“Mrekulli që ambasadorët e QUINT-it janë ende në Kosovë”, analisti paralajmëron çfarë do të ndodhë në vend nëse ata largohen

Politika

“Mrekulli që ambasadorët e QUINT-it janë ende në Kosovë”, analisti paralajmëron çfarë do të ndodhë në vend nëse ata largohen

Nga: G.B Më: 25 janar 2021 Në ora: 23:11
Ilustrim

Zhvillimet e fundit në politikën e Kosovës, në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, bënë që të reagojnë ambasadorët e shteteve të QUINT-it.

Sot, ata janë takuar me kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, derisa kanë deklaruar se besojnë në aftësinë e KQZ-së që të monitorojë zgjedhjet që do të mbahen me 14 shkurt.

Ata kanë bërë thirrje që partitë dhe kandidatët të respektojnë ligjet dhe Kushtetutën dhe të marrin pjesë në garë të ndershme.

Lidhur me këtë, analisti politik, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën "Bota sot" se Kosova është çliruar nga ndërhyrja ushtarake ndërkombëtare dhe po ashtu është bërë shtet i pavarur nga ndërkombëtarët, por që shqiptarët kanë dështuar në vetëqeverisje.

"Kosova është çliruar nga ndërhyrja ushtarake ndërkombëtare, dhe gjithashtu, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare është realizuar liria dhe pavarësia e Kosovës, sepse, është fakt i pakundërshtueshëm se, pas përfundimit të luftës shqiptarët e Kosovës kanë dështuar në vetqeverisje", ka thënë ai.

Image
Skënder Zogaj

Si shembull, Zogaj jep Qeverinë e përkohshme, që e quan dështim tragjik dhe në këtë situatë, sipas tij, është fat i madh që bashkësia ndërkombëtare ka treguar durim për të qëndruar në Kosovë, sepse po të mos kishte qëndruar, tash këtu do të ishin ushtarët serbo-rus duke pi raki e duke vallëzuar kazaçokun.

"Shembulli eklatant i fatkeqësisë ka qenë Qeveria e përkohshme, një dështim ky tragjik, sepse në vend të shtetndërtimit ndodhi ndërtimi i strukturave të krimit dhe korrupsionit të organizuar, që vazhdon të jetë në veprim deri në ditën e sotme! Duke qenë kjo situatë, është fat i madh që bashkësia ndërkombëtare ka treguar durim për të qëndruar në Kosovë, sepse po të mos kishte qëndruar, tash këtu do të ishin ushtarët serbo-rus duke pi raki e duke vallëzuar kazaçokun", ka vlerësuar ai.

Sipas tij, mrekullisht, ambasadorët e QUINT-it janë ende këtu dhe po ua tërheqin veshin politikanë, kur po shkelin vijën e kuqe dhe kjo ndërhyrje është shumë miqësore.

"Për të mos ndodhur kjo, Ambasadorët e QUINT-it janë këtu dhe, mrekullisht po ua tërheqin veshin liderëve partiakë e shtetërorë, kur këta po shkelin vijën e kuqe! Kjo ndërhyrje është shumë miqësore, sepse, ata po na këshillojnë që të respektojmë ligjin, të përdorim gjuhën e moderuar, të shfrytëzojmë mjetet juridike dhe rrugët institucionale dhe ta ruajmë pavarësinë kushtetuese", ka theksuar Zogaj.

Këtë, ai e quan ndihmë vëllazërore e bekuese, që na ruan nga shkatërrimi ynë, derisa shton se jemi ende shumë larg që të vetëdijësohemi.

"Kjo është ndihmë vëllazërore e bekuese, që po na ruan nga vetshkatërrimi ynë permanent, që 21 vjet radhazi, duke pritur dhe shpresuar se ne do të vetëdijësohemi! Mirë po shihet se jemi ende tepër larg po e shohim të gjithë. Prandaj, kush e do këtë tokë, duhet të gëzohet shumë që shtetet e QUINT-it janë këtu dhe që, po ndërhyjnë herë pas here, për të mos na lënë që të na hajë dreqi krejt", ka deklaruar Skënder Zogaj për "Bota sot".

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat