A është fituese LDK-ja, që bëri marrëveshje me AKR-në?

Politika

A është fituese LDK-ja, që bëri marrëveshje me AKR-në?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 17 janar 2021 Në ora: 11:01
Behgjet Pacolli dhe Isa Mustafa

LDK dhe AKR do të garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit në një listë të përbashkët. Në bazë të marrëveshjes me dy subjekteve, AKR-ja e Behgjet Pacollit do të garojë në listën zgjedhore të LDK-së me 10 kandidatë.

Paraprakisht partia e Behgjet Pacollit ishte shprehur hapur se preferon koalicion me LDK-në, para se t’i bashkëngjitet listës së kësaj të fundit.

Ndërsa, nga ana tjetër, nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ishin shprehur të gatshëm për koalicion, dhe kësisoj marrëveshja është arritur për një listë të përbashkët.

Por, a do të arrijë ky bashkim të mbledhë vota edhe më shumë për partinë e Isa Mustafës. Skeptik, lidhur me këtë çështje, shprehen të jenë analistët.

Njohësit e çështjeve politike, konsiderojnë se, elektorati i Lidhjes Demokratike të Kosovës është lodhur duke votuar për ardhjet dhe ardhacakët në LDK. Gjersa, shprehen se marrëveshjet parazgjedhore nuk i kanë konvenuar LDK-së, e aq më pak me partitë e vogla.

Ndërsa, njohësit e fushës së sundimit të ligjit, këtë bashkim e shohin si një marrëveshje logjike. Këto parti, sipas juristëve, mendohet se kanë përputhshmëri në fushën ekonomike, juridike, sociale dhe shoqërore.

Zogaj: Marrëveshjet parazgjedhore nuk i konvenojnë LDK-së

Njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, duke e komentuar hyrjen e AKR-së në një listë me LDK-në, ka thënë se situata politike dhe shtetërore në Kosovë po vazhdon të jetë e rëndë, gjersa ka paralajmëruar se kjo do të thellohet edhe më shumë.

Zogaj shprehet se deri më tani nuk shihet ndonjë iniciativë e pastër dhe e mirëfilltë që ka për objektiv forcimin e lirisë e të pavarësisë dhe të shtetësisë së Kosovës.

Image
Skënder Zogaj

“Situata e rëndë politike dhe shtetërore në të cilën ndodhet Kosova me gjasë do të vazhdojë të thellohet sepse, nuk shihet ndonjë iniciativë e pastër dhe e mirëfilltë që ka për objektiv forcimin e lirisë e të pavarësisë dhe të shtetësisë së Kosovës. Pra, si kurrë ndonjëherë pas luftës, gjithçka është ekstremist e politizuar me qëllim të marrjes së pushtetit me çdo kusht, që asnjëherë nuk ka qenë më i lehtë duke qenë se, zhgënjimi gjithëpopullor është në dilerium dhe, arsyeja nuk funksionon fare. Në këtë gjendje kaosi, gjithçka ndodh aty-për-aty, sa për të ndodhur diçka.

Kurse, sa i përket marrëveshjes mes LDK-së dhe AKR-së, Zogaj deklaron se partia që sot udhëhiqet nga Isa Mustafa asnjëherë nuk i kanë konvenuar marrëveshjet parazgjedhore.

“Duke pasur rolin dhe rëndësinë historike të LDK, kjo parti kësaj here është dashur të jetë shumë e kujdesshme dhe, më shumë se për pushtet, të angazhohet për ruajtjen e dinjitetit partiak të traditës, duke i pastruar radhët e veta nga shtresat e mbeturinave që iu kanë sedimentuar përbrenda dhe në këto zgjedhje LDK-ja të garojë e vetme, pa askënd anash, dhe të shoh se ku është e çka është. Elektorati i LDK-së është lodhur duke votuar për ardhjet dhe ardhacakët në LDK, që pasi e kanë kaluar lumin ia kanë shilu kalin. Marrëveshjet parazgjedhore nuk i konvenojnë LDK, aq më pak me partitë e vogla”, ka deklaruar Zogaj.

Kelmendi: Koalicioni LDK-AKR, një marrëveshje logjike

Profesori i së Drejtës, Muhamet Kelmendi, koalicionin mes partisë së Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit, e sheh si një marrëveshje logjike.

Kelmendi është i mendimit se në kuadër të këtij koalicioni fitues do të jetë Aleanca Kosova e Re, për faktin se ai konsideron se kjo parti do të arrijë në krahun e LDK-së të futet në Kuvend.

Image
Muhamet Kelmendi

“Koalicioni LDK- AKR është një marrëveshje logjike shikuar nga aspekti i përcaktimeve politike të tyre. Përputhshmëri kanë në fushën ekonomike, juridike, sociale dhe shoqërore. Dhe; në këtë pikëbashkim, modusi tyre nuk ka rëndësi se kush fiton apo humb në kuadër të këtyre dy subjekteve. Po, megjithatë duhet theksuar se në kuadër të këtij koalicioni fitues do të jetë AKR-ja. Kjo për faktin se në kuadër të këtij bashkimi, sigurisht se disa kandidatë të kësaj partie do të futen në Kuvend, kryesisht në llogari të LDK-së”, ka thënë profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi.

Me tej, profesori universitar ka shtuar se AKR-ja e Pacollit si e vetme nuk do të arrinte ta merrte asnjë deputet.

“AKR e vetme nuk do të arrin asnjë deputet. Sepse kjo parti de-fakto nuk ekziston. Ajo e ka një strukturë të rrumbullakuar rreth kryetarit. Me këtë përfundon. Këtej me siguri se LDK-ja do të humbur disa deputetë në llogari të AKR-së. Pse u bashkuan në koalicion ka rëndësi kryesisht politike, duke menduar se ky bashkim e rritë numri votuesve, edhe pse AKR fiton disa vende. Por, kundruall rritjes së votueseve, mendohet në LDK, se nuk humb në deputet, sepse rritet përqindja e votuesve. Këto janë llogarite e këtij koalicioni. Mbetet te shihet në zgjedhje”, u shpreh Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

Mehmeti: Nuk pritet të ketë fare ndikim në rezultatin e LDK-së

Kurse, nga ana tjetër, analisti Faton Mehmeti e sheh si një strehë shpëtimi futjen e partisë së Behgjet Pacollit në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Madje, Mehmeti është skeptik se AKR-ja do të ketë ndonjë ndikim në rezultatin e partisë së Isa Mustafës.

Image
Faton Mehmeti

“Realisht, Aleanca Kosova e Re kërkon strehë shpëtimi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke ditur se as një për qind të votave nuk i merr. Në këtë sens nuk pritet të ketë fare ndikim në rezultatin e LDK-së, kështu që të dy partitë janë në rënie të shpejtë. Asgjë nuk i shpëton këto dy parti nga humbja, megjithatë, nga kjo lojë pritet të përfitoj AKR-ja, që mund t' i merr dy apo tre deputetë më të cilët pastaj të votojë ndaras nga LDK-ja”, ka thënë Mehmeti.

Krejt në fund, Mehmeti i ka dhënë një paralajmërim Lidhjes Demokratike e Kosovës. Ai ka theksuar se partia e Pacollit edhe mund ta tradhtojë LDK-në pas zgjedhjeve, duke dalë nga koalicioni.

“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk duhet t’i besoj partisë së Pacollit, e cila mund ta tradhtojë pas zgjedhjeve duke dalë nga koalicioni me LDK-në. Lidhja Demokratike e Kosovës mendoj se nuk është dashur të pranojë AKR-në në koalicion, pasi nuk ka asnjë përfitim, asgjë. Koalicion i dëshpërimit, do e quaja koalicionin mes LDK-së dhe AKR-së”, tha krejt në fund, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat