“Genti vlerë e shtuar në politikën e Kosovës”

Politika

“Genti vlerë e shtuar në politikën e Kosovës”

Nga: A.Z Më: 29 dhjetor 2020 Në ora: 20:40
Gent Cakaj

Gent Cakaj ka dhënë sot dorëheqje nga pozita e ushtruesit të detyrës së ministrit të Punëve të Jashtme në Shqipëri. Pas dorëheqjes, në Kosovë u ngritën aludimet se i njëjti mund t’i bashkohet listës zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Lidhur me këtë ka pasur reagime të shumta, kështu edhe analisti Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se një politikan ambicioz dhe i shkathët sikurse Cakaj, ka qenë prurje mjaftë me vlerë në politikën shqiptare.

Sipas Duhanaj, edhe pse për të ka qenë një fillim i vështirë, madje duke e luftuar me zell të madh pozitën e tij, duke filluar nga presidenti Meta, Cakaj përsëri ia doli të tregoj se sa i zoti është.

“Gent Cakaj, një djalë i shkëlqyeshëm, i mirë edukuar dhe politikanë ambicioz dhe i shkathët, për mendimin tim, ka qenë prurje mjaftë me vlerë në politikën shqiptare. Pas një starti goxha të vështirë si në pozitën e shefit të diplomacisë shqiptare, pozitë të cilën shumë bashkëkombës tanë në Shqipëri, nuk ja uruan, përkundrazi e luftuan me zell të madh, duke filluar nga Presidenti Ilir Meta, i cili refuzojë të dekretojë emërimin e ti si Ministër. Edhe përkundër sfidave fillestare Genti, ja doli me sukses t'i bind kundërshtarët se është i zoti të bëj punë të mirë në shërbim të diplomacisë, përkatësisht shtetit shqiptarë”, tha ai.

Tutje ka shtuar se lajmin për dorëheqjen e tij nuk e ka pritur mirë, por megjithatë nëse Cakaj i rikthehet politikës në Kosovë, do të ishte vlerë e shtuar për politikën, njëherësh edhe përforcim i mirë për subjektin e PDK-së.

“Lajmin për dorëheqjen e parevokueshme, nuk me erdhi mirë. Nuk i di arsyet e dorëheqjes së tij, por besoj që Genti i di arsyet më mirë. Por, nëse ai vendos t'i rikthehet politikës kosovare, kishte me qenë vlerë e shtuar për politikën, njëherësh një përforcim mjaftë i mirë për subjektin PDK, në kuadër të së cilit, besoj që do të gjente hapësirën e nevojshme për të vazhduar suksesshëm karrierën e tij. Unë, e uroj për punën e bërë, njëherësh edhe i dëshiroj suksese kudo që vendosë të angazhohet në të ardhmen”, përfundoi Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat