PAN-i porositi penalizimin e Kurtit dhe të tjerëve

Politika

PAN-i porositi penalizimin e Kurtit dhe të tjerëve

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 25 janar 2021 Në ora: 13:44
Albin Kurti, Enver Hoxhaj; foto ilustrim nga "Bota sot"

Partitë politike kanë prezantuar tashmë listat zgjedhore me kandidatët për deputetë në legjislaturën e ardhshme që pritet të zgjidhet me datën 14 shkurt. Në këto lista janë shfaq njerëz të rinj, disa nga ata që janë aktual në parti e madje edhe njerëz që kanë probleme me ligjin.

Ndonëse është bërë thirrje disa herë që partitë të pastrojnë listat e tyre nga njerëzit që kanë probleme me ligjin, që lidhen me krimin dhe vepra të tjera penale, ato sërish janë prezantuar si të tilla.

Megjithatë kësaj radhe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar listat e partive, të cilat kanë probleme me ligjin gjatë tre viteve të fundit.

Njohësit e ҫështjeve politike kanë komentuar këto lista të partive politike, e të cilat thuhet se duhet korrigjuar nga vetë partitë, ndërsa vendimi i KQZ-së thonë se ka për qëllim goditjen e kundërshtarëve politikë.

Zeqiraj: Penalizimi i porositur nga PAN-i për Kurtin dhe të tjerët

Image
Idriz Zeqiraj

Kështu publicisti dhe njohësi i ҫështjeve politike, Idriz Zeqiraj në një përgjigje për “Bota sot” thotë se disa nga partitë politike në Kosovë, janë të kapura nga krimet e shumëfishta. Madje, deri në atë përmasë, sa meritojnë prjashtimin, nxjerrjen jashtë ligjit.

“Sllogani "Liria ka emër", ka qëllime falsifikuese e përvehtësuese të luftsë së pa bërë. Kosova ka 800 dëshmorë dhe tej 12 viktima civile. Pra, emri i lirisë janë 430 masakrat e përgjakshme, është populli i Kosovës dhe NATO-pakti. Mendoj se partitë politike, është dashur me kohë dhe duhet edhe tani, të pastrohen nga listat e krimit. Sepse shumë persona, të përfshirë në vepra penale, vazhdojnë të riciklohen në kandidaturat për deputetë, duke u dhënë parësi edhe në listën emërore! Agjitimi i sforcuar, për figurat e krimit, sidomos të LPK-së, PAN-it të sotëm, është i skajshëm, deri në neveri” vlerëson Zeqiraj.

Ai thotë tutje se ‘televizionet, të prira nga RTK "publik" dhe të tjerët me radhë, janë të pushtuara nga eksponentët e krimit korruptivë dhe vratstarë’.

“Këta "heronj" të krimit, me përlavdërimet, në vetën e parë, kanë eklipësuar heronjtë e vërtetë, dëshmorët e kombit. Me propagandë, deri edhe me libra biografikë, siç bëri edhe ish-presidenti, nuk lëvizin nga "istikamet" drejtuese të partisë, duke ngulfatur dhe stopuar mendimin dhe veprimin kreativ, për zhvillim dhe progres të Kosovës”, thekson Zeqiraj për “Bota sot”.

Ndërkaq, sa i përket LDK-së, ai thotë se ndonëse ka listën më të mirë, ka nevojë për korrigjim dhe kjo do të ishte më e mirë edhe për partinë.

“Disa parti me ngarkesë nepotike e klanore, siç është LDK-ja, pavarësisht se listën e ka me të mirën, megjithatë, ka nevojë për korrigjim dhe pastrim. Dhe, kjo do të ishte e shëndetshme për partinë, e, mbi të gjitha, për Kosovën”, thotë ai.

Ai thotë poashtu se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese dhe zbatimi i vendimeve të saj nga Këshilli Qendror Zgjedhor (KQZ), më shumë se sa pastrim të listave, ka për qëllim goditjen e kundërshtarëve politikë, nga ata që i kanë kapur këto dy institucione, të pompuara si "kredibile", të besueshme.

“Nëse, vërtet, institucionet në fjalë, kanë pasur qëllimin e mirë, për pastrimin e listave të krimit, nuk është dashur ta afatizojnë penalizimin "në tre vitet e fundit!" Sepse, krimi nuk ka afat skadence. Ndërkohë, sot, amnestohen kriminelë me dosje të krimeve të faktuara, të ligjësuara me kartelë dënimi me burg! Ndërsa kërkohet ndëshkimi, në emër të pastrimit të listave, edhe të atyre të kushtëzuar dhe pa arritur të kartelizohen me regjim izolimi, burgu!? Veç kësaj, veprat penalizuese janë, tërësisht, të kundërta: Të parët, që kanë konsumuar krimin e rëndë korruptiv e vrastar, janë amnestuar dhe mbetën në lista!? Të dytët, që janë vënë në mbrojtje të territorit tokësor të Kosovës, siç është "Zajednica", Demarkacioni dhe përpjekja stopuese, për zgjedhjen banditeske të presidentit, tyxhar tokash të vendit, sot, ndëshkohen në emër të pastrimit të listave”, vlerëson Zeqiraj.

Zeqiraj ka komentuar vendimin për deputetët e Vetëvendosjes dhe të AAK-së, duke e quajtuar këtë vendim si njollë të zezë.

“Penalizimi i porositur, për ndalimin e kandidimit për deputetë të: Albin Kurtit, Liburn Aliut, Albulenë Haxhiut, Bajram Mavriqit, Labinotë Demi-Murtezi, Donikë Kadaj dhe shokëve të tyre, është dhe mbetët njollë e zezë, për sistemin e drejtësisë të kapur nga PAN-i në Kosovë. Sakrifica dhe përgjakja e tyre, për mbrojtjen e kufinjëve të Republikës, është unike. Brezat shqiptarë do të jenë mirënjohës. Sa të pavarura janë organet e drejtësisë, mjafton të ilustrojmë me Çështjen "Pronto", "pafajësinë" e politikanëve të PDK-së, vitin e shkuar, dhe Çështjen e "Veteranëve", "pafajësinë" e "komandantëve" të PAN-it, tani!?! Luaje macë, kryet e buallit!", thekson Idriz Zeqiraj.

Shahu: Listat të pastrohen

Image
Rexhep Shahu

Edhe analisti politik nga Shqipëria, Rexhep Shahu thotë se partitë politike duhet të pastrohen nga individët me precedente penale. Sipas tij, nga partitë politike burojnë gjithë institucionet sepse partitë propozojnë kandidatët për deputetë e për ҫdo funksion në jetën e politikës e të shtetit të Kosovës.

“Institucionet e shtetit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit të vetëdijësuar si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës dhe jo ti vihen përballë atij” deklaroi Albin Kurti d.v. kur u shpall vendimi se atij dhe 46 kandidatëve të tjerë për deputetë të partive politike në Kosovë nuk u lejohet kandidimi se rezultojnë të dënuar penalisht nga gjykatat e Kosoves nga verifikimi që bënë institucionet e Kosovës. Po të mos pengohej Albini të zgjidhet deputet, ҫdo gjë ishte ok në KQZ, ishte mirë e mbarë. Tash që u pengua Albini nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i janë vërsulë kryetares së KQZ-së pse zbaton vendimin e Gjykatës, sikur ajo po e pengon Albinin të bëhet dhëndër” thotë Shahu për “Bota sot”.

Sipas tij, Kosova e institucionet e saj demokratike janë në provë të rëndë, ose të qëndrojnë e të mbrohen e të jetojnë ose të rrënohet Kosova e të vijë në pushtet fisi, të vije dhuna, anarkia, diktatura, tirania.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat