Ky është qëllimi i Vjosa Osmanit me flamurin e Dardanisë, vjen thirrja urgjente për LDK-në

Politika

Ky është qëllimi i Vjosa Osmanit me flamurin e Dardanisë, vjen thirrja urgjente për LDK-në

Nga: N. H Më: 27 dhjetor 2020 Në ora: 09:36
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Ka filluar një përplasje në distancë mes kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dhe ish-nënkryetares së këtij subjekti, Vjosa Osmani.

Gjithçka nisi rreth flamurit të Dardanisë. Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Vjosa Osmani, publikoi pamje të ambientit të Presidencës, me flamurin dardan. Ndërsa, Mustafa këtë veprim të Osmanit e quajti një gënjeshtër folklorike.

Analisti politik, Fatmir Bajraj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se ish-nënkryetarja e kësaj partie është e pasinqertë me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe frymën rugoviane.

Sipas analistit Bajraj, streha e re e Osmanit e ka luftuar me të gjitha mjetet dhe metodat, përfshi edhe ato të dhunës dhe shkatërrimit me akte vandale, pa përjashtuar edhe ato terroriste mbi institucionet.

“Vjosa Osmani, e pasinqertë me LDK-në dhe Rugovizmin. Vlerat politike euro-perëndimore të LDK-së, të kultivuara dhe të artikuluar qartë nga presidenti historik Ibrahim Rugova, dhe të promovuara nga LDK-ja në mbi tri dekada, si trashëgimi unike dhe në harmoni me kriteret dhe standardet e Partive Popullore Evropiane (PEP), anëtare e së cilës është LDK-ja, bijnë ndesh me frymën dhe kulturën e ideologjisë së majtë, të cilat përfaqëson Vetëvendosja e Kurtit dhe e Osmanit. Streha e re e zonjës Osmani gjatë gjithë historikut të saj; jashtë (në rrugë), dhe brenda institucioneve, ka luftuar me të gjitha mjetet dhe metodat, përfshi edhe ato të dhunës dhe shkatërrimit me akte vandale, pa përjashtuar edhe ato terroriste mbi institucionet, titullarët dhe pronën publike për dallim nga LDK-ja, institucionaliste dhe e vlerave konservative perëndimore”, shprehet analisti Bajraj.

LEXO EDHE: Si u dogjën flamujt e presidentit Rugova nga “krahu i luftës” dhe përplasja mes Mustafës e Osmanit

Madje, Bajraj konsideron se Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit dhe e Osmanit, kurrë nuk ka njohur as Republikën e Kosovës, institucionet dhe as simbolet dhe himnin.

“Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit dhe e Vjosa Osmanit, kurrë nuk ka njohur Republikën e Kosovës, institucionet e saja dhe as simbolet dhe himnin, përkundrazi; i ka luftuar dhe sfiduar gati sikur armiku shekullor dhe me të vetmin dallim; kamuflimin me një projekt “autentik”, “Bashkim Kombëtar”. Keqpërdorimi i Flamurit të Dardanisë nga ana e zonjës Osmani është i papranueshëm dhe fund e krye, veprim hipokrit dhe si i tillë, është fyerje për vetë simbolin dhe kreatorin e atij simboli, presidentin Rugova. LDK-ja dhe lidershipi i saj, përfshi edhe Presidentin Rugova, në jetën politike dhe në interes të vendit, pashmangshëm në një demokraci pluraliste parlamentare ka bashkëpunuar e bashkëqeverisë me të gjithë, pa përjashtuar edhe ata të cilët ia dogjën projekt-propozimet për simbolet dhe himnin, ia vranë edhe bashkëpunëtoret me atentate politike, përfshi edhe VV-në e Kurtit, por të njëjtit, kurrë nuk u identifikuan dhe nuk përvetësuan flamurin e Dardanisë, siç pretendon ta bëjë me shumë hile, Vjosa Osmani. Bashkëqeverisja dhe shkrirja nuk janë as njësoj dhe as i njëjti proces, ngase LDK, mund dhe duhet të bashkëqeverisë me të gjithë akteret potencial të skenës politike, por nuk mund të identifikohet me të njëjtit”, tha me tej analisti Bajraj.

Njohësi i çështjeve politike thekson se Vjosa Osmani, është njëjtësuar me Vetëvendosjen, duke braktisë LDK-në dhe vlerat e saj.

Krejt në fund, ai ka edhe një thirrje për drejtuesit e LDK-së. Bajraj deklaron se krerët e LDK-së duhet të parandalojnë abuzimin dhe keqpërdorimin e vlerave përfshi edhe simbolet nga ana e Vjosa Osmanit.

“Ka kaluar në polin e kundërt më të, në LVV-në, e ekstremit të majtë dhe ideologjisë revolucionare e cila përjashton apriori LDK-në, dhe filozofinë saj demokratike dhe euro-perëndimore, zaten duhet të pushoj me mashtrimin dhe keqpërdorimin shpërfytyrues me flamurin Dardan dhe akëcilën nga vlerat autentike të LDK-së të cilat ajo i braktisi dhe përbuzi faktikisht. Lidershipi i LDK-së, organet e partisë dhe forumet e saja legjitime dhe legale, duhet të parandalojnë abuzimin dhe keqpërdorimin e vlerave të saja përfshi edhe simbolet, nga ata të cilët dëmtuan në veprim LDK-në, dhe për interesa elektorale dhe pushteti, përvetësojnë edhe flamurin e Dardanisë, cili i takon vetëm shtëpisë autentike, LDK-së, me logo, akronim dhe vlera të saja konstante në mbi tri dekada”, tha krejt në fund, analisti politik, Fatmir Bajraj, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat