Vjosa Osmani në ‘luftë’ me Avdullah Hotin/ Vjen akuza: Ja veprimi që po e rrezikon Kosovën

Politika

Vjosa Osmani në ‘luftë’ me Avdullah Hotin/ Vjen akuza: Ja veprimi që po e rrezikon Kosovën

Nga: P.R Më: 25 janar 2021 Në ora: 20:30
Vjosa Osmani dhe Avdullah Hoti

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti nuk po arrijnë assesi të dakordohen për emërimin e shefit të Agjencisë Kosovarë të Inteligjencës.

Ishte kryeministri Hoti që propozoi Latif Merovcin për shef të AKI-së, emër ky që nuk gjeti përkrahjen e Vjosa Osmanit.

Por, edhe propozimi i Vjosa Osmanit, emri i të cilit nuk u bë publik, nuk gjeti përkrahjen e Abvdullah Hotit.

E pozita e shefit të AKI-së vazhdon të mbetë e zbrazët, pasi duke u bazuar në Ligjin për AKI-në, në nenin 5.3 përcaktohet se “presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me kryeministrin, emërojnë së bashku drejtorin e AKI-së brenda 20 ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.

E ky mos dakordim, sipas analistit politik, Nexhat Haziri po ndodh për shkak të ‘luftës’ politike mes Osmanit dhe Hotit.

Sipas tij, mos emërimi i shefit të AKI-së nga Osmani dhe Hoti, po rrezikon sigurinë e Kosovës.

Image
Nexhat Haizri

“Këto mospajtime janë si rezultat i polarizimeve të skajshme të skenës politike kosovare, të cilat po reflektohen edhe në funksionimin e institucioneve të vendit, kur kjo i shtohet edhe fakti se institucionet më të larta , siç është presidenca udhëhiqet nga një ushtruese e detyrës së presidentit, qeveria nga një kryeministër në detyre, me kuvend të shpërndarë dhe në proces të zgjedhjeve të parakohshme, kanë krijuar vështirësi në funksionimin e shtetit. Mosdakordimi i dy udhëheqësve më të lartë shtetërorë, dhe mos arritja e konsensus për emërimin e drejtorit të ri të AKI-së, jo vetëm që kanë shkelur Ligjin për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), por po e rrezikojnë edhe sigurinë e vendit”, shprehet Haziri për gazetën “Bota sot”.

Më tej, analisti Haziri deklaron se ka qenë e pritur përplasja mes Vjosa Osmanit dhe Avdullah Hotit, duke marr parasysh pozicionet e tyre politike.

“Realisht edhe është pritur të ndodhë kjo përplasje, sidomos nga ana e Vjosa Osmanit si UD e presidentes së vendit, pasi tani më kuptohet se ajo vepron sipas agjendës së përcaktuar nga “Lideri Suprem” i LVV-së, Kurti, i cili synon për ta emëruar një njëri që është i afërt me LVV-në në udhëheqje të AKI-së për ta shndërruar në një lloj “Cheke” të tipit të milicisë sekrete partiake, karakteristikë kjo e partive të ekstremit të majtë, me anë të së cilës do të bëjë përndjekjen e kundërshtarëve politik dhe të të gjithë atyre që nuk mendojnë si ai”, nënvizon Haziri.

Për fund, Haziri deklaron se AKI mund të shpërnderohet në një institucion që i shërben politikës, ashtu siç i shërbeu SHIK-u PDK-së.

“Kjo do të paraqet një ambient të pasigurt dhe frikësim për qytetarët, pasi AKI-ia si institucion i rëndësishëm për sigurinë e vendit do të vazhdojë të ishte në shërbim të politikës dhe të një partie politik, ashtu siç i shërbeu PDK-së dhe Thaçit, në të cilën u instalua elementi kriminal i SHIK-ut të Kadri Veselit”, përfundon për “Bota sot” analisti politik, Nexhat Haizri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat