“Nuk është veç Vjosa dhe Ramushi”/ Profesori tregon kush do të jetë Presidenti i ri i Kosovës

Politika

“Nuk është veç Vjosa dhe Ramushi”/ Profesori tregon kush do të jetë Presidenti i ri i Kosovës

Nga: P.R Më: 18 janar 2021 Në ora: 18:47
Vjosa Osmani dhe Ramush Haradinaj

Edhe pse me 14 shkurt do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare, dy kandidatë kanë shpallur kandidaturën e tyre për president të Kosovës.

Është lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj që po synon postin e presidentit të vendit, dhe Vjosa Osmani, e cila së fundi hyri në listën e Vetëvendosjes për deputete, duke synuar që bashkë me Albin Kurtin të dalin fitues, në mënyrë që ky i fundit ta marr postin e kryeministrit të vendit.

Por kush do të jetë presidenti i ri i vendit?

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Ai thotë se përveç Vjosa Osmanit dhe Ramush Haradinajt, ka edhe persona tjerë që synojnë postin e të parit të shtetit.

“Deri tani në Kosovë janë dy pretendentë për postin e presidentit, zoti Haradinaj dhe zonja Osmani. Jam i sigurt de ka edhe të tjerë që ë synojnë këtë post. P.sh kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ndonjë idhtar i Thaçit në PDK, Behgjet Pacolli apo edhe ndonjë tjetër. Por në publik janë shprehur vetëm kreu i AAK-së dhe Vjosa Osmani”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, Vjosa Osmani ka avantazh në krahasim me të tjerët për të fituar postin e presidentit.

“Në krahasim me zotin Haradinaj zonja Osmani ka avantazh mbështetjen e sigurt të një numri shumë më të madhe deputetësh, duke patur parasysh mbështetjen e vetëvendosjes. Ajo ka avantazh gjithashtu faktin se po ushtron funksionin e presidentes dhe njerëzit sikur janë mësuar me këtë fakt. Ka gjithashtu përparësi se në krahasim me të gjithë kandidatët e tjerë Vjosa ka ehe më shumë mbështetje nga SHBA dhe Bashkimi Evropian. Mbi të gjitha përgatitja teorike e saj është e spikatur krahasuar me të gjithë politikanët e tjerë në Prishtinë. Ajo hyn në kategorinë e politikanëve më të aftë në hapësirën shqiptare e në rajon. Ajo mund të konkurrojë edhe me liderët rajonalë pa asnjë pengesë të dukshme”, shprehet Bytyçi.

“Nga gjithë sa përshkrova më lart, duket se zonja Osmani është kandidatura më e mirë për të zënë postin e kreut të shtetit të Kosovës. Në fund të fundit edhe qytetarët do të kishin nevojë ta vinin atë në provë, sa është e zonja t'u përmbahet premtimeve që ajo u ka bërë atyre. Nëse e kalon provën, atëherë do të mbetej për një kohë të gjatë në majat e politikës. Nëse jo, do të jenë qytetarët ata të cilët do ta ndëshkonin. Kjo do të thotë që gjithsekush duhet të provohet, nëse I mbetet besnik programit, premtimit dhe interesit qytetar e kombëtar ose jo. Kjo do të thotë se peshorja e besimit të qytetarëve shkon në atë se sa besnikë janë politikanët ndaj fjalës që japin. Nëse ndodh që politikanët të kenë këtë kriter vlerësimi, atëherë politika spastrohet lehtë nga abuzuesit me pushtetin”, shton më tej profesor Bytyçi.

Një ndihmë për Osmanin, sipas Bytyçit do të jetë edhe marrëveshja e saj me Vetëvendosjen.

“Por është diçka tjetër merita dhe diçka tjetër mundësia që ta jep rezultati elektoral. Edhe në këtë pikëpamje zonja Osmani pa përparësi, sepse koalicioni i saj me Vetëvendosjen do të kenë numrin më të madh të deputetëve. Por a do ta kenë shumicën qeverisëse?! Dhe për më tepër është e pamundur të ketë shumicën e dy të tretave për të zgjedhur presidentin”, thekson Bytyçi.

Profesor Bytyçi shton se ka gjasa që AAK t’i bashkohet Vetëvendosje në koalicion pas zgjedhor.

“Ndoshta Haradinaj do t'i duhet zotit Kurti për të formuar shumicën e qeverisjes, me qëllim që LDK-në dhe PDK-në ta lenë në opozitë. Por për presidentin e zgjedhjen e tij do të duheshin votat e opozitës, së paku të njërës prej këtyre partive. Nëse ato do të pranonin të bashkëpunonin, atëherë postin e presidentit do ta pretendojnë për veten e tyre. Pretendimi i dy subjekteve në opozitë është i qartë. Ato nuk votojnë kandidat jashtë partisë së tyre. Aq më pak Vjosa Osmanin. Me lehtë e votojnë Haradinajn sesa Osmanin”, thekson Bytyçi.

“Por me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, nëse ata mbështesin zonjën Vjosa, mundet që opozita të jetë e pranishme në seancën plenare të zgjedhjes së presidentit. Dhe nëse ndodh kjo, atëherë presidenti/ja zgjidhen me shumicën absolute të votave. Kjo shumicë absolute mund të realizohet me AAK-në ose pakicat tjera, veç serbëve. AAK- nuk do ta votonte zonjën Osmani, sepse ka kandidatin e saj zotin Haradinaj”.

Profesor Bytyçi e sheh Vjosa Osmanin si presidente të Kosovës pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Pavarësisht gjithë kësaj procedure dhe dinamikave politike që do të dalin pas zgjedhjeve, rezultati është përcaktues. Duhet të shohim si do të jetë harta politike e Kosovës pas 14 shkurtit. Pavarësisht kësaj, për arsyet që thashë më lart, unë e shoh Vjosa Osmanin si presidente të Kosovës. Dhe në fushatën elektorale ajo duhet të sillet si kandidate për presidente, sepse në fund të fundit në koalicionin e saj me Vetëvendosjen për këtë post është shpallur si kandidate! Në gjykimin tim Kosova ka nevojë për një president që ka vizion të qartë për shtetin dhe shtetësinë e Kosovës, për integritetin dhe sovranitetin e vendit, që ka dhe sjell argumente në dobi të ardhmërisë së kësaj shtetësie. Nuk them që Ramush Haradinaj nuk është i qartë në këto objektiva, por vërej se zonja Osmani I përdor më mirë argumentet, faktet dhe konceptet moderne në favor të këtyre objektivave madhore, për të cilat ka nevojë të realizohen në Kosovë!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat