“Vendimi i Kushtetueses i mangët” - analisti kërkon përjashtim nga politika deri në 5 vjet për këta politikanë

Politika

“Vendimi i Kushtetueses i mangët” - analisti kërkon përjashtim nga politika deri në 5 vjet për këta politikanë

Nga: A.Morina Më: 25 dhjetor 2020 Në ora: 22:02
Foto Ilustrim

Gjykata Kushtetuese para disa ditëve, mori vendim për rrëzimin e Qeverisë Hoti dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në vend, shkaku i votës së pavlefshme të deputetit, Etem Arifi.

Ky vendim, shkaktoi shumë reagime në vend, shumica prej politikanëve dhe analistëve politik e mbështeten dhe e pranuan vendimin e Kushtetueses.

Mirëpo, kishte edhe prej atyre të cilët nuk pajtoheshin me vendimin e Kushtetueses dhe e cilësuan si vendim të mangët.

Analisti politik, Gani Qarri, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë Hoti, shkaku i shpalljes së votës së pavlefshme të deputetit, Etem Arifit.

“Ardhja e Avdullah Hotit në krye të qeverisë dhe pushtetit vendor, siç u vërtetua këto ditë, ishte antikushtetuese, ndaj ashtu siç erdhi me votë të kundërligjshme edhe u rrëzua për shkak të konfirmimit të pavlefshmërisë së po asaj vote dhe për pasojë, solli vendimin për zgjedhje të reja e të jashtëzakonshme në vend”, deklaroi Qarri.

Analisti tha se Hoti erdhi në pushtet me manipulimin dhe dallaveret e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës.

“Madje qysh në fillim duhet theksuar se Avdullah Hoti në pushtet u katapultua në mënyrë të kundërligjshme, me votë të pavlefshme, pa i fituar asnjë palë zgjedhje dhe vetëm si rezultat i dallavereve meskine të përçarësve më të mëdhenj të skenës politike në Kosovë, Hashim Thaçit e Isa Mustafës,duke manipuluar qëllimisht me votën e deputetit të dënuar me vendim të plotfuqishëm gjyqësor dhe burgosje me afat mbi njëvjeçar”, theksoi Qarri.

Mirëpo, Qarri tha se vendimi i Gjykatës Speciale ishte i mangët dhe i pamjaftueshëm. Ai kërkoi që Kushtetuesja është dashur t'i shkojë deri në fund obligimit ligjor, duke sanksionuar veprimet destruktive politike të Thaçit dhe Mustafës.

“Por sipas mendimit tim, përgjigjja e Gjykatës Kushtetuese, si organi më i lartë vendimmarrës ligjor në vend, është e mangët dhe e pamjaftueshme.

Gjykata Kushtetues ka për detyrë që ti shkojë obligimit ligjor deri në fund dhe përveç shfuqizimit të aktit antikushtetues dhe shkarkimit të qeverisë në fjalë, duhet të sanksionoi apo referoj për sanksionimin sa më të ashpër ligjor edhe të shkaktarëve të këtyre dhe veprimeve tjera destruktive politike në vend, si Isa Mustafa, Hashim Thaçi, etj”, nënvizoi Qarri.

Madje, Qarri kërkoi edhe përjashtim urgjent nga skena politike deri në 5 vjet për Isa Mustafa dhe Hashim Thaçin. Kjo si mënyrë e ndëshkimit për shkeljet ligjore që kanë ndodhur gjatë qeverisjes qendrore.

“Për skandalin antiligjor dhe antikushtetues, nëse jo me vendim, atëherë me referencë direkte nga Gjykata Kushtetuese, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi duhet përjashtuar urgjentisht, të paktën për 3 vite nga veprimtaria politike dhe marrë të drejtën deri në 5 vjet, për kandidim në zgjedhjet e ardhshme për pushtet lokal dhe atë shtetëror, me mundësi kthimi në politikë vetëm pas 5 vitesh dhe nën kushtëzimin ligjir të mos përsëritjes së akteve të tilla, në të ardhmen”, tha Qarri.

Ai dënimet e këtyre politikanëve, i sheh si mënyrë vetëdijesimi për të gjithë akterët e skandaleve ligjore dhe manipulatorët e tjerë.

“Vetëm në këtë mënyrë, këta dhe të gjithë akterët e skandaleve ligjore dhe manipulatorët e tjerë ,të njohur e të panjohur politik në vend, përfundimisht do të kuptonin se veprimet kundërligjore e antikushtetuese dënohen dhe pasohen me sanksione të rënda e adekuate ligjore”, tha analisti.

Qarri në fund, u shpreh se pezullimi deri ne 5 vjet nga aktiviteti politik dhe pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje është shembulli më i mirë që të mos përsëriten veprimet kundërligjore.

“Pezullimi i tyre, për 3 deri në 5 vite nga aktiviteti politik dhe pjesëmarrja në zgjedhje do të bëhej shembulli më i mirë edhe për të tjerët, se çfarë i pret në të ardhmen, nëse provojnë të përsëritin hapat e tillë antikushtetues dhe ndërmarrin veprime të njëjta apo të ngjashme kundërligjore”, përfundoi Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat