Ekonomia e dështuar, s’ka investitorë – ky ishte skandali më i madh që ndodhi që nga paslufta

Politika

Ekonomia e dështuar, s’ka investitorë – ky ishte skandali më i madh që ndodhi që nga paslufta

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 2 janar 2021 Në ora: 11:25
Një punëtor dezinfekton një shportë ushqimesh në një supermarket në Prishtinë. 17 prill, 2020.

Pandemia e koronavirusit bëri që ekonomia në gjithë botën të pësonte rënie të madhe. Ndryshe nuk kishte si të ndodhte as me Kosovën. Duke e ditur se gjendja ekonomike në Kosovë nuk është shumë e mirë as zakonisht, pandemia bëri që uljet të ishin të mëdha.

Biznese të shumta u mbyllën, shumë qytetarë u larguan nga puna, e kështu të ardhurat në familje ishin më të vogla.

E ndihmat nga shteti ishin mjaft të vogla, krahasuar me gjendjen me të cilën Kosova po përballej.

Derisa gjendje e tillë vazhdoi për muaj të tërë e për disa vazhdon ende, nga thesari i shtetit ndodhi skandali më i madh ekonomik, vjedhja e 2.1 milionë eurove.

E ndërsa vazhdonte gjithë kjo, Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike u dërgua në Kuvend 10 herë dhe mezi arriti të kalonte, pasi deputetët nuk votonin për këtë.

Në këtë Ligj u përfshi edhe tërheqja e 10 për qindësisht të parave nga Trusti, që përplasi deputetët e pozitës dhe opozitës.

Ky ishte skandali më i madh që nga paslufta

Lidhur me ndikimin e pandemisë, skandalin me vjedhjen në Thesarin e shtetit dhe Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, ka thënë për gazetën "Bota sot" se e gjithë ekonomia e këtij viti mund të përmblidhet me pandemi dhe politikë, si shkaktarët e saj, ku pandemia ndikoi që të mbyllen biznese e qytetarët të mbesin të papunë.

Image
Mustafë Kadriaj

"Me që fjalia është ajo e cila i përmbledh shkaktarët e një problematike në rastin e ekonomisë së Kosovës mund të përmbledhemi me një fjali të thjeshtë, për faktin që kallëzuesi vlerësoj që ishte pandemia ndërsa kryefjala është politika. Nëse nisemi nga kjo perspektivë, vlerësoj që pandemia bëri ndikimin e vet për faktin që bota dhe ne si vend u mbyllëm në shtëpitë tona për dy muaj duke u paralizuar bizneset dhe ekonomitë familjare, e cila dha efektin e vet ekonomik natyrisht negativ por edhe mbas lirimit të masave në muajt Maj dhe Qershor bizneset humbën hapin duke vazhduar aktivitetin ekonomik me çalime ku rezultoi me aktivitet të dobët ekonomik, ulje e mirëqenies tek qytetari", është shprehur ai.

Sa i përket politikët, ai vlerëson se ajo e rëndoi edhe më shumë ekonominë, duke dhënë shembull të keq me rrëzimin e qeverisë dhe formimin e qeverisë Hoti.

"Ndërsa kryefjala ishte politika e cila për fat jo të mirë e rëndoi edhe më shumë duke dhënë shembullin më të keq në nivel rajonal dhe botëror ku dy subjektet fituese me plot premtime për një qeverisje ndryshe, ndërsa bisedimet zgjatën me muaj dhe më të krijuar qeverinë si rezultat i kryeneqësisë së ish kryeministrit Kurti dhe ambicieve të LDK-së mjaftuan 55 ditë për të prishur qeverinë duke thyer përfundimisht shpresën e qytetarit që në këtë vend nuk ka shpresë për të jetuar. Me të marrë mandatin qeverisës z.Hoti përkundër premtimeve për të relaksuar raportet me SHBA-në dhe të një ekonominë liberale koha tregoi që ishte qeveria më e dobët, njëherësh qeveria më e kontestuar për nga numrat, ku e vërtetoi edhe Gjykata Kushtetuese", ka vlerësuar Kadriaj.

E vjedhjen në thesar, ai e cilëson si skandalin më të madh që nga paslufta në Kosovë.

"Ndërsa skandali 2.1 milionë euro ishte skandali më i madh që nga paslufta duke rënduar edhe më shumë gjendjen ekonomike dhe perspektivën e Kosovës. Çdo hap në interes të qytetarit është për tu vlerësuar por rimëkëmbje nuk mund të ketë me një vlerë që nuk kalon 200 milionë euro por sadopak do e rrit fuqinë blerëse tek qytetarët edhe pse ka vend për kontestim. Si rezultat i sjelljes aspak dinjitoze e politikës në Kosovë mbeti nën hije ndikimi i pandemisë në ekonominë e vendit", ka deklaruar Mustafë Kadriaj për "Bota sot".

Musa: S’ka investitor të huaj në Kosovë

Në anën tjetër, eksperti tjetër i ekonomisë, Lekë Musa, duke folur për ekonominë gjatë vitit që po e lëmë pas, ka thënë se ekonomia është katandisur dhe se elita politike në Kosovë nuk është në nivel që të bëjë zgjidhje për të.

Image
Lekë Musa

"Ekonomia është e katandisur. Çfarë të bëhet shtrohet pyetja. Fatkeqësisht elita politike në Kosovë nuk është në nivel të tillë që të bëjë zgjidhje për ekonomi. Ajo çfarë mund të ofrohet së paku është të mos ndërhyhet në sektor privat", ka vlerësuar ai.

Sipas Musës, ekonomia tani është jo stabile dhe për një kohë të gjatë nuk mund të presim investitorë të huaj.

"Tani situata politike për momentin është aq jo stabile që nuk mund të presim për një kohë të gjatë investitorë të huaj të cilët do të përshpejtonin zhvillimin ekonomik", ka theksuar ai.

Musa thotë se zgjidhja është energjia e brendshme nga të rinjtë, derisa shton se shpresa për një qeveri të pakorruptuar është pikënisje e mirë për vitin e ardhshëm.

"Solucioni me këtë situatë është energjia e brendshme nga të rinjtë. Këtu do të mund të intervenohej me disa stimuj. P.sh në inovacion, bujqësi dhe prodhim. Shpresa është së paku të kemi një qeveri të pakorruptuar dhe kjo do të ishte një pikënisje e mirë për vitin e ardhshëm", ka deklaruar Lekë Musa për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat