“Diaspora është zemra e Kosovës”

Politika

“Diaspora është zemra e Kosovës”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 26 dhjetor 2020 Në ora: 08:45
Foto Ilustrim

Ditë më parë u panë reagime të shumta ndaj një postimi të gazetarit Valon Syla, i cili kishte ofenduar rëndë diasporën shqiptare.

Ai ju kishte bërë kërkesë që të vijnë në Kosovë dhe të forcojnë ekonominë e Kosovës, mirëpo krahas kësaj kërkese kishte përdorur edhe fjalë të rënda ofenduese ndaj tyre.

Mirëpo, ky ofendim i tij i kushtoj rëndë, pasi u sulmua nga një qytetarë si shkak i këtyre ofendimeve. Edhe pas këtij rasti ka pasur reagime të shumta. Ndërkaq vetë gazetari Syla është arsyetuar se nuk ka pasur qëllimin t’i ofendoj ata.

Diaspora shqiptare është parë si një ‘krah i djathtë’ për Kosovën, duke forcuar ekonominë dhe duke dalë në ndihmë sa herë ishte nevoja.

Njohësit e çështjeve politike në vend duke lavdëruar rolin e diasporës dhe duke e quajtur si asetin më të çmuar të Kosovës, po e ofendojnë personat që kanë për qëllim të marrin vëmendje dhe të bëhen të famshëm.

‘Pa diasporën Kosova nuk do të ishte sot’

Kështu, analisti politik, Faton Mehmeti thotë se diaspora është zemra e Kosovës dhe janë ata që e kanë mbajtur gjithmonë këtë vend.

Image
Faton Mehmeti

“Fatkeqësia më e madhe është se sot çdo kujt i është dhënë mundësia më pas një llogari në facebook dhe me ofendu diasporën. Diaspora është zemra e Kosovës, dhe këtu s’ka dilema. Pa diasporën Kosova nuk do të ishte sot, janë ata që e kanë mbajtur këtë vend gjithmonë, para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës. E drejta e të shprehurit është dhe duhet mbrohet, por jo derisa cenon dinjitetin dhe fyen dikë. Diaspora është dashur, dhe mesa kam marrur vesh disa edhe e kanë pasitur personin që ka fyer, dhe që e quan vetën gazetar”, vlerëson Mehmeti.

Sipas tij, personi në fjalë të gjitha këto i bën vetëm për një qëllim, të bëhet i famshëm. Pra kërkon vëmendje duke fyer asetin më të madh dhe më të çmuar që ka Kosova dhe kombi shqiptar.

“Më shumë shqiptarë ka në diasporë se në Kosovë, po ta shikojmë edhe ata që janë asimiluar në vende të ndryshme. Është e turpshme të kërkosh vëmendje duke fyer diasporën, kjo është e papranueshme dhe krejtësisht jo etike. Megjithatë diaspora nuk duhet të bie pre e këtyre provokimeve, ai person nuk përfaqëson askënd, andaj s’ka pse t'i kushtohet vëmendje aq shumë. Personalisht besoj se Kosova duhet me ligj të përkufizoj diasporën si aset kombëtar,  pasi edhe janë si të tillë. Ata janë zemra e Kosovës”, thekson analisti Faton Mehmeti.

“Diaspora shqiptare, vazhdon edhe sot të jetë financuesi kryesor i buxhetit të shtetit të Kosovës”

Ndërkaq, Leon Duhanaj, analisti politik nga diaspora thotë se historikisht diaspora shqiptare ka qenë promotor i zhvillimeve në atdhe.

Image
Leon Duhanaj

Madje edhe vet ekzistenca jonë sot si shqiptarë është duke ju falënderuar diasporës; shih organizimin e Kuvendit të Arbnit me 1703 i cili u organizua nën patronatin e Papa Klementi 11- Papa Albani, i cili rrjedhte nga një familje arbreshe e cila tashme kishte me shumë se 200 vite që kishin migruar në Itali, por kurrë pa e humbur dashurinë për atdheun.

Me vonë u pasua me rilindjen kombëtare e deri tek lufta e fundit për çlirimin e Kosovës ku diaspora prapë ishte promotor i mbajtjes gjallë të jetës në Kosovë dhe organizimit të luftës së armatosur për liri dhe pavarësi.

“Diaspora shqiptare, vazhdon edhe sot të jetë financuesi kryesor i buxhetit të shtetit të Kosovës, por kjo pos në mënyrë deklarative sporadike, nuk është që vlerësohet vërtetë. Nuk janë fjalët fyese individuale ato që e lëndojnë me shumë diasporën, sa është injorimi që u bëhet në vlerësimin real të ndihmës dhe kapacitetit intelektual dhe profesional që ajo përfaqëson, e i cili për mendimin tim, është pakrahasimisht me i madh dhe me kualitativ në përqindje se sa ai që është në Kosovë. Pra është e terë shoqëria kosovare ajo që diasporën e sheh si burim financiarë për ta shfrytëzuar dhe kaq. Sepse duke filluar nga politika dhe gjithandej, përfaqësuesit e diasporës, nëse kanë qenë të varur nga mbështetja e vendorëve, nuk e kanë gjetur. Ka mjaftë raste individuale ku qytetarë nga diaspora kanë provuar veten në zgjedhje në Kosovë por mbështetja për ta ka munguar si nga partitë, ashtu edhe nga vetë qytetarët”, thekson Duhanaj për “Bota sot”.

“Kosova por as trojet shqiptare, nuk ja dalin pa ndihmën e diasporës”

Ai thotë tutje se ndoshta vërtetë u mungojnë cilësitë të cilat kërkohen në Kosovë për të qenë i/e suksesshëm/e e që janë kryesisht metoda brrylagjinjish, apo korruptive. Por në vendet ku jetojnë, edhe pse të huaj, kanë arritur majat e suksesit krejtësisht bazuar në aftësitë e tyre. Por edhe ata që punojnë punëtorë krahu janë shumë më të avancuar se një përqindje e madhe e kosovarëve që ndoshta në letra kanë edhe shkolla, por që realisht janë analfabet funksional.

“Natyrisht se kulturalisht vërehet tek një pjesë e diasporës, vërehet përpjekja për t'i mbajtur ca tradita të cilat sot në Kosovë janë shumë të pa këta dhe si të tillë përfaqësuesit e diasporës duken të prapambetur, por që fëmijët e tyre po vazhdojnë me dhanë fryte suksesi gjithandej. Në ketë kontekst, shoqëria Kosovare duhet të jetë mirënjohëse dhe mësoj nga shembulli i diasporës për punë të sinqertë dhe me djersë, si dhe të bëj përpjekje t'i shfrytëzojë edhe kapacitetet humane nga diaspora, e jo vetëm ato financiare”, vlerëson ai.

Sipas tij, derisa të dyja palët, si Kosova ashtu edhe diaspora mund të keni gabime, prapë se prapë trojet shqiptare nuk mund t’ia dalin pa ndihmën e diasporës, andaj duhet një bashkëpunim i sinqertë.

“Në anën tjetër mendoj se edhe diaspora duhet të evoluoj dhe ta kuptoj ndryshimin kulturor që tashmë ka ndodhur në Kosovë dhe ndodhë vazhdimisht. Pra si konkluzion, mendoj që të dyja palët kanë gabime, por që gabimet dhe që duhet të mësohen të bashkëpunojnë në 365 dit të vitit e jo vetëm përgjatë pushimeve. Kosova por as trojet shqiptare, nuk ja dalin pa ndihmën e diasporës, por edhe diaspora nuk do t'ia dalë mbijetesës si komb pa ndihmën e shteteve shqiptare, këndej bashkëpunimi  i sinqertë  dhe komplementar është i domosdoshëm”, thotë Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat