Vrasja tronditëse e Tahir Zemajt, veprimtari i LDK-së drejton gishtin: Ja pse u vranë Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj

Politika

Vrasja tronditëse e Tahir Zemajt, veprimtari i LDK-së drejton gishtin: Ja pse u vranë Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj

Nga: N. H Më: 5 janar 2021 Në ora: 22:54
Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj

Dje janë bërë plotë 18 vjet prej vrasja e kolonel Tahir Zemaj, Enis Zemaj dhe Hasan Zemaj.

Kosova më 4 janar të vitit 2003 u trondit nga një ngjarje e tmerrshme, nga vrasja e Kolonel Tahir Zemajt, djalit të tij Enisit dhe Hasan Zemajt, kryetar i FRLDK-së në Deçan. 

Veprimtari i hershëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në diasporë, Fatmir Bajraj, në pjesën e dytë të bashkëbisedimit lidhur me vrasjen e kolonel Tahir Zemajt, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se, mund të detektohet lehtë kurba e krimit dhe e vrasjeve politike të filluara paraluftës, të shkaktuara gjatë dhe pas saj, duke filluar nga vrasja e Enver Malokut, më pastaj e kolonel Ahmet Krasniqit.

“Retroaktivisht, mund të detektohet lehtë kurba e krimit, duke filluar nga vrasja e Enver Malokut, Kolonel Ahmet Krasniqi në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes në FARK, alias ministri i luftës dhe deri tek akti kriminal dhe i shëmtuar i 25 prillit 2009, me; vjedhjen në dhomën e dëshmive, me ç’rast, ishin vjedhur dhe asgjësuar edhe dëshmitë dhe faktet në lidhje me vrasjet politike dhe krimeve të rënda të kryera nga kasta mafio-krimnale në krye të piramidës shtetërore, alias në kapje të shtetit.  Rasti tjetër eklatant, atentati ndaj Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, që kishte synim dhe qëllim humbjen e gjurmëve të vrasjes me atentat të Kolonelit Zemaj, të birit Enisit dhe kushëririt Hasan Zemaj, krim ky që ndodhi me atentatin ndaj dy hetuesve policor, përkatësisht, oficerëve të SHPK-së, me datë 24 nëntor 2003 në Dukagjin dhe me ç’rast u dënua vetëm një autor i krimit, dhe ky ishte Bedri Krasniqi, ish turpëroja i Ramush Haradinaj, por duke mbyllë hetimet me kaq, fatkeqësisht”, ka deklaruar Bajraj.

Bajraj ka shtuar duke thënë se vrasja e Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, për faktin e vetëm se të njëjtit ishin shumë pran zbardhjes së vrasjeve politike ishte një goditje e fortë shtetit ligjor.

“Vrasja me atentat e komandantit të Rugovës, ish-deputetit të LDK-së në Parlamentin e Kosovës, Smajl Hajdaraj, më 17 janar 2002 në Pejë dhe afër banesës së të ndjerit, ishte sinjal se spiralja e vrasjeve politike për qëllimet e lartpërmendura nuk kishte të ndalur, deri në arritjen e qëllimeve të errëta dhe anti-kombëtare; eliminimin e kundërshtarëve politik potencial, përvetësimin e meritave dhe marrjen e pushtetit me çdo kusht, qoftë edhe me çmimin e vëllavrasjes. Vrasja e Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, për faktin e vetëm se të njëjtit ishin shumë pran zbardhjes së vrasjeve politike në Dukagjin; pra atë të Smajlit dhe Kolonelit Zemaj, ishte një goditje e fortë shtetit ligjor dhe shtetit të se drejtës, dhe mbi të gjitha vetë shtetit të Kosovës, duke vra shpresën e brezit për një Kosovë demokratike me rend dhe ligj”, ka shtuar me tej veprimtari Bajraj.

Ai konsideron se edhe misionet ndërkombëtare në Kosovë kanë dështuar në zbardhjen e këtyre vrasjeve.

“Sistemi i drejtësisë në Kosovë, përfshi edhe atë të misioneve ndërkombëtare; UNMIK dhe EULEX, kanë dështuar totalisht, deri në masën në të cilën, më lehtë është të besohet se kanë bashkëvepruar në krim, se sa nuk ia kanë dalë të kapin autorët e krimeve dhe të nxjerrin para drejtësisë, kriminelet. Lë të kuptohet se bashkëjetesa e misioneve ndërkombëtare për Rend dhe Ligj me bandat mafio-kriminale, produkt i Shtabit të Rognerit dhe i derivuar në “krah i luftës”, ka qenë kompromis i dëmshëm dhe i dhimbshëm për viktimat, familjaret e viktimave dhe vetë shtetin e Kosovës”, tha ai.

Gjykata Speciale, dritë në fund të tunelit

Bajraj e sheh Gjykatën Speciale si shpresë për të zbardhur të vërtetat e pazbuluara, kurse është i mendimit se vrasësit edhe me tej janë të lirë dhe me ndikim të fuqishëm në jetën politike.

“Edhe pse dihet mirëfilli se kapja e shtetit dhe me këtë fakt edhe e sistemit të drejtësisë nga vetë urdhërdhënësit e vrasjeve politike, ka arritur që në masë të madhe të dëmtojë dhe zhdukë provat për krimet makabre, me gjasë ia kanë dalë që në masë të madhe, bashkë me zhdukjen e provave, të eliminojnë dhe dëshmitarët dhe vetë ekzekutoret katil, vrasësit me pagesë të cilët ishin dhe janë vartës të bosëve të krimeve të rënda, komandantëve të fuqishëm, të gjithëpushtetshëm dhe mbi ligjin, të njohur në Dukagjin, Llap, Drenicë e gjithandej. Ca prej mafio-oligarkëve dhe kriminelëve potencial, të akuzuar për vrasjet politike, tanimë janë në Gjykatën Speciale të Kosovës me seli në Hagë, instancë kjo e fundit në të cilën kanë varë shpresat familjarët e viktimave dhe shumica absolute e qytetarëve të Kosovës, por shumë prej tyre (kriminelet potencial), ende janë të lirë dhe me ndikim të fuqishëm në jetën politike, publike dhe institucionale për fatin tonë të ligë”, ka potencuar veprimtari i LDK-së.

Krejt në fund, veprimtari Bajraj shprehet se LDK-ja, si subjekt politik dhe familje politike e të vrarëve pas shpine dhe pa gjyq, duhet të bëjë të pamundurën që sistemi i kapur i drejtësisë, të shkapet dhe të njëjtit t’i krijojë kushte dhe hapësirë normale-demokratike të kryej misionin fisnik që ka.

“Shtet ligjor dhe të së drejtës, synim ky i qytetarëve të vendit dhe në interes të shtetit demokratik të Kosovës. Pa zbardhjen e vrasjeve politike dhe ndëshkimin e autorëve të krimeve përfshi edhe vrasjen me atentat të Kolonelit Zemaj, liria e Kosovës nuk është e plotë dhe as e ardhmja e vendit  nuk mund të jetë ndritur dhe prosperuese, pra liria nuk mund të ketë dimensionin e duhur, përkundrazi. Këto vrasje dhe krime të natyrave tjera, mbajnë peng të ardhmen euro-perëndimore dhe veri-atlantike të vendit, për çfarë na mallkojnë brezat që vijnë”, ka deklaruar krejt në fund, veprimtari Bajraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat