Eurodeputetja gjermane ka një porosi për partitë politike para zgjedhjeve, ja çka thotë për postin e presidentit

Politika

Eurodeputetja gjermane ka një porosi për partitë politike para zgjedhjeve, ja çka thotë për postin e presidentit

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 15 janar 2021 Në ora: 15:38
Viola von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian

Gjykata Kushtetuese në Kosovë shpalli të pavlefshme zgjedhjen e qeverisë Hoti. Presidentja në detyrë Vjosa Osmani, ka caktuar 14 shkurtin, datë për votimet parlamentare.

Partitë politike po bëjnë kalkulimet e tyre për formimin e Qeverisë së re, por edhe postin e presidentit.

Por, skeptike se zgjedhjet e reja do të zgjidhin krizën politike në Kosovë, është shprehur raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola von Cramon.

Ajo për gazetën “Bota sot”, ka thënë se është e rëndësishme që qeveria e ardhshme, të ketë shumicën parlamentare dhe që Kuvendi të ketë numrat për miratimin e ligjeve.

“Duke folur ligjërisht, ky është hapi i vetëm që duhet bërë tani, por mbetet pyetja nëse zgjedhjet e reja mund të zgjidhin krizën politike. Çfarë është e rëndësishme, është të ketë një shumicë të fortë dhe të qëndrueshme pas zgjedhjes së qeverisë së ardhshme. Është thelbësore të sigurohemi se ekziston një qeveri funksionale dhe Kuvendi është në gjendje të miratojë akte legjislative gjithashtu”, ka deklaruar eurodeputetja gjermane.

Ajo ka kërkuar që Kuvendi i ri të veprojë shpejt, për shkak të pandemisë. Për këtë arsye, von Cramon ka porositur partitë politike në Kosovë që të negociojnë edhe para zgjedhjeve se kush do ta formojë qeverinë e re.

Sipas saj, pozicioni i presidentit varet nga rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Sigurisht, pozicioni i presidentit varet nga rezultatet e zgjedhjeve dhe Kuvendi i ri duhet të veprojë shpejt. Sidomos tani, në mes të pandemisë Covid-19, Kosova ka nevojë për një pushtet ekzekutiv, i cili mund të veprojë shpejt. Kjo është arsyeja pse do të ishte e rëndësishme që partitë politike të mendojnë përpara dhe të përpiqen të negociojnë edhe para zgjedhjeve për të menduar se kush me kë mund të formojë qeverinë”, ka thënë më tej eurodeputetja gjermane për “Bota sot”.

Ajo ka thënë se Kosova nuk guxon të kalojë muaj pa qeveri funksionale.

“Kosova thjesht nuk ka mundësi të humbasë më shumë kohë dhe të kalojë muaj me radhë pa një qeveri funksionale”, ka shtuar Viola von Cramon./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat