Bashkimi me Shqipërinë, profesori paralajmëron keq Ramush Haradinajn

Politika

Bashkimi me Shqipërinë, profesori paralajmëron keq Ramush Haradinajn

Nga: P.R Më: 19 janar 2021 Në ora: 19:22
Ramush Haradinaj

Duke iu kundërpërgjigjur presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, Ramush Haradinaj i cili po synon postin e presidentit të Kosovës, ka paralajmëruar referendum për bashkim me Shqipërinë në vitin 2025.

“Për sa kohë i dukem i rrezikshëm Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë, jemi në rrugë të drejtë! Mos keni frikë, z. Vuçiq. Nuk keni nevojë të jeni nervoz. Kosova vetëm po e kërkon atë që i takon. Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Tutje, Kosova e di rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe OKB. Me retorikë histerike nuk do të na ndaloni në të drejten tonë për të definuar të ardhmen e Kosovës. Të gjithë duhet ta dinë që deklarata dhe betimi im për bashkim me Shqipërinë vjen si rezultat i neglizhencës së vazhdueshme të Brukselit në lidhje me Kosovën. Kosova dhe qytetarët e saj janë më pro-perëndimorët dhe si të tillë nuk e meritojnë të përbuzen, injorohen dhe kushtëzohen në pafundësi!”, ka deklaruar Ramush Haradinaj.

Por ndaj kësaj deklarate ka reaguar edhe profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Nuk më pëlqejnë politikanët spekulativë. Ramush Haradinaj është në sytë e mi heroi i qëndresës për ta ndaluar ish-presidentin Thaçi, kryeministrin Rama e Baton Haxhiun në aventurën e tyre anti-kombëtare të ndarjes së Kosovës! Edhe sot më tingëllon në vesh ajo thënia e tij “Do ta ruajmë kufinin prej teje, Hashim”! Por deklarata e tij e sotme shkon të drejtimin e punës së pambaruar të Hashimit, Edit e Batonit”, shprehet Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Ai shton se këtë deklaratë do ta shfrytëzojë Serbia tek vendet që nuk e kanë njohur Kosovën.

“Sigurisht që zoti Haradinaj llogarit në ndonjë votë elektorale më shumë me kësi deklaratash për “bashkim” të Kosovës me Shqipërinë. Por nuk besoj se e ka llogarit që ata në Beograd dinë shqip, përkthejnë shumë mirë anglisht dhe këto deklarata si kjo e sotmja e zotit Haradinaj i përhapin në të gjitha shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe u bëjnë shënimin: “E shikoni që Kosova nuk do të jetë shtet? Madje nuk e mbërrin as vitin 2025! Prandaj nuk keni pse e njihni shtetësinë e saj, sepse ata kanë ndërmend të bashkohen me Shqipërinë”! Dhe në fund të bllokojnë në aventurën e bashkimit, duke kërkuar pjesën që nuk u takon! Mjafton ky lloj intepretimi i deklaratës së Haradinajt nga ana e qeverisë serbe dhe ta dëmtojë aq shumë shtetësinë e Kosovës sa nuk ta merr mendja!”, shton profesor Bytyçi.

“Por nëse Edi Rama bënte deklarata të tilla qëllimisht që ta izolonte Kosovën e me këtë formulë ta ndante atë, nuk mund të besoj se Ramush Haradinaj i bën me qëllim pohime si ky i sotmi. Por efektin dhe koston e deklarimeve të tilla e paguan Kosova. Të gjithë politikanët shqiptarë e dinë se përballja verbale me Vuçiç nuk zgjidh asgjë. Përkundrazi është municion në duart e Serbisë kundër Kosovës. Përballja si në rastin e vënies së taksës, ajo po që është punë e mirë e Haradinajt. Por përballja si kjo e sotmja është retorikë e kotë, e cila më shumë i bën dëm Kosovës sesa Serbisë. Ndaj e vlerësoj këtë deklaratë si përpjekje për t’u thënë qytetarëve të Kosovës së “Unë jam armik i betuar i presidentit të Serbisë dhe se kjo mjafton për t’i dhënë votën zotit Haradinaj dhe AAK-së”!”.

Profesor Bytyçi tregon arsye pse deklarata e sotme e Haradinajt është e pandershme.

“Së pari, armiku më i madh i Vuçiç është ai politikan në Kosovë që lufton krimin e organizuar, nepotizmin, korrupsionin, padrejtësinë, varfërinë dhe krijon vende pune, miqërqenie e shpresë te qytetarët e Kosovës. Një Kosovë stabile, demokratike dhe e zhvilluar është armiku më i madh i armiqve të saj! Ky duhet të jetë kriteri i votës së zgjedhësve më 14 shkurt. Kosova e zhvilluar dhe shtet I së drejtës! Së dyti, në ndeshjen e futbollit të tetorit 2014 midis Shqipërisë dhe Serbisë, të zhvilluar në Beograd, ku u hodh droni, ne na kujtohet se në atë ngjarje u implikua qëllimisht vëllai i Edi Ramës, i cili ndodhej si me porosi në stadium. Por shpejt do të mësonim se ajo retorikë e Serbisë kundër Edi Ramës kishte për qëllim të fshihte bashkëpunimin e kryeministrit shqiptar me asokohe, kryeministrin e Serbisë! Kur u duhej kanë bërë deklarata kundërshtuese edhe Thaçi e Vuçiç, por ne e dimë se si në gusht të vitit 2018 u shprehën në Austri për realizimin e projektit të përbashkët për ndarjen e Kosovës. Pra, nuk është e vërtetë se politikanët shqiptarë që deklarohen kundër politikanëve serbë janë më patriotë sesa ata që nuk deklarohen të tillë. Janë veprat, është puna ajo që dëshmon se kush është e kush nuk është patriot!”, nënvizon Bytyçi.

Ai shprehet se nuk duhet të flitet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, derisa shteti i Kosovës të njohët nga OKB dhe Këshilli i Sigurimit.

“Dhe duke përfunduar më duhet të them se politikanët shqiptarë nuk do të duhet të flasin as edhe njëherë të vetme për bashkim kombëtar sa kohë Kosova nuk është njohur nga OKB dhe Këshilli i Sigurimit. Nuk është gjë e mençur kjo! Nëse ndodh ndryshe, atëherë shqiptarët duhet t’i ndëshkojnë këta politikanë, sepse me dashje ose pa dashje ata e dëmtojnë rëndë pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Kosova e Shqipëria nuk mund të bashkohen pa marrëveshje me aktorët ndërkombëtarë. Këta aktorë që mund të na ndihmojnë për këtë, nuk mund ta bëjnë pa marrë miratimin e Serbisë, sepse ata nuk mund të shkelin të drejtën dhe ligjin ndërkombëtar. Sipas këtij ligji, nëse Kosova bashkohet me Shqipërinë, duhet ta marrë lejen e Serbisë. Vetëm pavarësinë mund ta fitojë pa lejen e Beogradit. Dhe kjo po shihet sa e vështirë është”, thotë Bytyçi.

“Për ta ilustruar këtë, edhe Krimeja bëri referendum në favor të bashkimit me Rusinë. De facto është bashkuar. Por de jure nuk e ka njohur asnjë vend. Madje Rusisë i janë vënë sanksione të ashpra. Kur nuk e ka kaq të lehtë një fuqi e madhe si Rusia të bashkojë një pjesë të një vendi tjetër, çfarë mundësish paska Shqipëria për ta bashkuar Kosovën me të?! E di se parullat për bashkim kombëtar i joshin dhe i trullosin shumë mendje, por politikanët janë aty për t’i kthjelluar mendjet e njerëzve, jo për t’i trullosur edhe më shumë! Jo spekullime të mëtejshme, ju lutem!”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat