Sot janë bërë 15 vite që nga shkuarja në amshim e arkitektit dhe shtetndërtuesit të Kosovës

Politika

Sot janë bërë 15 vite që nga shkuarja në amshim e arkitektit dhe shtetndërtuesit të Kosovës

Nga Më 21 janar 2021 Në ora: 09:26
Dr. Ibrahim Rugova

21 janari i acartë i vitit 2006 ishte ditë e kobshme për gjithë popullin shqiptarë, pasi humben prijësin e tyre. Edhe pse u largu nga kjo jetë dy vite para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ai njihet si njëri ndër ideatorët e saj.

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova ishte një ndër figurat më të ndritura të kombit, por idealet dhe vizionet e tij vazhdojnë të jetën ende gjallë.

Presidenti historik Rugova njihej për dimensioni intelektual dhe urtësia e rrallë që e karakterizonte atë, mungesa e tij ndjehet edhe sot, kur vendi po kalon nëpër kriza të vazhdueshme politike.

Hamiti: Rugova i ka lënë Kosovës një trashëgimi të përjetshme

Image
Muhamet Hamiti

Bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit historik Ibrahim Rugova, Muhamet Hamiti, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se presidenti Rugova e ka drejtuar popullin e Kosovës në udhën e lirisë, të demokracisë e të pavarësisë.

“Në këtë përvjetor të pesëmbëdhjetë të shkuarjes në amshim të Presidentit Rugova, e kujtoj me mall njeriun e mirë dhe udhëheqësin e urtë e trim, me të cilin pata privilegjin jetësor të punoj deri në frymën e tij të fundit.

Në gjashtëmbëdhjetë vjetët e tij si udhëheqës i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe i Republikës së Kosovës – sepse ai qe bërë burrështetasi ynë, ikona e Kosovës në botë, kur vendi ynë nuk ishte njohur ende ndërkombëtarisht – Ibrahim Rugova drejtoi popullin e Kosovës në udhën e vet të lirisë, të demokracisë e të pavarësisë, një ndërmarrje shekullore edhe për popuj me traditë më të madhe politike. Rugova e fitoi besimin e popullit, sepse ai udhëhoqi me besim, jo duke indoktrinuar njerëzit. Një popull i tërë e bëri të veten rrugën e Prijësit të vet, pa u lëkundur e ligështuar edhe kur Serbia gjakatare bëri luftën gjenocidale kundër popullit të Kosovës”, ka thënë ai.

Më tej, Hamiti shprehet se presidenti Rugova e shpiu kauzën e popullit të Kosovës në agjenda ndërkombëtare, ku më pas u bë vendimtare për fitore në fund.

“Me Lidhjen Demokratike, fillimisht lëvizje politike pavarësiste, më vonë parti politike e qendrës së djathtë, e lidhur me historinë dhe traditën e kësaj toke, që është në themelet e shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugova e shpuri kauzën e popullit të Kosovës në agjenda ndërkombëtare, që u bë vendimtare për fitore në fund. Vendet kryesore perëndimore dhe aleanca më e madhe ushtarako-politike, NATO, doli në ndihmë të popullit të Kosovës që bënte rezistencë të përgjithshme e luftë çlirimtare në fund të shekullit të kaluar”, ka deklaruar ai.

Hamiti i cili ishte edhe këshilltar i presidentit, potencon se tani vendi nuk ka një njeri të kalibrit të Rugovës.

“Kosova nuk ka sot një njeri të kalibrit të Ibrahim Rugovës, një udhëheqës të mençur e unifikues si ai, por ka trashëgiminë e tij të vlefshme. Duke iu kthyer kësaj trashëgimie, mbas një hutese shoqërore të kohëve të fundit, edhe aktuale, Republika e Kosovës ka mundësinë të bëhet atdheu i dashur i të gjithë kosovarëve, një vend me të ardhme të mirë në këtë pjesë të Evropës e të botës.

Ibrahim Rugova vdiq herët, sapo kishte mbushur 61 vjet, por bëri punë shekullore dhe la një trashëgimi të përjetshme për popullin tonë.

Le ta ruajmë e kultivojmë këtë trashëgimi të Atit Themeltar të Shtetit të Kosovës, për të mirën e fëmijëve tanë e të pasardhësve të tyre në atdheun tonë të dashur”, ka thënë Hamiti për “Bota sot”.

Zogaj: Mungesa e Rugovës po vërhet gjithnjë e më shumë

Image
Skënder Zogaj

Ndërkaq, një ndër themeluesit e LDK-së, Skënder Zogaj, në një bashkebesimed për “Bota sot”, ka thënë se sa më shumë që po kalojnë vitet aq më e madhe dhe e rëndë po ndihet mungesa e Presidentit historik.

“Sa më shumë që po kalojnë vitet aq më e madhe dhe e rëndë po ndihet mungesa e Presidentit historik Ibrahim Rugova për popullin dhe shtetin e Kosovës, që jo vetëm se nuk po mund të ketë përparim, por ka degjeneruar i përfshirë nga kriza e rëndë shoqërore e politike, ekonomike e sociale, kulturore, arsimore dhe e gjithmbarshme morale!”, ka thënë ai për “Bota sot”

Po ashtu, Zogaj është shprehur se çdo përvjetor i kalimit të tij në amshim po tregon sa shumë është i nevojshëm për Kosovën një lider unifikues.

“Qytetarët e Kosovës të gjithë pa dallim, përveç ndonjë teveçi, e kuptojnë rolin e Presidentit Rugova, i cili si një orakull e ruajti dhe e udhëhoqi popullin shqiptar të Kosovës drejtë civilizimit bashkëkohor të botës demokratike, duke ia gjetur vendin e duhur në sofrën euro-amerikane, në mënyrë që liria dhe pavarësia e vendit tonë të jenë të pranueshme si vlerë e merituar dhe shprehëse të traditës autoktone kombëtare, në mënyrë që të vie në shprehje të plotë pranueshmëria jonë si pjesë përbërëse e botës së civilizuar! Ky ishte ideali i Ibrahim Rugovës që u ndërpre, prandaj në çdo përvjetor të vdekjes së tij, mungesa e tij na pikëllon shumë dhe na tregon sa shumë është i nevojshëm për Kosovën një lider unifikues”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Shahu rrëfen takimin me Rugovën

Image
Rexhep Shahu

Kurse, publicisti dhe gazetari shqiptar, Rexhep Shahu, ka rrëfyer se si është takuar me presidentin historik për t`ia dhuruar librin e tij “Misioni për Paqen”.

“Në 2001, kisha botuar librin tim “Misioni për Paqen”, me intervista dhe impresione me misionarë të huaj e shqiptarë që kishin vepruar në Kukës, Has, Tropojë, etj për Kosovën në vitet 1998-2000.

Miku im Skënder Zogaj bisedoi me stafin e Rugovës dhe shkova në zyrën e Presidentit për t’ia dhuruar librin. Ishte fenomenale. Më hutoi thjeshtësia e tij. Mu shteren fjalët në fillim. Pastaj sikur ishim miq qe 200 vjet.

U ngrit në këmbë me libër në dorë dhe më falënderoi për kontributin mediatik për “çështjen tonë kombëtare”.

Kur po bënim fotografitë, unë mbaja kokën nga ai në të djathtën time dhe e shihja në sy. Fotografët përballë reaguan që të shihja nga ato. Rugova duke qeshë më tha, Rexh, shih përpara. Më dhemb se nuk i kam krejt ato foto, m’i kanë marrë miq e të afërm dhe më dhemb. Por kur m’i kanë parë miqtë në Kukës ato foto me Rugovën, më graduan dhe më shpallën të privilegjuar, autoritet të lartë moral”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Shahu thekson se askush asnjëherë nuk e arrin besueshmërinë e presidenti Rugova.

“Ai mbeti më trimi ndër trima sepse punoi e luftoi në punë, në zyrë deri në çastin e vdekjes, nuk u ankua, nuk qau, nuk u çarravitë, nuk u bë për mëshirë kurrë. Nuk jetoi spitaleve, nuk iu shmang jetës, punës, përgjegjësisë, nuk u mbyll të qante e ta priste vdekjen në krevat, në shtëpi. Ai nuk e njihte mëshirën.

Ai në çastet më vendimtare mbrojti luftëtarët e Kosovës, kur tha se “ata po mbrojnë pragjet e shtëpive të tyre” pasi bota atë besonte në Kosovë dhe askënd tjetër asnjëherë si atë, pasi askush asnjëherë nuk e arrin besueshmërinë e tij, autoritetin e tij moral e politik”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

“Nuk qëlloi kurrë për asgjë që ai të mos kishte të drejtë. Ai ishte trim, qëndrestar dhe mori përgjegjësi kur të tjerët fshiheshin ose dredhonin bishtin.

Ai ishte antienverist dhe është i pari shqiptar i madh që sfidoi regjimin diktatorial në Shqipëri, refuzoi Enver Hoxhën. Ai ishte institucioni më i madh i nderit, dashurisë për atdhe, më i larti, idhnak si ai, që nuk pranoi as toleroi kurrë fyerje, tallje, poshtërim nga institucione apo shtetarë të Shqipërisë, por i sfidoi të gjithë ata që e fyen. Sa ishte ai në detyrë SHIKU enverist i Shqipërisë nuk mundi ta pushtonte Kosovën me eksponentët e tij të dyfishtë në harmoni me UDB.

Ai nuk u tremb kurrë prej askujt”, ka shpjeguar Shahu për “Bota sot”.

Në fund, Shahu ka theksuar se presidenti Rugova kurrë nuk e tradhtoi vetën e tij dhe vetja e tij ishte Kosova.

“Ai nuk dëgjonte, si misionar vetëm ecte, ecte drejt qëllimit dhe ishte i pacenueshëm nga asnjë lloj “sirene”.

Ai, i vetmi, nuk e tradhtoi kurrë veten e tij, i besoi deri në flijim vetes së tij dhe vetja e tij ishte Kosova. Ai nuk i tha kurrë askujt se jam unë komandanti, por e lypën të gjithë komandant, nuk e refuzoi askush si komandant.

Edhe ata që e luftonin me fjalë, përballë tij ngatheshin, u “binte për thonjsh nga goja” përballë Rugovës. Se ai nuk bëri kurrë lojë me misionin e tij, nuk tradhtoi kurrë luftën e tij, Kosovën e pavarur, njëlloj të hapur si ndaj Shqipërisë e Serbisë, në miqësi të përhershme me SHBA.

E qeshura e tij ishte energjia e popullit të Kosovës. Ishte shenjt për Kosovën, në kuptimin më të thjeshtë të fjalës, ishte fe. Me e pyet përditë, edhe 100 vjet ai na udhëheq. Aty është, në ne.

Kosova e lire dhe e pavarur është prej arkitektit e konstruktorit Ibrahim Rugova”, ka përfunduar Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat