“U tregua frikacak”, profesori tregon arsyet pse Edi Rama po e sulmon Vjosa Osmanin

Politika

“U tregua frikacak”, profesori tregon arsyet pse Edi Rama po e sulmon Vjosa Osmanin

Nga: P.R Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 19:30
Edi Rama dhe Vjosa Osmani

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë një konference me gazetarët ka folur edhe për deklaratat e Presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani, pasi kjo e fundit tha se Shqipëria dhe Kosova nuk duhet të kenë tra mes tyre.

"Akoma më grotesk është debati për traun. Paraqitet trau i pagesës së rrugës si kufi për Kosovën. Kjo është të bësh politik të brendshme me një çështje administrative të vendit fqinj. Dhe vjen në Tiranë për të bërë propagandë për të fituar vota në Kosovë. Është jo dashamirëse. Ky është një tra në mes të atdheut që do ta paguajnë të gjithë atdhetarët se është një rrugë e atdheut. Se vlen për të gjithë ata që e përdorin rrugën. Shikojeni rrugën dhe zonja Vjosa dhe të gjithë të tjerët mund ta shikojnë se ndryshim ka në çdo pjesë saj falë investimeve që po bëhen. Ishte një rrugë në rrezik dhe tani po bëhet me standarde. Janë dy pika që flasin qartësisht me një sëmundje që e ka prekur dhe po e gërryen politikën në Kosovë duke bërë një alterim të funksioneve politike atë të jashtme dhe të brendshme. Nuk ka lidhje me marrëdhënie konceptuale. Për të kaluar në dimension tjetër me luftën diplomatike me Serbinë. Nuk fitohet lufta kështu duke ardhur në Tiranë duke rrotulluar thikën e nacional folklorizmit vulgar”, ka thënë Rama, duke shtuar

E sipas profesor, doktor Enver Bytyçit, kjo është edhe një dëshmi e mllefit që Edi Rama ka ndaj Kosovës.

Image
Enver Bytyçi

“Edi Rama nuk ka mllef vetëm ndaj politikanëve të Kosovës. Edi Rama ka mllef kundër Kosovës, sepse e sheh atë si pengesë për një marrëdhënie të ngushtë e vëllazërore me Serbinë. Kosova nuk e lejon Edi Ramën të realizojë ashtu si do ai vetë projekte të përbashkëta me Serbinë. Kosova është pengesë për politikat pro-serbe e pro-ruse të Edi Ramës. Kosova dhe shumica dërmuese e politikanëve të saj nuk pajtohen me ndarjen e territorit të saj, plan i cili u hartua nga Rama dhe Vuçiç. Edhe pse Hoti nënshkroi në Uashington minishengenin, ai nuk e ka mbështetur ende atë, sepse e gjithë politika e Kosovës, përfshirë kryeministrin Hoti, janë kundër minishengenit”, thotë Bytyçi.

Profesor Bytyçi tregon arsyet pse Edi Rama së fundi i sulmoi Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin.

“Edi Rama i urren ata që e kundërshtojnë, sepse ka psikologjinë e të qenit "mbi të gjithë"! Edhe miqtë e tij të ngushtë, kur e atakojnë atë, marrin mallkimin e tij të shejtanit! Prandaj Rama i mallkoi Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin. Nuk duron t'i prishen projektet e planet që ka në kokë. Nuk duron që të dalë palaço para miqve të tij në Beograd, sepse u është betuar atyre se asgjë nuk do të shkonte keq në arritjen dhe implementimin e një marrëveshje që ndryshonte kufijtë e Kosovës dhe i jepte territoret e saj Serbisë”.

“Por në rastin e tanishëm Edi Rama ka edhe një dilemë të pakapërcyeshme. Ka kuptuar se zgjedhjet e ardhshme në Kosovë do ta kalojunë qeverisjen në duar të Kurtit dhe Osmanit. Ndoshta beson se duke i sulmuar këta i dobëson sado pak nga mbështetja e elektoratit në Kosovë. Por në fakt Kosova dhe qytetarët e saj tashmë kanë kuptuar se kur Edi Rama e sulmon Vjosa Osmanin ose politikanë të tjerë të Prishtinës, ai flet në emër të Beogradit dhe përdor gjuhën e Daçiçit, pasi Vuçiç flet pak si më I moderuar. Madje them se Vuçiç nuk ka asnjë arsye pse të flasë. Në vend të një, ai ka tashmë dy zëdhënës, kryetarin e parlamentit të Serbisë dhe kryeministrin e Shqipërisë. Përveçse zëdhënësin e presidentit të Serbisë, asgjë më shumë nuk reklamoi Edi Rama në akuzat që të enjten ia adresoi Vjosa Osmanit kryesisht, por edhe Albin Kurtit!”, shton profesor Bytyçi.

Më tej, ai shprehet se Edi Rama është politikani më i dështuar shqiptar.

“Të gjithë njerëzit e parealizuar në jetë, pra të gjithë të dështuarit, i karakterizon ndjenja e mllefit, urrejtjes, hakmarrjes, përçarjes dhe hamërimit. Edi Rama është njeriu më I dështuar në historinë e Shqipërisë. Ka patur edhe të tjerë prej atyre që kanë qenë në pushtet që kanë dështuar në të kaluarën. Por nëse kanë dështuar si menaxherë të punëve të shtetit, kanë shkëlqyer si politikanë. Nëse kanë dështuar edhe si politikanë, kanë shkëlqyer si profesionistë në profesionet që kanë ushtruar. Nëse kanë dështuar të bashkëpunojnë me kundërshtarët, kanë shkëlqyer në harmoninë familjare. Edi Rama është I dështuari I madh I të gjitha kohërave në të gjitha aspektet. Prandaj është e motivuar, e justifikuar dhe objektive që ai të shprehë vetëm urrejtje ndaj kundërshtarëve të mendimit të tij. Ndërsa kur i cenohen projektet e korrupsionit dhe ato anti-shqiptare ai xhindoset, çmendet, nuk e mban vendi derisa të shfryhet!”, thekson Bytyçi.

Sipas Bytyçit, Edi Rama në rastin e reagimit ndaj Vjosa Osmanit u tregua edhe frikacak.

“Priti gati një javë që ta sulmojë atë. Heshti për disa ditë, megjithëse mllefin e zbrazi që gjatë vizitës dhe takimit të tij me të. Si ai qeni, që kur e ke përballë dhe nuk ia lëshon udhën, ikën, mënjanohet dhe kur ti nuk e ke mendjen, nga inati vjen dhe të shqyen pantallonat! Kjo metodë bizantine mesjetare është vesi dhe praktika e të bërit politikë nga Edi Rama. Por kjo dëshmon edhe për diçka tjetër: Ka shumë mundësi që reagimi i Edi Ramës ndaj Vjosa Osmanit dhe akuzat e tij për "nacionalizëm vulgar" të jenë formula dhe porosi që i ka dhënë Beogradi. Formulën e "nacionalizmit vulgar", të cilën Rama e theksoi dhe ritheksoi disa herë, e parapëlqejnë në Beograd, sepse e thënë kjo në gojën e Edi Ramës, i intrigon më shumë bashkëbiseduesit e Vuçiçit dhe Daçiçit në Beograd ose në kryeqendrat e Bashkimit Europian dhe në SHBA. Akuza në fjalë ishte municion për shpifjet dhe propagandën e Beogradit kundër Kosovës. Këtë rol dhe këtë detyrë Rama e luan për mrekulli. Nëse ju kujtohet akuza se "Me mospjesëmarrjen në minishengen Kosova po vet izolohet" e dhjetorit 2019, këtë synim kishte: T'I japë municion udhëheqësve të Beogradit, që ata t'ia arrijnë me fjalët e kryeministrit të Shqipërisë, ta paraqesin Kosovën si "delen e zezë në rajon"!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat