Çfarë do të ndodh me marrëveshjen në Uashington pas 14 shkurtit?

Politika

Çfarë do të ndodh me marrëveshjen në Uashington pas 14 shkurtit?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 25 janar 2021 Në ora: 17:05
Foto ilustruese

Nuk na ndajnë as edhe një muaj nga zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në vendin tonë.

Është data 14 shkurt ajo e cila do të vendos qytetari për përfaqësuesitë e tyre.

Qytetarët me anë të votës do të përcaktojnë edhe ata që do kalojnë në krye të vendit.

Fushtatat parazgjedhore, aderimet dhe premtimet kanë filluar që nga caktimi i datës së mbajtës së zgjedhjeve, shkruan “Bota sot”.

Së bashku me gjithë këto, janë sondazhet ato të cilat po bëjnë “namin” duke renditur partitë fituese në këto zgjedhje, por që jo secila parti po del të jetë pajtuese nga këto sondazhe.

Përveç aderimeve, premtimeve e sondazheve ajo që po diskutohet kohëve të fundit është edhe vazhdimi i dialogut me shtetin e Serbisë.

Ishte Sekretari i LDK-së, Arban Abrashi, i cili e ka cilësuar lajm të mirë qëndrimin e administratës së Bidenit për marrëveshjen e 4 shtatorit duke shtuar se “pikërisht për këtë duhet të fitojë LDK-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit”.

Abrashi ka thënë se zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare është në fokus të programit ekonomik të LDK-së.

“LDK-ja i nevojitet vendit që të vazhdojë këtë marrëveshje edhe e mira e gjithë saj është që edhe administrata e re në SHBA tani më ka bërë të qartë dhe ka dhënë sinjale që është bërë një punë e mirë me këtë marrëveshje e cila duhet të vazhdojë e cila gjithsesi paraqet një prej shtyllave të programit tonë ekonomik, sepse po flasim për qindra miliona euro dhe mijëra vende të reja të punës përmes investimeve amerikane dhe këtë punë mund ta garantojë LDK-ja. Realisht deklarimi i kësaj jave zyrtarit më të lartë të SHBA-së se kjo marrëveshje do të vazhdojë dhe është bërë mirë për Kosovën dhe rajonin, na jep një kurajë më të madhe që të dalim të kërkojmë votën dhe të punojmë më shumë për shtetin tonë”, ka thënë ai për media.

Kujtojmë që së fundmi kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti theksoi që mund të ketë rikthim të reciprocitetit me shtetin e Serbisë e që këtë mendim po e përkrahin edhe nga LVV-ja pasi edhe Kurti theksoi që marrëdhëniet me Serbinë do të ndërtohen mbi reciprocitet.

Zogaj: Votuesi duhet ta ketë parasyshë në zgjedhje suksesin e LDK-së në Uashington

Njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që qëndrimi i Biden në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar me ndërmjetësim të Trumpit padyshim që është në të mirë të Kosovës tregon edhe njëhere që ky ishte një sukses I arritur nga ana e vendit tonë.

Zogaj thotë me tutje që ky sukses është arritur në saje të LDK-së por që i përket Kosovës mirëpo që LDK-së i takon të mburret me këtë të arritur që forcoi edhe njëhere miqësinë me SHBA-të.

Image
Skënder Zogaj

“Qëndrimi i administratës së Bidenit se Marrëveshja e 4 shtatorit me ndërmjetësimin e Trumpit është e mirë për Kosovën dhe rajonin, nuk paraqet kurfarë befasie, sepse, zyrat më të fuqishme të botës e kanë vlerësuar të tillë, dhe nuk mund ta vënë në dyshim zërat mohues të disa koluarëve antiamerikane. Ky sukses është arritur në saje të LDK-së por i përket Kosovës dhe miqësisë tradicionale, e cila dihet të ruhet dhe forcohet e jo të mohohet ose të kapitalizohet nga kushdo qoftë!Në këtë drejtim, e drejta për mburrje i takon LDK-së, që është partnerja e pastër dhe mirënjohësja e përhershme e miqësisë me SHBA-të, për dalim nga disa subjekte të tjera që mendojnë ndryshe”, u shpreh Zogaj.

Tutje, analisti thekson që qytetarët duhet ta kenë parasyshë në zgjedhje këtë sukeses të LDK-së, dhe se deklarata e Abrashit të LDK-së që e ka quajtur lajmë të mirë qëndrimin e administratës së Biden duhet njëkohësisht të na gëzojë edhe ne.

“Prandaj, LDK me të drejtë e ngre zërin me mburrje dhe mendon se, qytetarët e Kosovës, edhe me rastin e votimit duhet ta kenë parasysh se, në të mirën e Kosovës është që të votojnë partnerët amerikanë e jo përbuzësit e Amerikës! Arban Abrashi, sekretari i LDK-s me të drejtë e ka quajtur lajmë të mirë qëndrimin e administratës së Bidenit, dhe kjo duhet të na gëzoj të gjithëve, sepse, mjafton hidhërimi i shprehur nga Serbia e Rusia”, përfundoi Zogaj për “Bota sot”.

Mulliqi: Marrëveshja e nënshkruar në Uashington mund të ketë ndryshime me qeverinë e re në vend

Analisti tjetër politik, Skënder Mulliqi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, gjithashtu komentoi në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington se a mund të ketë ndryshime nëse në krye do të jetë një qeveri tjetër e jo ajo e Hotit.

Mulliqi shprehët që marrëveshja është nënshkruar nga LDK-ja, mirëpo që kjo marrëveshje ka mundësi të rishikohet nga administrata Biden në pikat ku është prekur sovraniteti I Kosovës edhe pse është marrëveshje e karakterit ekonomik.

Image
Skënder Mulliqi

“Deklarimi i Abrashit të LDK së, se ky subjekt politike duhet ta ketë pushtetin pas 14 shkurtit, për ta implementuar Marrëveshjen e Uashingtonit të nënshkruar nga Hoti, është në kuadër të fushatës elektorale. Kjo marrëveshje ka paralajmërime se do të mbetët edhe nga adminstrata e re e presidentit amerikan, Joe Biden, por që nuk precizohet a do të mbetët e formës të njejtë. Ka shumë gjasa se ajo do të rishikohet në ato pika ku mund të preket sovraniteti i Kosovës, edhe pse marrëveshja është më shumë e karakterit ekonomik, dhe e cila marrëveshje nuk është shumë obligative”, potencon analisti.

Më tej, Mulliqi thekson që kjo marrëveshje duhet të shikohet edhe kur bëhet fjalë për Minishengenin pasi ajo nuk është në dobi të shqiptarëve. Sipas tij kjo marrëveshje do të rishikohet edhe nëse në krye të vendit kalon një qeveri tjetër e jo ajo e Hotit.

“Thuhet nga disa se kjo marrëveshje do të rishikohet kur bëhet fjalë për Minishengenin, që nuk është në dobi të shqiptarëve.E kur është fjala se kush duhet të jetë në pushtet, këtë e ka në dorë votuesi i 14 shkurtit. Me shumë gjasa Qeveria e ardhshme e Kosovës do të jetë nga LVV dhe Lista e Osmanit, me ndonjë koalicion të vogël. Edhe nga pala jonë në vazhdimin e bisedimëve mendoj se do të kërkohen ndryshime në implementim të Marrëvshjes së Uashingtonit, aty ku faktorizohet politikisht Serbia në rajon”, thotë analisti.

Të kërkohet nga shteti i Serbisë njohje të Kosovës

Mulliqi thotë më tej që duhet të kërkohet nga presidenti Vuçiq të pranojë Kosovën si shtet të pavarur dhe të mos lejohet të preket statusi politik I Kosovës.

Sipas analistit nësë në krye të vendit del të jetë qeveria Kurti atëhere do të ketë qasje të re dhe nuk do të ketë kompromis me shtetin e Serbisë.

“Paraprakisht do të kërkohet nga presidenti serb, Vuçiq, të pranon pavarësinë e Kosovës, pastaj sigurishtë se do të vihen edhe shumë gjëra tjera në tavolinën e bisedime, por në asnjë mënyrë nuk do të lejohet të preket statusi politik i Kosovës. Qeveria e re Kurti, do të ketë qasje të re dhe krejt tjetër karshi vazhdimit të këtyre bisedime, jo agjendën e tyre ta cakton me serbi Vuçiq, siç ka ndodhur shumë herë deri më sot. Serbia duhet ta ketë të qartë, se është ajo që ka kryer gjenocid, ta ketë të qartë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe në këtë pikë nuk do të ketë asnjë kompromis, siç mendojnë serbët në ndarje mbi baza etnike të Kosovës”, potencon Mulliqi.

Në fund, analisti thotë që janë bërë mjaftë lëshime në marrëveshje të nënshkruara dhe nuk duhet lejuar më të që të preket statusi politik i Kosovës.

“Shumë kemi bërë lëshime me marrëveshje të firmosuara në dëm të vendit. Është pranuar varianti më i keq i mundshëm, duke lejuar që bisedimet e nivelit teknik, të kalojnë në nivel të natyres politike, ku preket statusi politik i Kosovës”, përfundoi Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat