A ka të drejtë kandidimi Albin Kurti? Flet juristi, tregon dhe dy gabimet e rënda të Gjykatës Kushtetuese

Politika

A ka të drejtë kandidimi Albin Kurti? Flet juristi, tregon dhe dy gabimet e rënda të Gjykatës Kushtetuese

Nga: G.B Më: 7 janar 2021 Në ora: 15:45
Albin Kurti

Liderit të VV-së, Albin Kurtit i ndalohet kandidimi për deputet dhe kryeministër.

Kështu thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të publikuar dje.

Pas kësaj pati reagime të shumta pro e kundër kësaj.

E për gazetën “Bota sot”, lidhur me këtë çështje ka folur njohësi i çështjeve juridike, profesori Muhamet Kelmendi.

Sipas tij, në kuadër të verdiktit të Kushtetueses dalin dy çështje shumë domethënëse për politikën e Kosovës, të cilat në aspektin juridik, futen në gabime të rënda të kësaj gjykate.

Image
Muhamet Kelmendi

“Në kuadër të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese të shpallur zyrtarisht dalin dy çështje shumë domethënëse për politikën e Kosovës, të cilat në aspektin juridik, futen në gabime të rënda të kësaj gjykate. Së pari, ka të bëjë, pas anulimit të vendimit të dalë nga Kuvendi për Qeverinë Hoti, mbi bazën e nenit 70, paragrafi 3, pika 6 të Kushtetutës, pasi që deputeti ka qenë i dënuar mbi një vit burg të formës së prerë. Ky anulim është i drejtë. Nuk ka bazë juridike pjesa tjetër, ku në vend që sipas të njëjtit nen, paragrafi 4 të kësaj Kushtetute të bëhet zëvendësimi i vendit të deputetit të përjashtuar, me një deputet tjetër nga lista e njëjtë, nuk bëhet. Gjykata shkon dhe urdhëron zgjedhjet”, është shprehur ai.

Kelmendi thotë se gabimi i dytë është pasi në asnjë nen kushtetues nuk qëndron se kandidatët për deputetë a për ndonjë pozitë shtetërore përjashtohen pse kanë qenë të dënuar me kusht.

“Së dyti, në asnjë nën kushtetues nuk qëndron se kandidatët për deputetë a për ndonjë pozitë shtetërore përjashtohen pse kanë qenë të dënuar me kusht. Në paragrafin 3, pika 6 të Kushtetutës qëndron: "Mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm (...), nëse deputeti dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për një ose më shumë vjet me burg". Këtu shihet se thuhet në Kushtetutë taksativisht "me një a më shumë vjet burgim". Nuk thuhet me kusht. Në interpretim juridik qëndron fakti se nëse një njeri është dënuar me një vit burg, por i cili iu ka kthyer me kusht, nuk ka të drejtë të konkurrojë. Pra, kemi një interpretim juridiko-logjik të nenit kushtetues”, ka theksuar profesori.

Ai shton se në këtë rast gjykata po bie në kundërshtim me frymën e sistemi të rregulluar me Kushtetutë dhe po futet në punën e Kuvendit, pasi nuk ka të drejtë.

“Natyrisht se gjykata në rastet e tilla ka të drejtë në interpretimin e normave kushtetuese, por jo në kundërshtim me frymën e sistemi të rregulluar me Kushtetutë. Këtej kemi një situatë të rëndë. Në rastin e parë, gjykata futet në punën e Kuvendit, gjë që nuk ka të drejtë dhe ia ndalon zëvendësimin e deputetit të përjashtuar me deputet tjetër, sipas Kushtetutës. Dhe, edhe më rëndë nuk lejon zëvendësimin e deputetit nga lista e njëjtë dhe procedurën juridike të zgjedhjes së re të një qeverie, pa shkuar në zgjedhje. Ndërsa, në rastin tjetër, bën interpretim juridiko-logjik, në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe ndalon konkurrimin për deputet dhe për qeveri. Pra, kemi këtu një kundërthënie të pakuptimtë dhe aspak të mbështetur në ligj. Duket se Gjykata Kushtetuese do për të treguar mbisundimin, që në fakt është antikushtetuese dhe puq ndaj organeve të dala nga votat e qytetarëve”, ka thënë Kelmendi.

Ai shton se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese i kanë përzier dy çështje, deputetët dalin nga vota e qytetarëve dhe që Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë dalë nga vota e Kuvendit mbi bazën e pazarllëqeve ndërpartiake.

“Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese i kanë përzier dy çështje: 1. Deputetët dalin nga vota e qytetarëve dhe për çdo njërin deputet kanë votuar mbi 6 a 7 mijë votues dhe 2. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë dalë nga vota e Kuvendit mbi bazën e pazarllëqeve ndërpartiake. Por, kjo s’ka rëndësi juridike. Pse? Sepse pazarllëqet dihen, por në aspektin juridik, nuk vlerësohen pa masa konkrete gjyqësore. Kanë dalë, pra, gjyqtarët nga Kuvendi. Në këtë kuadër mbetet respektimi i verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Këtu e kemi instancën e fundit dhe diku çështja duhet të përfundojë”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat