Deklarata e shteteve të QUINT-it, profesori analizon situatën: Kështu duhet të veprojnë KQZ-ja, dhe PZAP-i

Politika

Deklarata e shteteve të QUINT-it, profesori analizon situatën: Kështu duhet të veprojnë KQZ-ja, dhe PZAP-i

Nga: G.B Më: 25 janar 2021 Në ora: 22:18
KQZ

Shtetet e QUINT-it kanë reaguar për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, ku kanë thënë se besojnë në aftësinë e KQZ-së për t'i monitoruar ato.

Ambasadorët e këtyre shteteve kanë thënë se KQZ duhet të kujdeset që procesi zgjedhor është transparent dhe i pazënë nga ndërhyrjet politike, derisa u kanë bërë thirrje të gjitha partive dhe kandidatëve që të përfshihen në një garë të ndershme në të gjithë Kosovën, duke respektuar masat anti-COVID-19 gjatë gjithë fushatës.

"Qeveritë tona janë të përkushtuara për të vazhduar mbështetjen tonë në përpjekjet për të ndërtuar një Kosovë të sigurt, të begatshme, demokratike për të gjithë qytetarët, dhe për të punuar ngushtë me çdo qeveri që formohet përmes zgjedhjeve të lira në përputhje me kushtetutën", kanë deklaruar shtetet.

Image
Muhamet Kelmendi

Lidhur me këtë deklaratë, juristi dhe profesori Muhamet Kelmendi, ka thënë për gazetën "Bota sot" se e përkrah këtë qëndrim të tyre dhe nuk ka çfarë të komentohet.

"Nuk dua të komentoj qëndrimin e QUINT-it, jo pse jam kundër, sepse e përkrahi atë qëndrim, por për faktin se nuk ka çka të komentohet", është shprehur ai.

Sipas Kelmendit, normat ligjore dhe kushtetuese duhet të respektohen nga partitë politike dhe kandidatët.

"Subjektet politike dhe kandidatët duhet domosdo të respektojnë normat ligjore dhe kushtetuese. Nga ato duhet të nxjerrin qëndrimet dhe të përpiqen që të drejtat e veta t'i sigurojnë nëpërmjet organeve kompetente, deri te Gjykata Kushtetuese", ka theksuar ai.

Profesori shton se ka mjaft nivele që të bëhen ankesa dhe duhet të shfrytëzohen por që duhet ditur që nuk ka asgjë më me vlerë se shteti, zgjedhjet bëhen për pushtet, për të mbrojtur dhe zhvilluar shtetin.

"Nivele për ankesa dhe parashtresa ka mjaft. Të njëjtat kërkohet të shfrytëzohen. Në anën tjetër, shteti duhet të jetë shumë me vlerë, mbi subjekte, kandidatë e individë. Nuk ka gjë mbi shtetin. Individi është i parëndësishëm, kundruall popullit dhe shtetit. Asgjë mbi shtetin nuk ka. E nëse konkurrohet, duhet të respektohet. Kjo, për faktin se për atë shtet po veprohet. Zgjedhjet bëhen për pushtet, për të mbrojtur dhe zhvilluar shtetin", ka vlerësuar Kelmendi.

Por, sipas tij edhe KQZ, PZAP duhet të jenë korrekte dhe të respektojnë ligjin, nuk duhet të manovrohen apo të kenë qëndrime partiake.

"Por, këtu duhet thënë se edhe organet gjyqësore, PZAP, KQZ etj., kërkohet të jetë korrekte dhe ligjore. Ato nuk duhet kurrë të manovrohen apo të vijnë me qëndrime në pozitat e partive politike. Për organet është bazë kryesore dhe e vetme normat ligjore dhe kushtetuese. Këto duhet të respektohen", ka deklaruar Muhamet Kelmendi për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat