Misteri i vrasjeve të pasluftës, Kelmendi tregon se kush pengoi në zbardhjen e tyre

Politika

Misteri i vrasjeve të pasluftës, Kelmendi tregon se kush pengoi në zbardhjen e tyre

Nga: A.Morina Më: 5 janar 2021 Në ora: 11:42
Foto ilustrim "Bota sot"

Vrasjet e pasluftës, kryesisht të intelektualëve dhe anëtarëve të LDK-së, mbetet ende njëra ndër çështjet më të ndjeshme dhe më misterioze në vend.

Kur kanë kaluar më shumë së 20 vite, ende nuk dihen saktë arsyet dhe shkaktarët e këtyre vrasjeve.

Pothuajse, çdo ditë kërkohet zbardhja e këtyre vrasjeve, madje edhe në aktakuzat e ngritura ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përmende disa nga vrasjet e ndodhura.

Shteti i Kosovës dhe organet kompetente të saj kanë dështuar të kontribuojnë në hetimin dhe zbardhjen e këtyre vrasjeve.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar pengesat e organeve të drejtësisë në zbardhjen e vrasjeve të pasluftës. Kelmendi tha se është e vështirë të thuhet se çka ka penguar në zbardhjen e rasteve, por këto i cilësoi si një nga ngjarjet më të rënda për Kosovën.

“Në rastin konkret është shumë vështire të thuhet se çka ka penguar organet e drejtësisë që të zbardhin rastin në fjalë. Mirëpo, mund të thuhet se rastet e ndodhur pas luftës, janë të rënda dhe se deri tash nuk kemi ndonjë zbardhje të ndonjë rasti”, deklaroi Kelmendi.

Në vazhdim juristi tha se duke pasur parasysh se kjo është një çështje tejet e rëndë duhet të ndërmerren masa konkrete në sistemin e drejtësisë. Kelmendi tha se edhe pse nuk ka ndonjë të dhënë se përveç mungesës së profesionalizmit në ngecjen e hetimeve, ai nuk përjashtoi mundësinë e ndonjë ndërhyrje tjetër nga jashtë.

“Kjo e bënë çështjen shumë të rëndë dhe natyrisht se kërkohen masa konkrete në drejtim të ndërtimit të një sistemi profesional dhe të përgatitur për çdo lloj vepre penale. Nuk kam të dhëna se a ka ndikime tjera, përveç mungesës së profesionalizmit në zbulimin e rasteve. Por, kjo nuk e përjashton të kundërtën”, theksoi Kelmendi.

Ai bëri apel të intensifikohen masat për rritjen e kapaciteteve ligjore, pasi dita e ditës po shtohen veprat e rënda penale dhe rastet e vrasjeve.

“Mbetet qe të intensifikohen masat në ngritjen e kapaciteteve ligjore për hetimin e rasteve, të gjitha rasteve, sepse edhe tash e kësaj dite, po kryhen vepra të rënda penale, sikurse ishte rasti i vrasjes dhe i djegies së trupit të Qerim Kelmendit në vitin e kaluar. Pra, kemi shumë raste dhe ato, domosdo duhet të zbulohen’, nënvizoi Kelmendi.

Në fund, ai tha se mos zbardhja e vrasjeve të pas luftës po ndikon shumë ashpër te populli dhe po sjellë fërkime të rënda në vend. Ndërsa, shtoi se tani është koha e fundit të zbardhen të gjitha rastet.

“I takon pushtetit të intensifikon masat, qoftë edhe me financa, që çdo rast i ndodhur të zbardhet. Mos zbardhja po ndikon ashpër te populli dhe ka bërë edhe fërkime të rënda. Kjo ka dërguar edhe të vëlla-vrasjet në Kosovë. Prandaj është koha e fundit për zbardhjen e të gjitha rasteve”, përfundoi Kelmendi", përfundoi Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat