Skenarët “kritikë” të javës së ardhshme! 

Politika

Skenarët “kritikë” të javës së ardhshme! 

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 24 janar 2021 Në ora: 22:59
Albin Kurti, Valdete Daka dhe Vjosa Osmani, foto ilustrim nga "Bota sot"

Këtë javë që po hyjmë, do të jetë vendimtar në epilogun me listat për kandidatët për deputetë, e në veçanti listën e VV-së, ku kryetari i saj, Albin Kurti, mund të mos jetë bartës i listës dhe të mbetet jashtë garës për zgjedhje. 

KQZ në krye me Valdete Dakën nuk i certifikoi disa lista kandidatësh, përfshirë atë të Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt politik që sondazhet po e nxjerrin si fitues absolut. U vendos kësisoj, ngaqë kjo parti dhe të tjerat, nuk i zëvendësuan me kandidatë të tjerë, ata për të cilët Këshilli Gjyqësor konfirmoi se në tre vjetët e fundit janë dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë.  

Gjykata Kushtetuese konstatoi një muaj më parë se, “në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës ..., në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, personat që kanë të tilla dënime nuk mund të jenë kandidatë për deputetë e as të fitojnë mandat të vlefshëm në Kuvend. 

LVV-ja dhe partitë tjera i kanë dërguar në PZAP ankesat lidhur me vendimin e KQZ-së, dhe ata do ta presin vendimin më së largu deri të martën. 

Nëse PZAP konfirmon se KQZ-ja ka të drejtë në vendimin e saj për t’i mos i certifikuar listat e VV-së, AAK-së dhe NISMA-së, këto të fundit do të mund ta dërgojnë vendimin në Gjykatën Supreme. 

Gjykata Supreme ka kohë deri të shtunën të vendos përfundimisht për fatin e listave të partive politike, që dërgojnë ankesë atje. 

Nëse edhe Gjykata Supreme e konfirmon vendimin e KQZ-së, se lista e VV-së dhe e partive tjera nuk mund të certifikohen, atëherë Vetëvendosjes dhe të tjerave iu mbetet të ndërmarrin veprime të shpejta për t’i zëvendësuar emrat në listë. 

VV-ja nëse nuk i dërgon emrat e rinj për t’i zëvendësuar Kurtin, Haxhiun dhe të tjerët, atëherë KQZ-ja merr vendim që numrat e tyre të mbesin të zbrazura dhe të garojnë me 106 deputetë aktiv në listë. 

Partia e Kurtit, do të mund edhe t'i bojkotojë zgjedhjet e 14 shkurtit, gjë që do të mund të shkaktonte tensione të mëdha në elektoratin e VV-së, karshi KQZ-së. 

Kjo e fundit, në rast se nuk e respekton vendimin e PZAP ose të Gjykatës Supreme, nëse vendimi do të ishte në të mirë të VV-së, atëherë u.d e presidentes, Vjosa Osmani, do të mund ta shkarkonte definitivisht kryetaren e KQZ-së, Valdete Dakën, ku edhe e paralajmëroi para pak ditësh. 

Osmani do të mund ta shkarkonte Dakën, sipas nenit të ligjit ku thuhet se ajo mund ta shkatërrojë integritetin e KQZ-së. 

Pra, java që po vije mund të jetë shumë më dramatike sesa mendohet, ku edhe nëse VV-ja pajtohet me vendimin e PZAP apo të Gjykatës Supreme, atëherë do të ishte interesante se kush do të merrte “bajrakun” e listës së VV-së.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat