Isa Mustafës nëse pretendon të ketë një sukses nga këto zgjedhje duhet të zgjedh mes Lumir Abdixhikut dhe Kujtim Shalës.

“Realisht, Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të kandidojë Lumir Abdixhikun, eventualisht Kujtim Shalën, pra dikë nga brezi i ri. Nëse ‘ia pi sorra mend Isës’ dhe nominon vetën për kryeminator, atëherë Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kalon më shumë se 10 për qind. Megjithatë, pavarësisht se kë nominon Lidhja Demokratike e Kosovës, rënia do jetë e pashmangshme, pasi elektorati ndjehet i tradhtuar nga kryesia e saj. Në anën tjetër u.d presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ka shumë kohë për t’u përgatitur, ajo nuk duhet të dal me listë të saj pa u bashkuar me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi rrezikon shumë”, deklaron njohësi i çështjeve politike.

Ndërsa, në fund, ai paralajmëron se largimi i Vjosa Osmanit do ta dëmtojë LDK-në, kurse parashikon se kjo e fundit do të garojë në një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Vjosa Osmani s’ka akoma konsolidim të listës së saj, kështu që është kohë e shkurtër. Gjithsesi, Vjosa Osmani e dëmton Lidhjen Demokratike të Kosovës, por as veten nuk e rritë. Në këtë sens, kryetarja e Kuvendit në detyrë e ka më të sigurt me listën e saj të kandidojë nën siglën e Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit”, tha krejt në fund, analisti i çështjeve politike në vend, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka nisur tashmë konsultimet me liderët e partive politike për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Gjatë konsultimeve me Osmanin, partitë kanë përmendur fundin e janarit dhe fillimin e shkurtit, si periudhë kur do të mund të mbaheshin zgjedhjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat